Edi Rama: Do të prishim ndërtimet pa leje në Bregdet!

534
Sigal

Kryeministri i ri zbardh politikën  që do të ndjekë për Bregdetin, duke u bazuar në përvojën e tij si Kryebashkiak i Tiranës

Kryeministri i ri, Edi Rama, e pranon publikisht se udhërrëfyesi i tij në punën e re që pritet, si kreu i qeverisë së re, do të jetë  përvoja e fituar si Kryebashkiak i Tiranës. Edi Rama si Kryebashkiaku i Tiranës ia doli mbanë sistemimit të mjediseve, sidomos në ndërtimet pa leje. Edi Rama, edhe si kryeministër, por edhe si deputet i zonës, ka përcaktuar edhe përparësitë e qeverisjes së re të tij për zhvillimin e Bregdetit, duke filluar-sikurse edhe në Bashkinë e Tiranës- nga vendosja e ligjit në ndërtimet që bëhen përgjatë Bregdetit. Kryetari i PS-së, Edi Rama zhvilloi të dielën një takim me përfaqësuesit vendorë në Vlorë, ku ka diskutuar për konkursin ndërkombëtar mbi planin e zhvillimit të qarkut dhe aksionin e prishjeve të ndërtimeve pa leje në bregdet pas marrjes së mandatit si kryeministër.

Kryeministri i ardhshëm i vendit, zoti Edi Rama, bëri të qartë ne mënyrë të prerë dhe kategorike se nuk do të tolerojë asnjë ndërtim pa lejen në vijën bregdetare, apo në të gjitha qytetet e tjera shqiptare.

Ky është mesazhi i fortë, që Rama dha nëpërmjet llogarisë së tij në “Twitter”, përballë “stuhisë” së ndërtimeve pa leje, që vendi ka përjetuar në muajt e fundit, edhe si rrjedhojë, në shumë raste, e “tolerimit” të autoriteteve vendore gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.

“Në vijën bregdetare të Shqipërisë do të bëjmë çka bëmë me Lanën në Tiranë! Pas katër vitesh, ndërtimi pa lejë në bregdet do të jetë një ëndërr e keqe”, – u shpreh  Rama.

“Mesazhi i Ramës, si Kryeministri i ri është i qartë: Kush ndërton pa leje apo në shkelje të lejes në bregdet duhet të ndalet, sepse pa asnjë dyshim po i çon paratë në det! Me drejtuesit e pushtetit vendorë për konkursin ndërkombëtar për planin e zhvillimit të Qarkut dhe aksionin e prishjeve të ndërtimeve pa leje në bregdet”, shtoi Kryetari i Partisë Socialiste, forcës kryesore të koalicionit fitues të zgjedhjeve të 23 Qershorit.

Duhet theksuar se, edhe bashkitë kryesore të Bregdetit, sikurse Bashkia e Sarandës, e Himarës dhe e Vlorës drejtohen nga bashkiakë socialistë dhe kjo e bën edhe më të lehtë aksionin që deklaron se do të ndërmarrë Edi Rama, sapo të mandatohet zyrtarisht si Kryeministri i vendit. Por, njëkohësisht, fakti që kryebashkiakët e Bregdetit janë socialistë, mund të ngarkojë, po kaq me përgjegjësi vetë Kryeministrin Rama, nëse nuk do të jetësohet dhe nuk do të realizojë të gjitha këto zotime publike që merr përsipër, sepse nuk do të ketë asnjë justifikim, derisa të gjitha pushtetet, edhe Qendrori, edhe ai Vendor janë në udhëheqjen e socialistëve.