Dëshmia e Fredi Alizotit, Basha: Të gjithë shqiptarët e panë fytyrën e këtij shteti privat!

533
Sigal

Kreu i PD-së, Lulzim Basha përmes një deklaratë për mediat ka folur për herë të parë për videon  e publikuar nga deputeti i PD-së Ervin Salianji. Duke iu referuar dëshmisë së Alizotit,  Basha thekson se prokurorët po falsifikojnë çdo gjë në shërbim të këtij shteti privat. Ai nuk kursen akuzat ndaj drejtuesve më të lartë të Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, Arta Markut dhe Ardi Veliut, të cilët i cilëson në shërbim të shtetit të privatizuar nga Rama dhe pjesë e këtij inskenimi, për të mbrojtur Agron Xhafaj.

“Mbrëmë të gjithë shqiptarët panë fytyrën e këtij shteti privat. Prokurorë që falsifikojnë prova për të shpëtuar kriminelët. Drejtues dhe pjesë të kësaj strukture dhe inskenimi janë padyshim edhe Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku.

Marku, Xhafaj, Drejtuesi i Policisë së Shteti, Ardi Veliu kanë manipuluar të vërtetën për të mbrojtur një trafikant droge, Agron Xhafaj. Ata vendosën shpërfytyrimin.
Është i njëjti shtet privat që ka manipuluar gjithçka për të mbrojtur Rrahman Rajën. Ata bënë gjithçka për të shpëtuar dhunuesin sadist Rexhepin dhe mbrojtësin e tij, Taulant Balla. Ku shteti sulmon gazetarët, denoncuesit të ndershmit, për të shpëtuar kriminelët politikanët e lidhur me krimin tregojnë se jemi në kushtet një diktakture. Me Fatmir Xhafaj nuk do kemi kurrë luftë kundër krimit. Dje i gjithë shteti ishte në mbrojtje të bandës së Habiljave.  Emërimi i Arta markut ka rezultuar një katastrofë për drejtësinë dhe luftën kundër krimit . Arta Marku ka shkatërruar Krimet e Rënda duke varrosur hetimet për Tahirin”, tha ai.

Kujtojmë që Ervin Salianji mbrëmjen e djeshme, publikoi edhe një video-përgjim që hidhte poshtë versionin e prokurorisë, në lidhje me komunikimin me telefon të dëshmitarit X me Alfred Alizotin.

Në pamjet e transmetuara, Alizoti nuk e di se po regjistrohet thotë se është marrë në makinë nga Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe është dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në mënyrë që të pranojë versionin që i shkon për shtat mazhorancës. Alizoti tha se Taulant Balla i ka ofruar 200 mijë euro dhe me të ka pirë një kafe tek prokuroria.