Basha: Buxheti 2018 të hetohet nga FBI dhe prokuroria

456
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilësoi projektbuxhetin e vitit 2018, të paraqitur nga qeveria, si një plan për pastrimin e parave të drogës. “Këto janë javët e krimit dhe të drogës dhe buxheti është i krimit dhe i drogës, është buxheti i pastrimit të parave të drogës. Njëkohësisht është buxheti i varfërimit deri në palcë të shqiptarëve”, u shpreh Basha. Sipas tij, Edi Rama do ta përdorë 2018-ën për të pastruar miliardat e drogës, të konsorciumit politiko-kriminalo-oligarkik. “Është një trekëndësh, në qendër është Edi Rama dhe qeveria, është një trekëndësh, shtet i kriminalizuar-narko shtet, karteli i drogës (ata që bëjnë kultivimin dhe trafikun e drogës) dhe ekonomia që po kriminalizohet, e përbërë nga oligarkë që pastrojnë paratë e drogës dhe trafikantë që blejnë bizneset e ndershme me paratë e drogës”, nënvizoi Basha. Sipas tij, krimi tashmë nga parcelat e kanabisit në majë të maleve apo në mes të fushave, po zhvendoset në mes të shesheve të Tiranës dhe në të famshmin projekt: “Një Miliard euro“ të Edi Ramës. “14 shkolla të Tiranës, 60 milionë Euro, është një buxhet i tejfryrë. Me 60 milionë Euro, mund të ndërtosh 30 shkolla. Mund të ndërtoheshin minimalisht 25 shkolla të mira. Përse ndërtohen vetëm 14? Dhe përse Bashkia duhet të paguajë dyfishin e interesit që do të paguante normalisht në qoftë se do t’i ndërtonte vetë ato shkolla? Sepse me këtë projekt, sikundër me projektet e koncesioneve në rrugë dhe kudo tjetër, shqiptarët do të paguajnë dyfish çmimin e rrugës, do të paguajnë dyfish qiranë e borxhit dhe do të paguajnë 10-fish pastrimin e parave të drogës”, u shpreh Basha. Sipas tij, projekt-buxheti i 2018-s, jo vetëm politikisht, por edhe ligjërisht, duhet të administrohet nga Prokuroria shqiptare, nga FBI, nga DEA, nga prokuroria italiane, gjermane, si një provë ligjore e implikimit të Edi Ramës në trafikun e drogës dhe pastrimit të parave të drogës.
Sigal