Çmimi i Energjisë elektrike rritet. PD: Gjiknuri gënjeu qytetarët

490
Sigal

Gjiknuri pohon rritjen e çmimit: Çështja e çmimit të energjisë është një çështje e Entit Rregullator të Energjisë

Tashmë është një fakt që çmimi i energjisë elektrike do të rritet, ndryshe nga çfarë u është premtuar qytetarëve nga kjo Ministria e Industrisë dhe Energjetikës.  Gjatë një deklarate për shtyp Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri, pyetur rreth rritjes së çmimit të energjisë është shprehur se, me këtë çështje merret Enti Rregullator i Energjisë dhe se vetëm familjet në nevojë nuk do të preken, çka ka pohuar fare qartë rritjen e saj.  “Duhet të kuptoni që kostot e energjisë në Shqipëri janë rritur për shkak të keqmenaxhimit, eliminimit të aseteve publike. Çështja e çmimit të energjisë është një çështje e Entit Rregullator të Energjisë, por një gjë dua të them: ne si qeveri, në çdo rast, me politikat tona do të mbrojmë konsumatorët në nevojë. Kjo do të thotë se konsumatorët që janë në gjendje të varfër, familjet shqiptare në nevojë, nuk do të preken nga kjo reformë në sektorin e energjisë elektrike”. Rreth kësaj çështje ka reaguar dhe PD me anë të deputetes Jorida Tabaku, e cila pohoi se: “Ndonëse, sipas tij, “një lajm i mirë”, siç e quajti ministri Gjiknuri kalimin në qeveri të marrëveshjes së huas me Bankën Botërore prej 150 milionë dollarësh, zëri i tij i mekur i përforcoi edhe më shumë lajmet e këqija të mëposhtme për shqiptarët: Çmimi i energjisë do të rritet! Është saktësisht ajo që Partia Demokratike ka paralajmëruar prej muajsh. Çmimi do të rritet paçka shakasë së hidhur të Gjiknurit se do të ketë rritje, por konsumatori familjar do të mbrohet. Se si i mbron kjo qeveri konsumatorët në Shqipëri, tashmë e di i madh e i vogël. Gjiknuri u rrek të lajë duart duke thënë së çmimi do të rritet sepse kështu mendon Enti Rregullator, por sot gjithkush e ka të qartë se i vetmi “ent rregullator” që kërkon të rrisë çmimin është qeveria shqiptare. Gjiknuri u rrek t’ u hedhë hi syve shqiptarëve duke u kujtuar atyre se rritja e fundit ka ndodhur para 4 vitesh, se regjimi që nuk rriste çmimet iku dhe tani ata duhet të mësohen me rregullat e reja të tregut të Gjiknurit dhe shefit të tij, Rama”, u shpreh Tabaku. Njëkohësisht Tabaku akuzoi ministrin edhe për huan që po merret për sistemin energjetik “Gjiknuri tha se huaja po merret për të reformuar sistemin energjetik, por nuk denjoi t’ ju shpjegonte shqiptarëve se përse një shumë pothuaj të njëjtë me këtë hua i’ a pagoi CEZ-it dhe një tjetër të paktën 4-fishi i saj, me detyrime të papaguara i’ a fali kompanisë çeke? Gjiknuri me dashje ngatërroi privatizimin e 4 hidrocentraleve, të cilat jepnin me pak se 3% të prodhimit të vendit, me gjoja një nga shkaqet për rritjen e çmimit të energjisë sot”. Po ashtu Tabaku u shpreh se Gjiknuri mashtroi shqiptarët kur tha se çmimi do të rritej nga keqmenaxhimin i qeverisë së mëparshme “Ai u rrek të mashtronte shqiptarët duke ju thënë së çmimi do të rritet nga gjoja keqmenaxhimi i qeverisë së mëparshme duke harruar se ka një vit në atë karrige dhe përveç faturave aforfe, faturimeve fiktive nga zyra, përveç skandalit me CEZ dhe skandaleve të tjera që do të bëhen publike së shpejti nga opozita, asgjë të re, asnjë reformë, asnjë strategji e asnjë plan për të rregulluar sektorin energjetik, nuk ka. Këto janë të vërtetat për shqiptarët. Sigurisht që nuk ndjejmë kënaqësi kur themi se e kishim paralajmëruar, por kjo është e vërteta e hidhur”,- u shpreh deputetja Jorida Tabaku.