Braçja i tregon muskujt Manjës, për kompetencat e Ligjit

166

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe, është grindur me Ulsi Manjën, kryetarin e Komisionit Parlamentar të Çështjeve Ligjore, për mosmarrëveshje për kandidatët në Komisionin e Prokurorit Publik. Kandidatët e Prokurorit Publik janë kompetencë e Komisionit të Ekonomisë, por në kalendar ishte parashikuar që propozimi i tyre të kalonte për dhënie mendimi edhe te Komisioni i ligjeve. Kjo procedurë nuk i ka pëlqyer Erjon Braçes, që drejton ‘Ekonominë’.

Erion Braçe: Shikoj se është rikthyer procedura për propozimin e kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik dhe shoh se komision përgjegjës është ngarkuar Komisioni për Ekonominë dhe Financat dhe komision për dhënie mendimi është ngarkuar Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Nuk e kuptoj se çfarë do të vlerësojë Komisioni i Ligjeve, do të bëjë seancë dëgjimore më vete?

Ulsi Manja: Unë nuk shoh asgjë të keqe këtu, sepse ne jemi komision për dhënie mendimi dhe kemi Nën/komisionin për Administratën Publike. Gjithsesi, nëse Erioni nuk do të kalojë te komisioni ynë, ne nuk kemi ndonjë merak të madh, se komision për dhënie mendimi jemi.

Erion Braçe: Mua nuk më intereson fare meraku i kurrkujt. Mua më intereson zbatimi i ligjit. Në qoftë se ligji për prokurimin publik ka ngarkuar Komisionin për Ekonominë dhe Financat për këtë gjë, këtë punë duhet ta bëjë ky komision dhe kaq.