Drejtori i OSHEE, Ardian Çela rikthehet në detyrë për të vazhduar reformat e “Rilindjes”

531
Mbaron “lufta” e shkarkimeve në ministritë dhe drejtoritë në krye të të cilave u vunë të propozuarit e Bashës pas marrëveshjes së 18 majit me kryeministrin Rama
Nis fushata e largimeve të drejtorëve teknikë, menjëherë pas përfundimit të numërimit dhe shpalljes së rezultateve paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ndonëse në heshtje, ajo çfarë është thënë gjatë fushatës se ministrat dhe drejtorët teknikë do të qëndrojnë në detyrë deri në 26 qershor, po gjen zbatim. “Paqja” mes Partisë demokratike dhe asaj Socialiste zgjati vetëm një muaj. Marrja e pushtetit nga kryeministri Edi Rama, ka bërë që edhe puna e ministrave teknikë dhe drejtorëve të emëruar prej tyre, të mbetet në heshtje. Gjatë ditës së djeshme, u njoftua largimi i drejtorit të parë teknik. Dhe ai është drejtori i OSHEE, Haki Mustafa. E mori detyrën pas datës 18 maj dhe u detyrua të lërë karrigen e tij dje, pas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Kështu, dalëngadalë, të emëruarit teknikë para zgjedhjeve fillojnë të lëshojnë institucionet. Në të njëjtën ditë, Këshilli Mbikëqyrës, vendosi të rikthejë në detyrë, drejtorin Ardian Çela, i cili me urdhër u detyrua të lëshojë postin për vetëm një muaj. Haki Mustafa e kishte marrë këtë detyrë në kuadër të emërimeve teknike të bëra nga PD në krye të disa agjencive dhe ministrive, pas marrëveshjes së 17 majit mes Ramës dhe Bashës. Gjatë kohës që Mustafa qëndroi në postin e drejtorit të OSHEE, pati si detyrë vetëm kontrollin e punonjësve të institucionit, me qëllim parandalimin e pjesëmarrjes së tyre në fushatë elektorale. Kjo ishte një nga pikat kryesore të marrëveshjes së fshehtë. Ai nuk kishte tagrin për të emëruar punonjës gjatë kësaj kohe të shkurtër në detyrë. 

Fushata e largimeve do të vazhdojë
Largimi i Haki Mustafës, pritet të pasohet nga të tjerë. Në listën e drejtorëve që shumë shpejt do të lënë detyrën janë ai i Burgjeve, Arjan Hoxha, i ALUIZNIT, drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ne u interesuam pranë këtyre drejtorive, por nuk morën dot përgjigje. Drejtorët teknikë nuk kanë dëshirë të shprehen rreth këtij problemi, por ajo që duket qartë menjëherë pas zgjedhjeve, është heshtja që ka rënë në këto drejtori. Për gati një muaj, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arjan Hoxha, spastroi të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit nga drejtuesit, duke emëruar persona të rinj. Por duket se pas ardhjes së drejtorit të ri të burgjeve, në listën e të shkarkuarve do të jenë edhe drejtorët e institucioneve të ekzekutimeve të vendimeve penale në të gjithë vendin. Gazeta “Telegraf” u interesua në Ministrinë e Drejtësisë lidhur me fatin e drejtorëve teknikë. Por përgjigja ishte se gjithçka varej nga kryeministri Edi Rama. Ndërkohë lidhur me qëndrimin ose jo në detyrë të ministrave teknikë, Gazmend Bardhi u shpreh se nuk ka asnjë ide se si mund të veprohet. Për Bardhin, përgjigja e kësaj pyetjeje duhet gjendur tek kryeministri. E pyetur gjithashtu për këtë çështje, ministrja e Arsimit, Mirela Karabina u shpreh, se do të qëndrojë në detyrë deri në dekretimin e qeverisë së re. 
Sigal