Dritëro Agolli: Demokracia ka të meta, por s’ka më të mirë se ajo

308

EKSKLUZIVE/ Pjesa e dytë e bisedës me shkrimtarin Dritëro Agolli me rastin e 81-vjetorit të lindjes

(Vijon nga numri i kaluar)

Këmbëngulja ime dhe Ymer Minxhozit për të biseduar me Dritëro Agollin dhe për ta uruar në këtë 81-vjetor të ditëlindjes së tij lidhet me një fakt të thjeshtë: Me popullaritetin e tij. Nuk e teprojmë aspak se Dritëroi ka një popullaritet të padiskutueshëm dhe të pakrahasueshëm. Fama e shkrimtarit, që ndryshe është quajtur Patriark i letrave shqipe, por edhe një nga ikonat e së majtës shqiptare, është e madhe. Ai si shkrimtar dhe poet ka hyrë prej kohësh në elitën e krijuesve tanë më të mirë. Por, shqiptarët gjatë këtyre më shumë se njëzet vjetëve të fundit kanë parë te Dritëroi edhe një publicist të madh. Në të vërtetë, Dritëroi është një gazetar i lindur, karriera e tij krijuese është e lidhur pazgjidhshmërisht me gazetarinë. Publicistika e tij e periudhës pluraliste, e mbledhur më së shumti në librin “Teshtimat e lirisë” është po aq e vlershme sa edhe krijimtaria e tij. Gjatë këtyre viteve ai ka qenë shkrimtari më i angazhuar në politikën dhe jetën e vendit, ka dhënë pa fund intervista, ka qenë një polemist i shkëlqyer. Fjala e tij e mençur ka poezi dhe ngjyrim emocional, ndaj dhe përthithet me aq shpejtësi dhe ka aq shumë ndikim. Të kujtojmë për shembull se si u tall Dritëroi me emërimet partiake dhe nepotike në administratë disa vjet më parë, kur politikanët i fshihnin ato pas meritokracisë. Kjo nuk është meritokraci, por shkërdhatokraci, tha Dritëroi. Dhe të mos harrojmë se këtë e tha për një qeveri socialiste që ishte në pushtet… Sidoqoftë, le të kthehemi te vazhdimi i bisedës më shkrimtarin e madh, duke i uruar Dritëroit jetë të gjatë dhe krijimtari të begatë!

Unë: – Në të vërtetë ka patur dhe ka shtrembërime të fakteve historike që duhet të korrigjohen. Ne e dimë se si është politizuar edhe historia për qëllime të caktuara. Të vërtetat historike duhet të dalin në dritë dhe kjo është punë e historianëve, jo e politikanëve. Se, që të themi të drejtën, dikur kemi retushuar edhe fotografitë, apo jo?

Dritëroi: – Po, është e vërtetë kjo. E njëjta gjë është dhe me fotografitë. Fotografitë janë pjesë e historisë, dëshmi dhe pjesë e pandarë e biografisë së njerëzve. Unë kam bërë një album të tërë me fotografitë që kam bërë me ish-udhëheqës komunistë dhe me politikanë e figura të njohura të të djeshëm e të sotëm. Sepse si gazetar dhe shkrimtar unë kam pasur rastin të bëj fotografi thuajse me të gjithë. Kam me Enver Hoxhën, me Mehmet Shehun, Ramiz Alinë e të tjerë. Fotografitë janë pjesë e biografisë së njeriut dhe tregojnë shumë për jetën dhe ngjarjet, pasi bëhen në momente të caktuara. Për shembull, kam një fotografi të bukur me Mehmet Shehun në një fushë. Ajo është një fotografi artistike që mua më pëlqen dhe e kam zmadhuar. Më vjen keq se kam patur një fotografi me Mao Ce Dunin, por nuk po e gjej dot. Kushedi ku e kam futur.

Ymer Minxhozi: – Edhe unë e kam takuar Mao Ce Dunin. Kam edhe fotografi me të kur isha correspondent i “Zërit të Popullit” në Pekin. Por dua të tregoj një episod tjetër që lidhet me Myfit Mushin dhe Vangjel Moisiun, të cilët në kulmin e revolucionit kulturor-proletar kinez kishin shkuar në Kinë për të përgatitur botimin në shqip të citateve të Maos. Pasi kishin punuar disa muaj dhe ishin gati të iknin nga Kina me ata librat e vegjël të kuq që mbaheshin nëpër xhepa, kishin shkuar në Shangai për të marrë aeroplanin për t’u kthyer në Shqipëri, kur një shok i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze i merr në telefon dhe iu thotë të anulojnë nisjen për pak ditë për një çështje me shumë rëndësi, për një takim shumë të rëndësishëm. E thashë që ishte kulmi i revolucionit kulturor kinez dhe Maoja prej disa muajsh nuk dukej në publik. Ishin përhapur thashetheme se Maoja kishte vdekur, të tjerë thoshin që ishte vrarë etj., etj. Shqiptarët ishin të vetmit të huaj që lejoheshin ta vizitonin Kinën. Dhe u gjetën specialistët shqiptarë… I morën Myfitin dhe Vangjelin në një makinë dhe i çuan diku midis malesh, në një vilë. Tek hyrja kishte dalë vetë Mao Ce Duni për t’i pritur. Maoja ishte me Jao Ven Juanin, një udhëheqës i lartë kinez i asaj kohe. Biseda ishte mjaft e përzemërt dhe Maoja u interesua pse ata kishin shkuar në Kinë dhe çfarë kishin bërë. I thonë se kemi përgatitur citatet tuaj shoku Mao, me porosi të shokut Enver. Po pse duhen këto citate në Shqipëri? Unë i kam shkruar për kinezët. Ua kam thënë edhe këtyre, – dhe u drejtua nga Jao Ven Juani që kishte ulur kokën, – ua kam thënë se pse u bëjnë kaq jehonë citateve të mia. Por nuk më dëgjojnë. Citate mund të merren vetëm nga Marksi  dhe Lenini… Vazhdoi takimi për rreth një orë. Të nesërmen, fotografia e Maos me specialistët shqiptarë u botua në gjysmën e faqes së parë të gazetës Zhenminzhibao. Kinezët u bindën se udhëheqësi i tyre ishte gjallë dhe ishte mirë me shëndet, kurse shqiptarët që patën fatin të takonin udhëheqësin e madh shiheshin si shenjtorë nga kinezët…

Dritëroi: – Më kujtove diçka me Maon, Ymer. Vërtet në atë kohë ishte fat të takoheshe me udhëheqësit, sidomos me Maon që ishte kthyer në perëndi për kinezët. Po edhe Enveri nuk ishte pak. Ka pasur nga ata që takonin Enverin dhe nuk ia jepnin dorën njeriu tjetër për një kohë që të ruanin vlagën e duarshtrëngimit me udhëheqësin. Nejse. Unë e kam takuar disa herë Enverin. Po ndonjë libër nuk i dhurova sa ishte gjallë. Se si më vinte, më dukej sikur do bëhesha servil. Vetëm Mehmetit i kam dhuruar një kopje të poemës “Nënë Shqipëri”. Kur erdhi koha të bëhej muzeu i Enverit atje tek Piramida, kur ishte drejtor Spiro Dede, ngritën një kënd me librat që i ishin dhuruar Enverit nga shkrimtarët. Atyre që merreshin me muzeun, u kishte rënë në sy fakti që nuk kishte ndonjë libër dhuratë nga unë për Enverin. Më thotë Spirua: “Nuk kemi libër nga ty për shokun Enver. Si t’ia bëjmë?” S’kemi çfarë të bëjmë, i them unë. Vajti ajo punë. “Po sikur të shkruash tani ndonjë autograf e ta vëmë në stendë?”, më pyeti. Kur nuk e shkrova autografin sa ishte gjallë Enveri, si mund ta shkruaj tani që ai ka vdekur? Si mund të shkruaj unë tani: “I dashur shoku Enver, ta dhuroj me respekt këtë libër etj., etj” Jo, gjë që nuk bëhet, i thashë. Dhe kështu nuk u vu ndonjë libër i imi në atë stendë.

Sadija: – Kështu është Dritëroi. Nuk di të shtiret. Edhe librat që ka shkruar në regjimin e kaluar, nuk i ka redaktuar. I ka lënë ashtu siç janë shkruar në atë kohë. I ka ribotuar pjesën më të madhe të tyre, por nuk i ka ndryshuar, në një kohë që redaktimi, korrigjimi u bë një dukuri e neveritshme për ta dalë disidentë. Me këtë Dritëroi u thotë njerëzve: Unë jam ky që jam, mos më kërkoni të ndryshoj…

Dritëroi: – E kam shpjeguar këtë në intervista dhe artikuj pse nuk i kam redaktuar më pas librat e mi.

Unë: – Tani së fundi u hoqën me bujë imunitetet e deputetëve, në emër të luftës kundër korrupsionit. Ju kini qenë deputet për shumë kohë. Sa efikase mendoni se është kjo masë që u mor?

Dritëroi: – Mirë u bë që u hoqën imunitetet. Por unë mendoj se kjo nuk ndikon shumë në luftën kundër korrupsionit. Sepse imunitetet janë hequr edhe më përpara kur është dashur për deputetë e ministra. I është hequr imuniteti Ilir Metës qysh në vitin 1992 a ’93. I është hequr edhe Azem Hajdarit më pas. Unë mendoj se nuk ka ndonjë lidhje midis imunitetit dhe luftës kundër korrupsionit…

Ymeri: – Unë mendoj se deputetët dhe zyrtarët demokratë nuk kanë nevojë për imunitet se ata i mbron drejtësia dhe gjykatat tona të pavarura.

Dritëroi: – Ky është humor që ti e ke zakon dhe e bën sipas natyrës tënde. Dhe e bën mirë. Ke humor ti Ymer. Unë t’i kam lexuar librat dhe aty ti ke shkruar shumë për këto gjëra.

Ymeri: – Në fakt politika është një burim i pafundmë humori që, po dite ta zbulosh, mund të bësh gjera të mrekullueshme. Siç bëre ti Dritëro Zylon. Në çdo kohë është bërë humor me politikanët.

Dritëroi: – Dakord, dakord. Sepse edhe demokracia ka të meta. Jo më kot ka thënë Çërçilli se “Demokracia ka shumë defekte, por nuk po gjejmë një më të mirë se ajo”.

Ymeri: – Ashtu është. E ka thënë mirë Çërçilli. Hajde ta gjejmë një sistem më të mirë!…