Basha fton të pavendosurit: Keni një alternativë

413
Kryetari i PD-së mbyll fushatën elektorale në Kukës e Shkodër. Premtone ulje taksash për të thithur investime

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u kërkoi qytetarëve të Shkodrës të votojnë masivisht ditën e diel dhe të zgjedhin programin e Partisë Demokratike si zgjedhja e vetme për të rritur ekonominë. Basha tha se plani i tij do të ulë taksat për biznesin, do rrisë konsumin do sjellë më shumë para në xhep për qytetarët, do mbështetëse fermerët me para në dorë, do ketë stazhe të paguara për të rinjtë. “Më datë 25 Qershor, këtë të diel të madhe, të këtij bashkimi gjigant të shqiptarëve, ju që nuk e keni ndarë mendjen nuk do të votoni për asgjë tjetër përveçse nëse do të kemi një ekonomi të fortë, apo jo. Nëse do të kemi taksa të ulëta që të rrisim ekonominë, apo jo. Nëse paratë e shqiptarëve do të shkojnë për shkollat e fëmijëve, për shëndetësinë e familjarëve, për Universitetin e Shkodrës dhe rininë me stazhe pune apo për fasada, palma, zyra e për makina. Kjo është zgjedhja që bëni në datën 25 dhe për këtë zgjedhje, ju shkodranë akoma të pavendosur dhe kushdo në Shqipëri që nuk e ka vendosur ende për votën; keni një alternativë, një plan ekonomik, me vulat e këshilltarëve të Angela Merkel, që është plani ekonomik i Partisë Demokratike”, tha Bash. Sipas tij, plani parashikon uljen e TVSH-së që do të çlirojë 400 milionë euro në ekonomi. “Votoni për taksën e sheshtë 9%, me uljen e çmimit të energjisë, me faljen e kamat-vonesave abuzive për të gjithë shqiptarët, me heqjen e lakut në fyt, represionit dhe terrorit mbi biznesin e vogël. Ulja e taksave është thelbësore për investimet e brendshme dhe të huaja, vetëm kështu rritet ekonomia. Ky është mësimi i Evropës. Ky është mësimi i Gjermanisë. Kjo është përpjekja e Presidentit Donald Trump. Ky është programi i Partisë Demokratike dhe ky është zotimi im para shqiptarëve”, tha Basha. Gjithashtu, Lulzim Basha u kërkoi qytetarëve të Kukësit të votojnë programin ekonomik të demokratëve për t’i dhënë fund papunësisë dhe varfërisë. Basha tha se vota për numrin 6 është ndryshimi ekonomik për banorët e Qarkut të Kukësit dhe mbarë Shqipërisë, sepse do të ulen taksat, do rritet konsumi, do jepen para në dorë për fermerët dhe do mbështeten familjet në ndihmë ekonomike. “E vetmja zgjidhje është plani ekonomik i Partisë Demokratike. Është plani im ekonomik i hartuar me ndihmën e ekspertëve më të mirë të lokomotivës evropiane të ekonomisë të Angela Merkel. Objektivi i këtij plani është që shqiptarët, kuksianët, hasianët, tropojanët, të mos ia mbathin nga shtëpitë e tyre për të shkuar në vende të huaja por, këtu në Kukës, Has e Tropojë e në gjithë Shqipërinë të krijojmë kushte për ekonominë e fortë, për vendet e punës që mungojnë. Dhe kësaj do t’ia dalim së bashku. Ndryshimi për të cilin votoni me 25 Qershor është ndryshimi ekonomik”, tha Basha.
Sigal