Gati lista e arrestimeve për zyrtarët e Djathtë

645
Sigal

Drejtuesit e lartë të KESH-it, CEZ-it, Doganave, Tatim-Taksave, Policisë, etj., gati për të marrë në dorëzim batanijet e burgut

Burime nga koalicioni i majtë bëjnë të ditur për një plan që ka të bëjë më arrestimet e personave që janë përgjegjës për vjedhjet dhe grabitjet e pasurisë kombëtare të shqiptarëve nëpërmjet, aferave të pista dhe shkeljes së ligjshmërisë. Sipas nismëtarëve që kanë kërkuar arrestimet, thuhet se nëse e keqja nuk do ndëshkohet, ajo do të transmetohet edhe në qeverisjen e ardhshme, prandaj ligji duhet të veprojë menjëherë, Kështu janë shprehur drejtues të partive aleate, të këtij koalicioni, por edhe përfaqësues të bazës, ndërkohë që duket se Edi Rama ka sipër tavolinës së tij, emrat e drejtuesve të institucioneve që kanë shkelur ligjin, duke përfituar shuma të majme parash, nëpërmjet tenderave, apo pazareve të pista, në kurriz të arkës shtetërore. Kjo kërkesë është duke u bërë në formë presioni edhe nga disa segmente të krerëve të bazës, të cilët mendojnë se rruga e qeverisjes së ardhshme duhet të fillojë, pikërisht nga arrestimet. Në fund të fundit, të njëjtën gjë bëri edhe Partia Demokratike në ditët e para pas ardhjes në pushtet, duke arrestuar ish deputeten socialiste Luiza Hoxhën, e cila në atë kohë ishte drejtore e Postë-Telegrafit dhe biznesmenin që njihej si shok i ish- Kryeministrit Nano, Nard Kokën. Këtë të fundit e arrestuan në mënyrë spektakolare, por pak kohë më vonë e liruan përsëri, duke treguar qartë se arrestimi ishte thjesht, një “shou” politik.

Lista e arrestimeve

Për këtë arsye, lista e koalicionit të majtë që do të shërbejë si pikënisje e denoncimeve dhe procedimeve për prokurorinë përfshin brenda saj drejtues të lartë të doganave, të KESH-it, CEZ-it, Ujësjellësit, Tatimeve, Telefonisë, tenderave të Ministrisë së Financave, Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme, etj.. Me një fjalë duket sikur në shikimin e parë kjo listë përfshin rreth 70 për qind, të institucioneve shtetërore, të cilët kanë grabitur qindra miliona euro, nëpërmjet aferave abuzive. Në mënyrë të përcaktuar kjo listë përmban konkretisht, emrat e personave përgjegjës për këto spekulime financiare, por dokumenti përfundimtar do të publikohet së shpejti.

Akuzat

Akuzat ndaj personave që do të arrestohen janë bërë prej kohësh nga përfaqësuesit dhe deputetët socialistë, duke përfshirë këtu Erion Braçen, i cili ka akuzuar CEZ-in, Arben Ahmetajn që ka akuzuar Ministrinë e Financave, Auron Taren, që ka derdhur një lumë akuzash ndaj ish- ministrit të Kulturës Aldo Bumçi, si edhe vetë Ramës, i cili ka hedhur shumë akuza për drejtues të institucioneve shqiptare. Duket se këtë radhë rrethi i ngushtuar, drejt doganave, tatim-taksave, CEZ-it, Ujësjellësit, etj., pa dyshim që do të mundësojë arrestimin e një pjese të madhe të këtyre drejtuesve, që nuk mund të fshihet dot, pasi, kupola rozë duket sikur ka dokumentacione të përpikta për personat përgjegjës. Aktualisht, akuzat e bëra ndaj Ylli Pangos dhe drejtorit të Ministrisë së Punës, Klevis Bitro, duket sikur janë prologu i një historie burgosjesh për fajtorët e korrupsionit. Në të gjitha takimet elektorale, Edi Rama ka kërkuar që korrupsionit t’i vihen emra konkretë dhe të mos flitet në përgjithësi, por tani duket se përpilimi i kësaj liste e ka përmbushur kërkesën e tij, ndaj specialistëve rozë.

Tarafet familjare

Përveç akuzave për vjedhjet, grabitjet, tenderat, spekulimet financiare etj duket sikur Partia Socialiste dhe koalicioni i majtë së shpejti do të bëjnë publike edhe tarafet familjare e fisnore, ku punojnë familjarët e zyrtarëve të lartë, si p.sh, njerëzit e Topallit, Berishës, Bodes, etj., të cilët përbëjnë një nga shkaqet e humbjes s PD-së në zgjedhje. Mjafton të përmendim këtu faktin se nga familja Ceka, ishin dy ambasadorë, pra babë e bir, për të kuptuar se në çfarë situate ordinere ka kaluar reformimi i Ministrisë së Jashtme. Pa përmendur këtu konsujt, atashetë, apo përfaqësues të tjerë të ambasadave tona jashtë vendit. Natyrisht, akuza e tarafeve familjare nuk mund të ndëshkohet ligjërisht, por ajo mund të ketë efekte të moralit nëse diskreditohet kasta e tanishme e përbërë nga kushërinj dhe fise të liderëve blu.

Burgu

Në burg do të përfundojnë vetëm ata që janë të dokumentuar shkresërisht se kanë shkelur ligjet dhe kanë grabitur pasurinë tonë kombëtare, ose thjesht kanë grabitur qytetarët në radhët e doganave, apo në manipulimet me trafikantët e ndryshëm. Ndofta është e parakohshme të themi se emri i Sait Dollapit po përmendet shumë në debatet e këtij lloji, ku thuhet se skandali financiar kap miliona euro. Por nuk mbeten prapa as drejtuesit e doganave dhe KESH-it, të cilët duket se kanë lënë pas vetes në mënyrë të pakujdesshme, dokumente të rrezikshme, që janë arkivuar nga opozita e djeshme, apo që janë denoncuar nga qytetarët. Për këtë arsye, në ditët e para të shtatorit pritet një valë arrestimesh që do të krijojë një kureshtje të madhe tek njerëzit për të kuotuar se këto arrestime janë pjesë e spektakleve politike, apo tundja e prangave, për t’u bërë mësim edhe për ata që do të vijnë nesër nëpër këta kolltukë shtetëror. Por një sërë shkeljesh ligjore janë evidentuar edhe në Ministrinë e Brendshme, apo në atë të Mbrojtjes, ku gjithashtu pritet një furtunë arrestimesh. Me sa duket ministrat, zëvendësministrat, drejtorët e institucioneve etj., të cilët deri dje prisnin biletat e avionëve për udhëtimet jashtë shtetit, nesër do të përgatiten për të marrë në dorëzim, batanijet e burgut, nga ku nuk dihet se kur mund të dalin.