Berisha: Soros të shpallet “non grata”, korrupton politikanët

513
Reforma në drejtësi

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi miliarderin Xhorxh Soros për ndikim në hartimin e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe kërkoi shpalljen e tij “non grata”. Duke folur nga Çadra e Lirisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Berisha tha, se një e vërtetë e madhe po del sot si drita e diellit para shqiptarëve e do të dalë edhe më shumë. “Në vitin 2014, presidenti Bujar Nishani thirri të gjitha forcat politike për të bërë reformën në drejtësi. Natyrisht, presidenti Nishani i thirri për t’i inkurajuar, reformën do ta bënin forcat politike, por ai i thirri për t’i nxitur dhe për të vënë në lëvizje këtë mekanizëm. Menjëherë reformën e mori Edi Rama në dorë dhe akti i parë, përjashtoi opozitën! Çuditërisht, në krah të Edi Ramës, për pa nevojë për opozitën u rreshtuan edhe Guvernatorja, edhe në njëfarë mënyrë, për hir të së vërtetës më pak, ambasadori Lu, por Vlahutin me deklarata të njëpasnjëshme, aq sa u detyrova t’i përgjigjem, se ti me këto deklarata çon drejt stabilizimit, Shqipërinë!”, tha Berisha. Ish-kryetari i PD-së u shpreh, se draftin e reformës e hartuan me specialistë të huaj, natyrisht majmërisht të paguar nga Xhorxh Soros. Ai e cilësoi Sorosin si “kryekorruptor në botën e lirë, njeriu që përdor bilionët për të korruptuar politikanët”. Berisha tha se marrëveshjen e shkelmojnë vetëm ata që janë zuzarë, njeriu i qytetëruar nuk e shkelmon kurrë marrëveshjen, pavarësisht nga çmimi që mund të ketë. “Me urdhër të Xhorxh Sorosit, Edi Rama shkeli marrëveshjen, me urdhër të Xhorxh Sorosit u votuan të gjitha ligjet pa opozitën, me urdhër të Xhorxh Sorosit ligjet u rikthyen ashtu siç i donte Edi Rama duke shkelmuar plotësisht Kushtetutën”, tha ish-kryeministri. Gjithashtu, Berisha i bëri thirrje Senatit Amerikan, Kongresit Amerikan të bëjë ligje që t’i ndalojë çdo veprim Sorosit, “kësaj mostre në demokracitë e reja, në të cilat ai favorizon krimet, favorizon bandat, favorizon regjimin e banditokracisë”. “I bëj thirrje PE të hetojë tentakulat e tij në KE e kudo dhe të ndërpresë veprimet e tij. Një njëri si ai meriton vetëm një ‘non grata’ kudo”, tha ish-kreu demokrat.
Sigal