Bardhyl Berberi/ Një grusht dheu nga varret e nënave, që nuk i varrosëm dot

686
Shkova para disa ditësh në vorrezat e qytetit për të vendosur një tufë lule tek varri i babit, ai atë ditë kishte datëlindjen dhe ky ishte një ritual që e bëj gjithmonë. Përbri parcelës që ishte varri i babit tim ishte një mesoburrë që kërkonte një varr dhe nuk po e gjente dot. Më zgjati një cigare, duke më pyetur mos e dini gjë ku ndodhet varri Ajetes, nënës së Mondi … që ndodhet në Amerikë? – Ai punon bashkë me mua në Filadelfia dhe nuk erdhi dot në Shqipëri, kur i vdiq nëna para disa muajsh, se nuk ka dokumenta ka hyrë në mënyrë klandestine nga Meksika … Dhe … më ka lënë mua një amanet, t`i coj një grusht dheu nga varri i nënës së tij, që nuk e varrosi dot…
. .U vërtitëm në atë qytezë, pa jetë .Varre të mëdhenj, varre të vegjël varre prej mermeri, prej granite …varre të mbuluar më shkurre, varre të harruar vetëm me një pllakë të thjeshtë, ku ishte vendosur vetëm emri dhe data e lindjes dhe e vdekjes. Prindër të gjorë, harrojini ato çfarë kini bërë për fëmijët tuaj, harrojini ata janë shumë larg edhe për t`ju vënë një tufë me lule. Me ndihmën e përgjegjësit të varrezave, e gjetëm varrin e nënës së emigrantit. Një varr i mbuluar me shkurre ishte fatmirësisht një pllakë e thjeshtë çimentoje, ku ishte shënuar vetëm emri dhe data e lindjes dhe e vdekjes …Më pas, ai nxorri nga një çantë një kurorë me lule plastike, që e kishte sjellë nga Filadelfja ku shkruhej: Më fal nënë, nga djali yt i vetëm, Mondi, që nuk të varrosi dot. “Më pas, ai, sipas amantetit, i ndezi nënës së shkretë një qiri dhe më pas, nga grumbulli i dheut, mbushi një qese plastike për t’ja çuar Mondit …
Jeta tek ne pësoj një inflacion të çuditshëm, si ai i lekut. Të gjithë njerëzit duan të iknin, atdheu nuk ështe më brenda nesh. Drejt një jete të re, drejt një kontinenti të ri. Virtytet njerëzore po marrin përmasa torturonjëse dhe me rastin e fundit me emigrantët në Gjermani. Nuk kishte as një varr, që mund t`i mbante, madje as i nënës, as i veti… Rendën drejt ëndrrës. Gjuha amtare bie si gjethe vyshkur bulevardeve të huaja. Por kush mund të besonte tek zhgënjimi, shqiptari rend në kërkim të vetëvetes së humbur. Këtu atdheu i pistë, larg tij lajmë pjatat e një atdheu të pastër, ku ti, ndonëse je me shkollë të lartë dhe culture, mbetesh i huaj mallkueshmërisht, duke kryer punë të rëndomta. Befas ne ëndërruam një realitet tjetër për të flakur varfërinë e tejskajshme të krijonim pasuri, jo jetë, por para, jo për t’ju dashur jetës, por për të qënë vetë jeta, qëllimi i saj. Ne ende nuk e kuptojmë se ç’nuk duhet të bëjmë dhe ç’duhet të bëjmë… U mashtruam nga një ëndërr e bukur, duke humbur vyrtytet tona. Liria u kuptua që të bësh ç’të dush dhe jo atë që duhet, duke shkelur mbi dhimbjet njerëzore të natyrshme dhe të domosdoshme, dashuritë, drita e tyre, miqësitë, mbrëmjet e sinqerta, dashuria njerzore, humbi dhe humbi aq shpejt, siç ikën një sezon mode, lulëzoj hipokrizaia … Atdheu ynë s’ishte më fat të jetoje këtu, por një fatkeqësi dhe e ardhmja iu besua llotove dhe ikjes klandestine nga atdheu… Po jetojmë në një kohë hamletjane, që mendon të rrosh, apo të mos rrosh, në një kohë pakohë:- të jesh, apo të mos jesh, në një kohë, ku i humburi kërkon të gjeturin, ndërkohë, që i gjeturi nuk gjen dot të humburin. Por, natyrshëm, lind pyetja: Pse të ndodhi kështu tek ne? Ka shumë shkaqe, por dy mbeten kryersoret: Tek ne, të paditurit shesin dituri dhe i padrejti ndan drejtësi …. 
Sigal