Vettingu, mazhoranca ndryshon mendje: Nuk do të ketë aplikime të reja

712
Kuvendi përcakton, që Avokati i Popullit do të bëjë vetëm plotësimin e dokumenteve të kandidatëve aktualë

Kuvendi miratoi dje, vetëm me votat e mazhorancës, një ndryshim tjetër lidhur me procesin e Vettingut, të shumëdiskutuar në qarqet politike dhe opinionin publik. Dhjetë ditë më parë, Kuvendi ishte shprehur se Avokati i Popullit duhet të niste një proces të plotësimit të dokumenteve për kandidatët e përfshirë në ngritjen e komisioneve të Vettingut. Gjithashtu, deputetët, për shkak të numrit të vogël të kandidatëve, i kishin kërkuar Avokatit të Popullit që të rihapte procesin e aplikimeve të reja. Ndërkohë, me vendimin e djeshëm për procedurat e anëtarëve të komisioneve të Vetting-ut, me 74 vota pro u vendos ndalimi i rihapjes së procesit për aplikime të reja, siç ishte përcaktuar 10 ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë. Tashmë pritet që Avokati i Popullit të bëjë vetëm plotësimin e dokumenteve për kandidatët, të cilët kanë nisur procesin. Sipas vendimit të Kuvendit, Avokati i Popullit njofton kandidatët që nuk kanë plotësuar kriteret formale për riplotësimin e dokumentacionit. “Kandidatët, brenda 7 ditëve nga dita e dorëzimit të dosjeve pranë këtij institucioni, paraqesin dokumentacionin e nevojshëm për riplotësim të dokumentacionit përkatës”, thuhet në vendim. Vendimi për rikthimin e procesit të Vettingut në zyrat e Avokatit të Popullit, sipas propozuesve, synon të garantojë një proces përzgjedhjeje të anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit konkurrues, efektiv dhe real. “Bazuar dhe në konstatimin e ONM, përcjellë me shkresë në datën 3 mars 2017 Avokatit të Popullit, sipas të cilit një numër i lartë mes aplikantëve duket se të paktën në letra ka përvojën përkatëse profesionale, por nuk ka paraqitur vërtetimet e nevojshme, vendimi synon krijimin e një mundësie për këta kandidatë në plotësimin e dokumentacionit”, thuhet në relacionin shoqërues. Pas, verifikimit të të gjithë aplikimeve për pozicionet e institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Avokati i Popullit ka verifikuar në tërësi 192 aplikime, nga të cilat 29 aplikime kanë përmbushur kriteret formale për secilin pozicion të parashikuar nga ligji. Ndërkohë 163 aplikime nuk kanë përmbushur kriteret formale të përcaktuara nga ligji për secilin pozicion. Sipas ONM-së, vetëm 21 kandidatë, ndër rreth 200 aplikime, arritën të kalonin në sitën e vlerësimeve të Avokatit të Popullit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Megjithatë ky numër është më i ulët se vendet në strukturat e Vettingut. Sipas ONM-së, 79 aplikantë mund ta plotësojnë dokumentacionin. Pas mbylljes së procesit nga Avokati i Popullit, Kuvendi duhet të mblidhet në seancë plenare për të vendosur ngritjen e dy komisioneve të përbashkëta mazhorancë-opozitë. Në këto komisione do të bëhet procesi i përzgjedhjes së kandidaturave, përpara dërgimit të tyre për votim në seancë. 

Kandidatët që plotësojnë kriteret formale
1 – Albana Shtylla, Kolegji i Apelimit.
2 – Alma Faskaj (Vokopola), për të gjitha pozicionet.
3 – Betula Toto, aplikon për të gjitha pozicionet, por plotëson kushtet vetëm për Komisioner Publikë.
4 – Dedë Kasneci, aplikon për të gjitha pozicionet, por plotëson kushtet vetëm për Komisioner Publikë.
5 – Donald Xhelili, për të gjitha pozicionet.
6 – Eljona Lloja, aplikon për të gjitha pozicionet, por plotëson kushtet vetëm për Komisionere Publike.
7 – Elvis Zaimi, për të gjitha pozicionet.
8 – Erin Çaku, për të gjitha pozicionet.
9 – Ermira Deçka, Kolegji i Apelimit.
10 – Firdes Shuli, për të gjitha pozicionet.
11 – Florian Ballhysa, aplikon për të gjitha pozicionet, por plotëson kushtet vetëm për Komisioner Publik.
12 – Ina Rama, kolegji i Apelimit.
13 – Irena Nino, për të gjitha pozicionet.
14 – Kestrin Katro, Kolegji i Apelimit.
15 – Klara Mullaj, për të gjitha pozicionet.
16 – Lindita Xhillari (Hanku), Komision i Pavarur i Kualifikimit.
17 – Lulzim Hamitaj, për të gjitha pozicionet.
18 – Mimoza Tasi, për të gjitha pozicionet.
19 – Monika Meça, Kolegji i Apelimit.
20 – Nejla Peka, për të gjitha pozicionet.
21 – Nertila Sadedini, për të gjitha pozicionet.
22 – Olsi Komici, për të gjitha pozicionet.
23 – Orjela Shishi, aplikon për të gjitha pozicionet, por plotëson kushtet vetëm për Komisionerë Publikë.
24 – Rezarta Abdiu, aplikon për të gjitha pozicionet, por plotëson kushtet vetëm për Komisionerë Publikë.
25 – Rezarta Tahiraj, Kolegji i Apelimit.
26 – Rozeta Ivanova, Komision i Pavarur i Kualifikimit.
27 – Shpresa Beçaj, Kolegji i Apelimit.
28 – Sokol Çomo, Kolegji i Apelimit.
29 – Valbona Sanxhaktari, për të gjitha pozicionet.
Bllokimi 10-ditor dhe paqartësia e dosjeve
Që kur Parlamenti vendosi të kthejë procesin e rivlerësimit për kandidatët e organeve të Vettingut kanë kaluar 10 ditë, por deri tani nuk ka nisur asnjë veprim për verifikimin e aplikantëve, të cilët janë kualifikuar dhe u mungon një pjesë e dokumentacionit. Për disa ditë, Avokati i Popullit i ka bërë rezistencë Kuvendit për të marrë dosjet në dorëzim, derisa dosjet u protokolluan të gjitha në fillim të javës. Por pavarësisht marrjes në dorëzim, Avokati i Popullit nuk ka nisur ende procesin e verifikimit dhe as e rihapi thirrjen për kandidatët e rinj, proces që me ndryshimin e djeshëm nga Kuvendi nuk do ta realizojë. Avokati i Popullit, sipas raportimeve të medias, është shprehur se më parë i duhet të inventarizojë çdo dokument që gjendet në secilën prej dosjeve, në mënyrë që asnjë prej aktorëve të përfshirë në proces të mos këtë pretendime për korrektësinë e procedurave nga Avokati i Popullit. Për ta kryer këtë proces, Avokati ka kërkuar një grup të përbashkët pune me Kuvendin. Nëse nuk do të ketë shtyrje të tjera, edhe pas vendimit të djeshëm të Kuvendit, procesi i verifikimit të kandidatëve aktualë për organet e Vettingut, do të mbyllet nga Avokati i Popullit në fund të marsit. 
PD nuk merr pjesë në proces
Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në procesin e ngritjes së strukturave të Vettingut. Demokratët kanë kundërshtuar mënyrën e hartimit të ligjit pa konsensus dhe janë shprehur për ndryshimin e tij. Partia Demokratike ka kritikuar edhe përfshirjen e disa strukturave qeveritare në procesin e verifikimit të figurës së gjyqtarëve e prokurorëve. 
Sigal