Dr Ina K. Zhupa, zëdhënësja e PD-së: Erion Veliaj është mashtrues serial dhe i rrezikshëm

567
Sigal

Dr. Ina Zhupa, zëdhënësja e PD-së, përgënjeshtroi deklaratën e kryebashkiakut Veliaj, se Lulzim Basha si Ministër Transportesh bëri ligj të ri që fëmijët të paguajnë biletë autobusi, duke thënë, midis të tjerave se ky është një mashtrim skandaloz. Dr. Ina Zhupa, zëdhënësja e PD-së:

Erion Veliaj është një mashtrues serial dhe i rrezikshëm, një kryebashkiak që nuk u shërben qytetarëve, por vetëm interesave për pasurimin e vet personal dhe interesave të klientëve të tij dhe të Edi Ramës. Mashtrimi i Erion Veliajt, se Lulzim Basha si Ministër Transportesh bëri ligj të ri, që fëmijët të paguajnë biletë autobusi është skandaloz. Ligji i transportit është i vitit 1998 dhe prej atëherë ai ka ndryshuar 10 herë, duke nisur nga viti 2002 deri në vitin 2016. Ligji respekton autonominë e bashkive për t’u siguruar banorëve transport brenda qytetit dhe fëmijëve transport falas. Gjatë drejtimit të bashkisë nga Lulzim Basha linjat urbane u shtuan, fëmijët nuk paguan biletë dhe çmimi për qytetarët nuk u rrit. Gjatë drejtimit të bashkisë nga Erion Veliaj çmimi i biletës u rrit me 100 lekë dhe po bëhet fushatë mediatike për të bërë me pagesë biletat e fëmijëve. Përpara se të mashtrojë qytetarët e Tiranës, Erion Veliaj, duhet të përgjigjet se për interes të kujt po luan lojën disa milionë euroshe të biletave për fëmijët. Erion Veliaj është mashtrues serial dhe i rrezikshëm, sepse gënjen publikisht për leje ndërtimi për komplekse pallatesh në kohën e Lulzim Bashës tek Stacioni Multimodal. E vërteta është se projekti Basha nuk parashikonte asnjë metër katror leje ndërtimi për kompleks pallatesh. E vërteta është se Erion Veliaj u shërben oligarkëve si Salillari, duke pranuar që buxhetit të bashkisë t’i shkojnë vetëm 5 për qind të ardhurave nga koncesionari, në vend të 15 për qind, që parashikonte projekti i Lulzim Bashës. Erion Veliaj është mashtrues serial dhe i rrezikshëm, sepse, ndryshe nga deklaratat e tij, në vendimet e këshillit Bashkiak nuk ka pasur deri tani, nuk ka as sot një vendim për të kthyer në shkollë zyrat e UKT-së. Tenderët disa milionësh që ka ndërmend të bëjë Erion Veliaj për UKT-në, nuk mund të fshehin të vërtetën se në godinën ku ndodhen zyrat e ujësjellësit në njësinë 8, më përpara kanë qenë zyra të Policisë. Erion Veliaj nuk është kryebashkiaku që meritojmë! Modeli i Erion Veliajt nuk është model i zhvillimit, por është simbol i mashtrimit dhe abuzimit me pushtetin. Ky model po braktiset çdo ditë nga qytetarët! Prandaj Erion Veliaj dhe shefi i tij Edi Rama, sot kanë aleatë vetëm mafian e ndërtimit dhe të drogës.