Deputetët e kuvendit si gladiatorët e arenave

160

Lulzim Basha: Rama, përgjegjës për skenarin e dhunës. PS: Basha të dënonte aktin

Debatet e ashpra mes maxhorancës e opozitës janë zëvendësuar me përleshje fizike dje në Kryesinë e Kuvendit, ku po zhvillohej mbledhja e Komisionit të Ligjeve. Një pyetje ironike e deputetit Gent Strazimiri, drejtuar ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, është bërë shkas që disa minuta më vonë, jashtë ambienteve të Komisionit të Ligjeve të degjeneroj një konfrontim fizik mes ligjvënësve. “Në rastet, kur Komisioni i Ligjeve ngarkon Armandon të thërrasë dikë për punë diplomatike, historia konkludon që Xhemali e Pirro të bëjnë një inspektim atje pastaj një peticion nga masat dhe shkarkohet dhe është shkarkuar. Rasti i Zana Xhukës. E shikoni si zgjidhje këtë, që Xhemali me Pirron të shkojnë në KLD të vijë një fletërrufe nga populli e të shkarkohet KLD?!”,- u shpreh Strazimiri. Më pas deputetët e maxhorancës Pirro Lutja, Xhemal Qefalija dhe Armando Prenga janë përplasur fizikisht me deputetin demokrat Gent Starzimiri.  Bëhet e ditur se, ka qenë deputeti socialist i Lezhës, Armando Prenga ai që ka qëlluar me grusht deputetin demokrat Strazimiri. Është dashur vetëm ndërhyrja e Gardës për të qetësuar situatën. Kjo deklaratë është pasuar me konflikt verbal në korridorin e Kryesisë së Kuvendit, që është shndërruar më pas në përplasje fizike. Më pas, opozita ka braktisur Komisionin e Ligjeve, duke e cilësuar këtë si një situatë të paprecedentë.

 

Basha: Qeveria po ushtron dhunë ndaj opozitës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli dje në një konferencë për mediat, ku akuzoi qeverinë se po ushtron dhunë ndaj opozitës, duke e konsideruar si një rrezik për demokracinë. Kryetari i PD-së Basha, duke marrë shkas nga konflikti fizik ku u përfshi deputeti, Gent Srazimiri me deputetët e opozitës, pohoi se: “pas këtij akti banditesk, qëndron Kryeministri Edi Rama dhe banda e tij, në përpjekje për të mbyllur gojën e deputetëve të Partisë Demokratike”. ”Në emër të Partisë Demokratike dhe të opozitës shqiptare “, tha Basha “dënoj këtë akt banditesk dhe skenarin e kryeministrit që kërcënon drejtpërdrejtë deputetët e opozitës”. “Ky është një skenar i rrezikshëm që Kryeministri po mundohet ta zbatojë në vend”,- tha Basha, duke vijuar se: “Partia Demokratike, do të triumfojë sërish mbi kartelin e drogës”.

 

Strazimiri: Provokim, Prenga i dënuar disa herë në Itali

Pas sherrit ka ardhur dhe reagimi i deputetit Strazimiri. Përmes rrjetit social “Facebook”, deputeti demokrat thotë se, kjo situatë ishte vazhdim i provokimit të parë me 9 prill të këtij viti nga katër kolegë të maxhorancës të drejtuar nga Prenga, të cilin e etiketon si një person të pluridenuar në Itali për thyerje vilash, drogë dhe prostitucion.“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen të nderuar miq të majtë e të djathtë. Ishte një situatë, e cila nuk më gjeti të papërgatitur, pasi provokimin e parë e kam patur në datë 9 prill të këtij viti, nga të njëjtët individë, 4 deputetë të PS, nën drejtimin e Armando Prengës, person i pluridenuar në Itali për thyerje vilash, drogë dhe prostitucion! Për këtë arsye e kam denoncuar të nesërmen me 10 prill në fjalën time ne Kuvend, duke i bërë thirrje Edi Ramës që: “Eksperienca e burgaxhinjve që ke futur në Kuvend, nuk të ndihmon në rrugën e integrimit” dhe se: “Reduktimi i Parlamentit në një vend konflikti mes bandave rivale në një kaush burgu” nuk është zgjidhje e hallit të tij (minuta 3.39)”,- shkruan ai.

Ndërkaq Strazimiri shton se, sulmi ndaj tij i shton më tepër vendosmërinë për të mos e lënë këtë vend në dorë të narko-trafikantëve. “Sulmi ndaj meje (për fat të mirë pa asnjë pasojë), vetëm se më shton vendosmërinë që këtë vend të mos ia lemë narko-trafikantëve, ata nuk mund të jenë modeli “edukativ” i fëmijëve tanë! Kjo është një çështje që duhet të bashkojë çdo shqiptar të ndershëm pavarësisht bindjeve politike!Ju faleminderit edhe një herë për mbështetjen ndaj meje dhe kolegëve të opozitës!”,- përfundon Strazimiri.

Sherri në Kuvend, grupi parlamentar i PD-së, kallëzim penal për tre deputetët e PS-së

 Pas sherrit të sotëm mes deputetëve Gent Strazimiri, Xhemal Qefalia dhe Armando Prenga grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e përgjithshme ndaj deputetëve të maxhorancës për “Goditje për shkak të detyrës”. Grupi parlamentar i PD-së ka kallëzuar penalisht deputetët Armando Prenga, Xhemal Qefalia dhe Gentian Bejko. Në kallëzimin penal drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se, deputetët e maxhorancës të përmendur më sipër e kanë ndjekur nga pas, dhe pasi e kanë fyer për shkak të detyrës dhe fjalës së mbajtur në mbledhje, e kanë agresuar fizikisht deputetin Strazimiri. “Në datën 27 Maj 2014, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Gent Strazimiri, anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ka qenë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, duke shqyrtuar dhe diskutuar mbi çështje brenda rendit të ditës sipas Rregullores së Kuvendit. Për një moment është larguar nga salla e mbledhjes për një pushim të shkurtër në korridorin e katit të II të Kryesisë së Kuvendit. Pa asnjë shkak dhe në mënyrë kriminale, 3 deputetë të Partisë Socialiste, konkretisht Armando Prenga, Xhemal Qefalia, dhe Gentian Bejko, e kanë ndjekur nga pas, dhe pasi e kanë fyer për shkak të detyrës dhe fjalës së mbajtur në mbledhje, e kanë agresuar atë fizikisht. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, pas deklarimeve të deputetit Gent Strazimiri dhe pamjeve filmike të qarta të transmetuara nga mediat, denoncon këtë veprim kriminal të kryer nga këto tre shtetas, si një agresion tërësisht penal dhe me prapavijë të qartë politike, me synimin që me dhunë të bëjnë opozitën parlamentare të hesht.”,- thuhet në kallëzimin penal.

 PS: Opozita ka adoptuar politikën e Penelopës, Basha të dënonte aktin

 Selia rozë ka reaguar pas deklaratave të kreut të PD-së, Lulzim Basha, për incidentin mes deputetëve Strazimiri dhe Prenga. Në një dalje për mediat, deputetja socialiste Olta Xhaçka tha se, Basha në vend që t’i faturonte maxhorancës shfaqen e turpshme në parlament, duhet ta dënonte aktin. Duke dënuar incidentin mes deputetëve, Xhaçka u bëri thirrje deputetëve të tregohen të përgjegjshëm dhe të respektojnë rregullat dhe etikën parlamentare. “Opozita tashme prej javësh ka vendosur të bëj gjithçka për të prishur imazhin e vendit, sidomos duke pasur parasysh se jemi ne fazën me delikate për marrjen e statusit të vendit kandidat. Marrja e statusit është arritje për të gjithë shqiptarët dhe sjellja e opozitës shkon kundër interesave të shqiptarëve. Opozita ka adoptuar politikën e Penelopës, prish natën atë çka ka bërë ditën. Të njëjtin mesazh tentoi të përcillte sot ish kryetari i Bashkisë, sot ne krye të SHQUP-it, kur shfaqjen e turpshme në parlament nxitoi t’ia faturonte maxhorancës, ndërkohë që shfaqje të tilla thjesht dhe vetëm duhen dënuar, pasi asnjë deputet që angazhohet në konflikt nuk mund të justifikohet, as kur ndodh si sot që një deputet i maxhorancës goditet i pari nga një deputet i opozitës. Parlamenti është vendi i debatit dhe tolerancës. Ne si maxhorancë e kemi treguar qasjen tonë të re, duke i dhënë opozitës sot gjithçka na ka munguar ne në parlamentin e djeshëm. Duke e dënuar aktin e ndodhur sot, i bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të tregohen të përgjegjshëm dhe të respektojnë rregullat dhe etikën parlamentare”,- përfundon fjalën deputetja Xhaçka.