Berisha: Meta, jo përgjegjës për dështimet e qeverisë

501
Ish-kryeministri Sali Berisha ka thënë për herë të parë nga studio e “ABC News” përse Lulzim Basha nuk e sulmon kryeministrin Edi Ramën. Për ish-kryeministrin, fushata e PD-së është përqendruar tek ekonomia dhe punësimi. Në intervistën e dhënë Berisha u shpreh është komod me mospraninë e tij në fushatën elektorale. Sali Berisha ka folur mbrëmjen e djeshme edhe për bashkëpunëtorët e tij më të afërt, të mbetur jashtë listave të kandidatëve për deputetë. Ai tha se të larguarit vijojnë të mbeten miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, edhe pse nuk mundej të ndërhynte që ata të ishin pjesë e listës. “Janë ish-bashkëpunëtorë të mi dhe miq. Në mënyrë absolute nuk kam ndërhyrë ndonjëherë në problemet e brendshme të Partisë Demokratike. Çdo porosi, çdo hap që unë mund të bëj, më nxjerr nga statusi im dhe po bëj përpjekje mos të jem më ai që unë deklarova në 26 korrik të 2013”, ka thënë ish-kryeministri Berisha i pyetur, nëse ndjen keqardhje për të përjashtuarit nga listat e PD-së.

Gjithashtu, Berisha tha se Rama e ka pranuar Bashën për kryeministër, ndërsa nënvizoi se për çështjet e qeverisjes nuk mund të akuzohej Ilir Meta, por kryetari i PS-së. Ai tha se nuk do të ketë një koalicion të madh në Shqipëri, ndërsa shprehu besim te fitorja e Partisë Demokratike. Ish-kryeministri, duke komentuar akuzat që po shoqërojnë fushatën elektorale, tha se kreu i PD-së, Lulzim Basha sulmet i ka më të strukturuara ndaj Edi Ramës. “Ilir Metën nuk mund ta bëjë përgjegjës Basha për dështimet e qeverisë. Nuk mund t’i themi Ilir Metës për mashtrimet e Ramës, pasi nuk premtoi Meta 300 mijë vende pune, rrogën e 13-të, barazimin e pensioneve të qytetit dhe fshatit. Basha nuk synon të jetë kryeparlamentar i ardhshëm i vendit, por kryeministër i vendit”, tha Berisha.

Një fushatë që po perceptohet ndryshe nga të tjerat. Ndryshe në mënyrën sesi artikulohen akuzat, por ndryshe edhe pse s’jeni ju pjesë e fushatës. Si ndjeheni jashtë zhurmës elektorale?
“Komod, pa asnjë keqardhje. Sepse më 26 korrik të 2013 vendosa t’i them lamtumirë lidershipit. Një vendim i marrë me ndërgjegje të plotë. Asnjë lloj imponimi, i përgatitur për vite e vite. Erdhi momenti që isha kryeministër dhe i humba zgjedhjet”.

Katër vite pas tërheqjes, keni qenë në aktiv në Parlament, aktiv në Partinë Demokratike…

“Kam qenë sepse unë deklarova që po dorëzoj funksionet e lidershipit, por jo Sali Berishën. Jam në mbrojte të interesit publik, jam në mbrojtje të qytetarëve”.

Jeni prezent në PD dhe në Parlament, por nuk jeni thjesht si individ, sepse jeni një ideologji. Me pozicionimin në vendin e 7-të me largimin e mbështetësit më të afërt, si ndjeheni për këtë?
“Fushatat udhëhiqen nga liderët dhe ky është Lulzim Basha. Kjo është e prerë. Mund të isha dhe tre vende më lart, edhe pse më poshtë, s’ka asnjë domethënie. Lidhur me listat, kjo është listë e PD, e përpiluar nga kryetari, në të cilën ai beson plotësisht se është më e mira për të fituar zgjedhjet. Ai ka bërë më të mirën e mundshme për të çuar PD drejt fitores”.

Listat tuaja janë shoqëruar gjithnjë me debate…
“Kryetari e ka deklaruar se është lista e fundit që bëhet në këtë formë. Rëndësi ka fitorja. Një fitore që duket në horizont, ndaj një kundërshtari që është i vetmi politikan në 27 vite, i futur në rreth të kuq. Njeri i dështuar në të gjitha premtimet e tij, si thotë dot shqiptarëve që ka ndërtuar një kilometër rrugë. Ndërtoi narko shtet”.

Megjithatë Basha nuk e sulmon Ramën…
“Të jemi realist në këtë pjesë. Janë grupet e mbështetësve, ata falin shumë gjëra. Janë grupe të tjera që përcaktojnë fatet e zgjedhjeve që kanë një set preokupimesh të tjera. Secili aktor politik është i përqendruar në preokupimet e tyre. Lulzim Basha në çdo takim e denoncon krimin. Ka shndërruar në strumbullar të fushatës së tij ekonominë, punësimin, me një revolucion të tërë radikal. Të jesh kryeministër e të të shndërrojnë në gjysmagjel, më mirë të ikësh natën. Edi Rama ia bëri vetes”.
Sigal