“BE pezulloi modelin shqiptar të vetting-ut në Maqedoninë e Veriut”- Deklarata e fortë e Zoran Zaev. Çfarë thotë për mini-Shengenin ballkanik

227

Eksperienca shqiptare me vetting-un në drejtësi dhe problemet që ajo shfaqi kanë detyruar BE të pezullojë aplikimin e të njëjtës reformë në shtetin fqinj, Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri Zoran Zaev pranon se ishte Brukseli, ai që e frenoi në nisjen e këtij procesi: “Unë e pata premtuar në zgjedhje, jo vetting, por atë që e cilësoj njohje e së drejtës për t’u rizgjedhur e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ishte pjesë e programit. Por, kur mora detyrën, BE nuk dha mundësi të nisja procesin. Pse? Sepse ndoshta duhet të ndiqnin si po shkonte në Shqipëri, si do të mbyllej. Ata na thanë se nuk keni njerëz, nuk keni si të plotësoni vendet që do të mbeten bosh”.

Nuk e mohon se bashkimi në të ashtuquajturin Shengen Ballkanik synon shtimin e presionit ndaj Unionit Evropian për të përshpejtuar procesin e integrimit: “Të bësh presion është mirë. Shpresoj, presion pozitiv. Por, ata do të shohin më shumë luftë ndaj korrupsionit. Do të shohin se vlerësojmë taksat e paguara nga qytetarët në Francë apo Gjermani, si ne ndërtojmë rrugë, autostrada, sepse ata kanë shpenzuar shumë para në rajon. Ata do të shohin se ne vlerësojmë. Ne shpresojmë që të ketë impakt pozitiv tek Bashkimi Europian, por më së pari ne e bëjmë këtë për qytetarët tanë”. 

Ai zbulon se ideja e Shengenit Ballkanik lindi gjatë një takimi në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara: “Ne u takuam aty, po pinim verë dhe nisëm të flisnim për këtë. Biseduam për procesin e Berlinit, për integrimin europian, Vuçiç na tha se do të zhgënjeheni, ndërsa ne besonim kaq shumë. Gjatë këtyre diskutimeve, folëm për krijimin e One Stop Shop me Maqedoninë dhe të përgatiteshim dhe me Shqipërinë. Dhe vlerësuam se nuk është mjaftueshëm. Disa e quajnë Mini Shengen, disa Mini Jugosllavi, disa të tjerë nuk e di se çfarë. Është përshpejtim i bashkëpunimit rajonal”.  

Zaev konfirmon se asnjëherë nuk e ka mbështetur idenë e ndarjes së Tiranës dhe Shkupit në rrugën drejt BE: “Ka patur shumë diskutime nga vendet anëtare. Kur më kanë pyetur, qëndrimi im ka qenë: mos e bëni këtë. Ne duhet të shkojmë bashkë. Pse të diskutojmë? Miqtë kujdesen për njëri-tjetrin”.

Mik konsideron dhe Edi Ramën dhe thotë se nuk kishte arsye për të dhënë dorëheqjen, njësoj siç veproi Zaev: “Ishte një situatë ndryshe. Edi ka më shumë shanse të fitojë në Shqipëri. Unë e di, e ndjek, sepse është fqinji im. Unë kam më pak shanse të fitoj në zgjedhje. Shqipëria ka reformat e saj, sukseset e saj. Është ndryshe”.  

Zoran Zaev këmbëngul disa herë se është krenar që ka mbështetjen e shqiptarëve dhe shfaqet opotimist se njësoj do të jetë edhe në zgjedhjet e ardhshme.