Edi Rama hakmerret me forcën e pushtetit kundër socialisteve

465
Deputetja socialiste Mimoza Hafizi denoncoi publikisht një vendim të DAR Peshkopi, me anën e të cilit, qeveritarët, (të urdhëruar nga kryeministri) zbojnë nga sistemi arsimor publik mësuesen R. Kaca, e cila për 21 vjet jep mësime të matematikës në shkollën 9 – vjeçare. Shkaku i zbimit të mësueses nga sistemi arsimor publik, sikurse denoncon deputetja socialiste Hafizi është përkrahja morale që mësuesja në fjalë i bëri “Lëvizjes për Demokraci” brenda PS. Askush nga MAS apo nga DAR Peshkopi, nuk guxoi publikisht që të përgënjeshtronin denoncimin e deputetes socialiste, sepse e vërteta nuk mohohet, nuk përgënjeshtrohet dot as nga demagogët e pushtetit. Mësuesja është diplomuar për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe për 21 vjet kontribuon në një zonë të largët, pavarësisht se mbi sistemin arsimor publik kanë kaluar dhjetëra “rrebeshe” politike të spastrimit të kuadrove, nga qeveritë e kaluara.

 Ky fakt, dëshmon në aftësitë profesionale të mësueses dhe kjo përvojë është shumë e çmuar për sistemin arsimor publik. Mësuesja në fjalë ka mbajtur larg mësimdhënies bindjet e saj politike. Por, mësuesja, sikurse edhe 740. 000 shqiptarë që votuan PS në 2013, shpresoi te PS së pari, se do të vendoste standardin e meritokracisë në sistemin arsimor, por edhe në administratë, shpresoi për një qeverisje ndryshe, sepse kishte bindjes se PS, për më tepër në 8 – vjeçarin e opozitës, do të sillte një erë demokracie edhe në qeverisje. Mjaftuan 2 vjetët e qeverisjes së Edi Ramës, që mësuesja në fjalë, si shumica e socialistëve u zhgënjyen nga keqqeverisja socialiste. Si intelektuale, mësuesja Kaca kuptoi më mirë se reformat e premtuara në arsim dështuan, meritokracia mbeti demagogji, militantizmi i arsimit publik ndryshoi ngjyrë, nga blu në rozë. Mësuesja Kaca, si një intelektuale e ndershme, guxoi që të reagonte. Thjesht përkrahu lëvizjen për demokraci brenda PS, duke shpresuar se reformimi demokratik i PS do të ndodhë nga brenda, pa qenë e domosdoshme të braktisin PS nga zhgënjimi. Mirëpo, Edi Rama, si kryetar i madh, i emëruar nga Referendumi, që standardet e demokracisë brenda partisë i konsideron idiotësira për një kryetar me pushtet të pakufizuar, nuk mund të durojë kritika nga njerëzit që i konsideron të pavlerë të japin mendime, por që detyrimisht duhet vetëm të zbatojnë kokulur urdhrat e tij. Ndaj sikurse bëri spastrimin politik në PS, duke hequr nga çdo funksion partie këdo që nuk duron diktatin e tij në Parti, filloi të spastrojë edhe SHTETIN nga çdo socialist të pabindur pushtetit absolut të kryetarit të Referendumit. Kjo valë spastrimi që ndërmerr Kryeministri Rama edhe në Administratën Publike, ndaj çdo socialisti që e kundërshton, që guxon dhe e kritikon Ramën, shpreh mendësinë e kryeministrit Edi Rama. 

Që edhe Shteti, sikurse PS, tashmë janë pronësi e kryeministrit. Si pronar, kryeministri i jep vetvetes të drejtën, që me një urdhër goje, të zbojë këdo nëpunës shteti, apo të punësojë këdo militant partie, që i gjunjëzuar i puth këmbë e duar kryeministrit. Kjo mendësi diktati nga Kryeministri Rama edhe në funksionimin e Shtetit demonstron hapur terrorin psikik, terrorin moral, terrorin fizik ndaj çdo nëpunësi të Shtetit, duke dashur që t’u imponojë atyre së pari, bindje verbale ndaj çdo urdhri të kryeministrit, shprehje të militantizmit partiak në çdo dëshirë për arritjen e pushtetit absolut nga kryetari i partisë. Kryeministri Rama, hapur dhe me bindje të plotë, duke nënshtruar kësisoj shtetin me terrorin e spastrimit të Administratës Publike nga çdo kundërshtar politik, brenda dhe jashtë partisë, sfidon hapur edhe Kushtetutën, edhe ligjet, duke filluar së pari, nga ligjet që u miratuan së fundi nga parlamenti ynë me konsensus të plotë politik, si kusht nga BE, sikurse është ligji “Për nëpunësin Civil”, ligji ” Për Administratën Publike”. Kjo mendësi e Kryeministrit Rama, të sillet ndaj shtetit, sikur shteti të jetë pronë private e tij dhe ai pronar dhe shtetin ta trajtojë si të jetë biznes familjar ngarkon buxhetin e shtetit me kosto të madhe financiare, pasi shteti detyrohet nga gjykatat të shpërblejë me miliona euro çdo vit, nëpunësit që zbohen në kundërshtim me ligjet nga drejtorët e kryeministrit, të cilët këta drejtorë zbatojnë verbërisht urdhrat e Kryeministrit Edi Rama. Kjo sjellje e Kryeministrit Rama, duke zbuar nga Shteti edhe socialistët që reagojnë kundër mbytjes së frymës së demokracisë brenda PS, vërteton hakmarrjen politike të Edi Ramës ndaj socialistëve të ndershëm dhe dëshmon qartazi që tashmë PS e kryetarit Edi Rama nuk është më socialiste, as në formë, as në brendi, as në ideologji, as në politikë. Për më keq akoma, PS e Edi Ramës tani nuk ka më asnjë personalitet socialist, pasi militantët e PS, që janë zgjedhur në forumet partiake të PS janë tjetërsuar në anonimë personaliteti, janë tjetërsuar në ushtarë që duan më shumë kryetarin e partisë, edhe sesa familja, edhe sesa Atdheu, edhe sesa Shqipëria!
Sigal

Jakup B. GJOÇA