Dr. Sazan Guri:Jam besimtar i flaktë, por xhamia tek Namzagjaja është jashtë çdo kriteri

591
Sigal

INTERVISTA/ Flet Kryetari i Shoqatës së Ruajtjes së Ambientit, Dr. Sazan Guri

Ndërtimi i xhamisë së re pranë ndërtesës së Parlamentit ka ngjallur reagimin e ambientalistëve. Ata nuk janë kundër ngritjes së një objekti kulti, por jo në qendër të Tiranës aq më tepër tek një hapësirë e gjelbër, ambient publik, ku dhe vetë xhamia nuk do ta luajë rolin e saj për besimtarët për t’u falur, pasi vendi është shumë i ngushtë. Nga ana tjetër n.q.s zaptohet një hapësirë e gjelbër, institucioni që do ndërtojë duhet ta kompensojë 3 deri në 10 herë këtë hapësirë publike në një vend brenda qytetit.

  Çfarë besimi fetar i përkisni?

Unë nga babai jam Bektashi ndërsa nga nëna jam mysliman, por për vete preferoj marrëdhënie direkte me Zotin. Besoj shumë dhe i shërbej Zotit dhe në çdo hap timin dua t’i ngjaj Ajshtajnit,  ku nga një anë të kem shkencën nga ana tjetër të kem biblën, kuranin.  I kam lexuar me shumë qejf dhe dashuri si Kuranin edhe Biblën, kam mësuar shumë prej tyre, dhe për mua janë libra që kanë marrë nga njëri-tjetri dhe janë si njëri -tjetri, por unë besoj më shumë tek ajo bibla e parë e vjetër, tek ajo Kushtetuta e vjetër që duhet ta kenë bërë të parët tanë, pellazgët, mbasi të gjithë këta libra fetarë kanë të njëjtën frymë.  Fryma e marrëdhënieve miqësore me njeriun, me natyrën me qeniet e ulëta me kafshët. Këto të mësojnë si Kurani edhe Bibla prandaj dhe i dua shumë, prandaj dhe i respektoj shumë.

 Kjo nismë e qeverisë, por dhe e Bashkisë për dhënien e një hapësire të gjelbër Komunitetit Mysliman për ndërtimin e një xhamie të re, çfarë përbën për ju si ekologjist?

  Këtu  disa komponentë shumë të rëndësishëm që janë veç njeri nga tjetri dhe që nuk mund të bashkëjetojnë dot.  E para është hapësira publike,  që na identifikon me elementë urban, sepse është e vetmja hapësirë këtu që është e gjelbër, e veçantë, me hapësirë, ku ne na duket vetja si në Berlin, Vjenë, Paris, etj… Dhe këtë hapësirë tani një institucion tjetër që është po aq i domosdoshëm pasi për 23 vjet u është mohuar e drejta e besimit, do të ngrenë një institucion për besimtarët. Dakort. Por në momentin që vihet guri i parë i xhamisë,  u lind e drejta pronarëve të tokës që të ndërtojnë veprat e tyre urbane. Atëherë kjo  hapësirë publike, ky vend i gjelbëruar, nuk dihet kujt i përket.  Të dyja tashmë janë në kontradiktë. Duket sikur bashkëjetojnë, por s’është e vërtetë pasi do t’i bëjnë  këtij ambienti një dëm shumë të madh.  Problem është se që nga familjet që do gdhihen në mëngjes me zërin e hoxhës nëpërmjet manjetofonit dhe jo me zërin e tij të ngrohtë dhe melodioz, që nga ajo që xhamia në vijë ajrore do të jetë 20 metra larg një vepre urbane.  Nuk ka shembull në botë apo në Europë që një institucion shpirtëror të jetë  kaq afër, pa një rrugë në mes apo një tampon që e ndan. Në këtë këndvështrim hapësirën publike, hapësirën e gjelbër, n.q.s do ta marrësh duhet patjetër ta kompensosh trefish me një hapësirë të gjelbër, ndërsa në botë është 10 fish kompensimi. Ndërkohë, n.q.s ngre vepra urbane, aty zhduket hapësira publike dhe e gjelbër.  Ne në këtë mënyrë na lind e drejta,  që të ngremë pallate 35 katëshe edhe mbrapa Pallatit të Kulturës, edhe tek rruga “Bulevardi i Parë”, edhe tek Kisha Ortodokse, atëherë krijohet një qendër e kryeqytetit që nuk mban dot,  dymbëdhjetë 25- katëshe, sepse intensiteti i ndërtimit nuk  del 2.7 (metër kub beton në një sip. të vogël), sa është norma, por del më shumë dhe në këtë rast për të bërë ndërtime të tilla duhet të mblidhet një Kongres Urbanistësh që duhet të vendosin. Densiteti në raste të rralla mund të shkojë deri në 3.5.

 Po në qendër të Tiranës sa është ky intensitet ndërtimi?

Bëjini llogari, dy grataçiela në qendër, 15- katëshi me vete, një që po ndërtohet përballë kishës ortodokse, një që e ka dikush në mendje, çfarë na del? Intensiteti i ndërtimit në këtë rast është i tillë që hapësirat publike apo ato të gjelbra dalin në raporte të syrgjynosura.  Qendra është hapësirë publike,  hapësirë, ku qytetari merr frymë, ku qytetari shikon horizontin e Dajtit për të cilin është ngritur ky qytet.  Horizonti i Dajtit i parë nga qytetarët në qendër u krijon atyre hormonin e haresë, gëzimit, pozitivitetit, është një lëng brenda trupit endorfin që krijon një gjendje të mirë shpirtërore kur shikon një ujëvarë, një det, një liqen, një lumë apo horizont mali. Kështu duhet të jetë për qytetarët e Tiranës ky mal, apo dhe për turistët. Ne me këto grataçiela, i zë rrugën qytetarit, i zë pamjen, i merr frymën duke e betonizuar.  Këto ndërtime të tilla bëjnë që temperatura 35 gradë në behar ti  do ta ndjesh 10 gradë më tepër. Këtë do bëjë hapësira urbane e uzurpuar. Po kur temperatura të jetë 40 gradë ti do ta ndjesh 50 gradë, sikur je në Arabi. Pra zhdukja e hapësirave të gjelbra me vepra  urbane ku gërshetohen shumë keq dhe me veprat e tjera urbane, përbën problem, aq më keq që në këtë pozicion kjo xhami nuk do ta zgjidh dëshirën e komunitetit mysliman për t’u falur.

 Po ku mund të bëhej një xhami e tillë?

Ku? Në periferi. Që të ketë më shumë hapësirë, vendlëvizje, shesh pamje. Mund ta ndërtosh edhe tek stacioni i trenit. Jepu rëndësi dhe vlerë rrethinave të Tiranës. Pse të gjithë  tentojnë që të ndërtojnë vetëm në qendër të Tiranës, ku e kanë përçudnuar këtë qendër.  Ne deri tani i kemi kënaqur komunitetet fetare me objektet e tyre të kultit në qendër të Tiranës, një xhami 500 -vjeçare, një kishë ortodokse dhe një kishë katolike.

 Po ndaj kishës ortodokse që është ndërtuar pranë Ministrisë së Mbrojtjes a keni mbajtur të njëjtin qëndrim?

 Jo nuk e kam mbajtur, pasi nuk e kishim ndërtuar, apo legjitimuar këtë shoqatë.  Ato ndërtime janë bërë shumë kohë më parë, disa janë shumë të vjetra dhe reagimi qytetar ishte shumë i vogël. Vetëm një intelektual ambientalist Xhemal Mato e ngriti zërin atëherë.  Tani  ndërgjegjësimi, është më i madh dhe numri i shoqatave në mbrojtje të mjedisit është shumë më i madh. Ose ndoshta atëherë nuk dinim, ose nuk kishim organizim, etj… Edhe institucioni fetar katolik apo ortodoks, edhe ai mysliman që përfshihet dhe unë që ta kenë mirë me zotin duhet të zëvendësojnë tokën që kanë marrë me hapësira të gjelbra minimumi trefish, kur në vendet e tjera është 10 -fish, 10 herë më shumë.

 Çfarë kemi të veçantë ne si popull?

Ne kemi si busull kemi pasur dhe kemi diellin dhe jo hënën. Shiko në çdo qytet apo fshat shqiptar, në krah çfarë kanë pikturuar. Diellin, atë që ndriçon. Marrëdhëniet fetare duhet të jenë të harmonizuar. P.sh xhamia dhe kishat në Berat kanë elementë të njëra- tjetrës. Unë jam lindur në një lagje në Berat ku isha i vetmi mysliman mes ortodoksëve dhe katolikëve, por respektoja dhe më respektonin fenë. Ne donim zotin që për të gjithë është një. Unë jam lindur me një dashuri të tillë, ku zëri i Zotit kurrë nuk thotë që ndërtimet të bëhen në kurriz të natyrës dhe në dëm të njeriut. Prishet natyra, gjelbërimi, prishen mushkëritë e qytetit, e pësojnë njerëzit. Zoti do njeriun sepse për të janë krijuar objektet e kultit, si të respektohet njeriu dhe të ndihmohet. Një xhami në fund të fundit si objekt është vepër urbane dhe kjo nuk mund të bashkëjetojë me dy vepra të tjera urbane  ato dy pallatet që janë lart. Ndërtimin e kësaj xhamie nuk e vendos as Kryeministri, as Kryebashkiaku, por një Kongres arkitektësh, urbanistësh, mjedisorësh, por mbi të gjitha  një kongres qytetarësh (Referendum). Po të vazhdohet kështu atëherë çdo komunitet tjetër si Bahaëai, Bektashinjtë nesër do të kërkojnë të ndërtojnë objekte kulti në qendër të Tiranës. Unë bëj apel, larg duart nga qendra e Tiranës, ku janë akoma në MENDJE të fshehta me dhjetëra objekte të tjera në hije që duan të ndërtohen. Ka. Akoma mendje të fshehta që duan të ndërtojnë pas “Skënderbeut” gradaçiela të tjera. Objektet në qendër të Tiranës nuk duhet të kalojnë kurrë lartësinë e përmendores së Skënderbeut, s’duhet të kalojnë kurrë lartësinë e Kullës së Sahatit, apo minares së xhamisë në qendër, as kubenë e kishës. Ky është rregull urban.

Po ja është 15 -katëshi që është bërë?

Ato gabime i përkasin së kaluarës dhe nuk duhen përsëritur. Pra nuk duhet të bëhen gabime të njëjta. Po të vazhdojmë kështu brezat do të na mallkojnë sepse kemi ndërruar veprat urbane më të larta se objektet e shpirtit. Në 500 metra larg që të ha syri duhet të shohësh o kullë sahati, o minare, o “Skënderbe”, o kube kishe.