Basha: 27 janari do të tregojë qartë, se qytetarët nuk e duan aleancën e krimit

42
Kreu i demokratëve takime me strukturat e partisë në Lushnje dhe Vlorë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në Lushnjë se një nga pasojat më të rënda të qeverisjes së Edi Ramës me krimin është kriza ekonomike, efektet e të cilës po i ndjen çdo familje shqiptare. Basha tha se: “247 biznese të mbyllura javën e parë të janarit. 13 mijë të mbyllura gjatë vitit të kaluar, po të heqësh të shtunat e të dielat, i bie që janë mbyllur 50 biznese në javë. Edi Rama i ka shpallur luftë njerëzve të thjeshtë të këtij vendi. Rinia është në dëshpërim dhe 70% e atyre që largohen janë të moshës 19 deri në 35 vjeç. Fermerët shqiptarë asnjë kacidhe nuk kanë parë dhe asnjë mbështetje nga shteti.” – u shpreh Basha. Kreu i opozitës tha se pakti i Edi Ramës me krimin po shkatërron reformën në drejtësi për të mbrojtur pushtetin e vet, të cilin e bleu me paratë e drogës së Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit dhe të korrupsionit të ministrave të tij Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Ilir Beqja etj. Kryetari i Partisë Demokratike vuri në dukje se edhe emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm pa veting dhe kundër Kushtetutës është pjesë e projektit të Edi Ramës për kontrollin politik të drejtësisë dhe mbylljen e dosjeve të krimit dhe korrupsionit qeveritar. Basha tha se largimi i Edi Ramës do t’i hapë rrugë një qeverie antimafia, e aftë për të zbatuar reformën në drejtësi, që nuk mbron, por ndëshkon kriminelët e veshur me pushtet dhe ministrat e korruptuar. 

Basha në Vlorë: Rinia gjendet në burgje
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga Vlora kërkoi sërish largimin e qeverisë Rama nga pushteti, pasi sipas tij është e lidhur me krimin dhe drogën. “Kjo qeveri zhduku shpresën, largoi shqiptarët. Varfëroi familjet. Kjo qeveri e ktheu Vlorën në qytetin që njihet vetëm për drogën. Rinia vlonjate gjendet ne burgjet e vendit apo të vendeve fqinje” tha Basha. Kryetari i degës së PD-ja në qytetin bregdetar theksoi se qyteti është i mbuluar nga droga dhe administrata është e çorientuar, ndërsa investimet janë lënë në mes. Basha ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestën e 27 janarit.