Basha thirrje qytetarëve: Zbllokoni rrugën e mbyllur të koalicionit të Ramës me krimin, më 16 shkurt

446
Sigal

Dje nga Lezha kryetari i PD-së Lulzim Basha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e opozitës në 16 shkurt, për të mirën e tyre.

Basha: Ne jemi gati t’ju shërbejmë dhe ju duhet të jeni gati të merrni fatin në dorën tuaj. Zhbllokoni rrugën e mbyllur të koalicionit të Edi Ramës me krimin dhe oligarkinë. Tani ka ardhur koha që populli të marrë në dorë fatin e tij. Dy janë objektivat tona madhore:

1- Punësimi dhe mirëqenia e shqiptarëve. 2- Aleternativa e evropiane për futjen e Shqipërisë në Evropë Rruga nuk do të jetë e lehtë, por është plotësisht e mundur kur jemi bashkë me shqiptarët. Ne do të eliminojmë taksën Rama për naftën. Me ardhjen tonë në pushtet që ditën e parë karburanti do të jetë 300 lekë më lirë se sot. Ne do të vendosim fashën mbrojtëse për energjinë elektrike për të gjithë shqiptarët. Do të ulim çmimin e energjisë për biznesin. Taksat do t’u jepen shqiptarëve, me shkolla dhe spitale që funksionojnë. Do t’i kthejmë ndihmën ekonomike atyre që iu është hequr. Nuk do të lëmë asnjë familje pa bukë, pa ujë, pa drita. Ne kemi një plan, këto nuk janë premtime. Planin tonë do e vëmë në jetë me votën tuaj. Këtë vendim e merr populli i bashkuar. Ftoj Lezhën dhe të gjithë Shqipërinë më 16 shkurt në mes të Tiranës. Të çlirojmë Shqipërinë nga kjo e keqe, për një ndryshim që do të sjellë mirëqenie, punësim, stabilitet. Ndryshimit që do të sjellë hapjen e rrugës evropiane.