Basha rrit tensionin: Asgjësim trafikantëve të drogës

458
Kryetari i Partisë Demokratike bën thirrje për një bashkim masiv të qytetarëve më 13 maj: Edi Rama ka destabilizuar Shqipërinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po destabilizon vendin, duke iu përgjigjur akuzave të qeverisë lidhur me zhvillimet në Kavajë. “Ky është plani kriminal i Edi Ramës, t’iu mohojë shqiptarëve mundësinë për të zgjedhur. Fillimisht, plani ishte t’ua mohonte këtë me opozitën në letrën e votimit, por me krimin dhe drogën në qafën e votuesve. Kur ju, kur ne, u ngritëm më 18 shkurt dhe ia dogjëm këtë plan orgurzi, tani plani tij kriminal është të shkojë në një palë zgjedhjeve të asgjësuara moralisht, politikisht dhe ligjërisht, vetëm me një subjekt politik, me koalicionin e sharlatanëve, hajdutëve dhe kriminelëve, me të cilët qeveris Shqipërinë në këto 4 vite”, u shpreh Basha, duke folur nga çadra e Partisë Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. 

Për Bashën, Edi Rama ka disa ditë që flet për destablizimin e Shqipërisë. “Në fakt Edi Rama e destabilizoi Shqipërinë me themele në këto 4 vite. Faktorët kryesorë të destabilizimit të Shqipërisë janë krimi i ngritur në pushtet, në institucione, me deputetë kriminelë, me kryetarë bashkish kriminelë, me kryepolicë kriminelë, me doganierë kriminelë, me tatimorë kriminelë, me drejtorë kriminelë dhe me njeriun që drejton këtë ushtri krimi dhe droge, që është vetë Edi Rama, projektuesi, arkitekti, përfituesi i Shqipërisë së inkriminuar dhe të droguar”, nënvizoi kryetari demokrat. Sipas tij, Rama i solli kriminelët dhe e mbushi Shqipërinë me drogë, prishi çdo palë zgjedhje që pati në dorë, që nga Korça. “E mbushi Shqipërinë me drogë, ia dorëzoi PS-në e Dibrës kryekriminelëve të Shqipërisë dhe futi duart edhe në zgjedhjet në Kolonjë. Sepse, Edi Rama ka tmerr nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, prandaj projekti i tij i vetëm politik ishte dhe mbetet, shkatërrimi i zgjedhjeve, diktimi i Parlamentit dhe qeverisë së ardhshme, jo nga vota juaj, por nga krimi dhe droga në pushtet. Ky është plani, ky është projekti, këtë ka bërë 4 vite me radhë”, u shpreh kreu i PD-së. Ai shtoi se Rama e ka destabilizuar Shqipërinë, e ka shkatërruar ekonominë, ka rrënuar shëndetësinë, e ka çuar vite e dekada mbrapa arsimin, ka varfëruar shqiptarët. “Ky vend që ne, të gjithë shqiptarët, të djathtë e të majtë, e bëmë anëtare të NATO-s në vitin 2009, ky vend, sot nuk kontrollon dot as kufijtë, as territorin. Sepse kufijtë dhe territori i Shqipërisë janë nën kontrollin e krimit të organizuar, bandave të drogës dhe kupolës së korruptuar kriminale të Policisë së Shtetit e cila s’mund të jetë gjë tjetër veçse zgjatim nga njëra anë i kriminelëve që pasurohen duke shtypur e skllavëruar shqiptarët në industrinë e drogës, dhe nga ana tjetër, e pushtetit të korruptuar dhe kriminal të Edi Ramës”, tha Basha.

Gjithashtu, kryetari i PD-së nënvizoi se Shqipëria është e destabilizuar sepse është në dorë të kriminelëve, sepse policia është në dorë të kriminelëve, sepse shteti është në dorë të kriminelëve dhe të drogës. “Shqipëria është e destabilizuar sepse qytetarët janë në dëshpërim dhe pasiguri totale. Ky nuk e sheh drogën, ky nuk e sheh krimin, ky sheh vetëm opozitën si armik. Dhe çdo qytetar që është ngritur në këmbë për demokraci dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, ose e shan, ose e përbuz, ose e kërcënon. Sepse projekti i kriminalizimit të Shqipërisë, projekti i drogimit të fëmijëve shqiptarë, është vetë projekti politik i Edi Ramës, që ka qenë në gjendje dhe është në gjendje të bëjë gjithçka për pushtetin dhe pasurinë e tij dhe asgjë për ju qytetarë të këtij vendi, qytetarët sovranë të Shqipërisë”, tha Basha.

Gjithashtu, kreu demokrat tha se plani i Ramës është fare i thjeshtë, t’i shmangë të dyja, as zgjedhje të mos ketë, as reformë të vërtetë në drejtësi të mos ketë. “Droga do të marrë fund. Çdokush që do të kapet duke shitur apo ofruar drogë fëmijëve shqiptarë, e pret burgu i gjatë dhe i vështirë. Republika e Re, do të jetë e ashpër me ata që helmojnë fëmijët shqiptarë me drogë, ndaj teksa hedhim themelet e saj dhe rrëzojmë republikën e vjetër, u bëj thirrje kriminelëve që helmojnë fëmijët e shqiptarëve; hiqni dorë sepse do të uronit të kishit litarin në fyt me atë që do t’u bëjmë nëse vazhdoni të helmoni fëmijët tanë. E zeza do t’ju pijë, do t’ju shfarosim. Policia e Republikës së Re do të autorizohet të ndërmarrë të gjitha veprimet, për të trajtuar çdo person që shtrin drogën drejt fëmijëve, njësoj sikur drejton pistoletën drejt policit. Do t’ju asgjesojmë!”, tha Basha. Sipas tij, e reja ka lindur dhe më 13 maj nisim marshimin për ta institucionalizuar, për ta bërë realitet ligjor, kushtetues, institucional, qytetar, popullor kombëtar, Republikën e Re të qytetarëve shqiptarë.

“Votim monist në 18 Qershor nuk do të ketë. Votim pa opozitën nuk do të ketë. Parlament të diktuar nga krimi dhe droga, nuk do të ketë. Ne bashkohemi për të nisur në 13 maj, themelimin e Republikës së Re për çdo qytetare e qytetar shqiptar. Ne njohim dhe do të njohim vetëm këtë Republikë të Re. Bëhuni pjesë e konsensusit popullor për të shembur të vjetrën, shtetin e dështuar, të korruptuar e të inkriminuar e për të ndërtuar së bashku Republikën e Re”, u shpreh Lulzim Basha.
Sigal