Balla, replika me deputetet e LSI: Po bëni kukuvajkat

631
Dy deputetet e LSI-së, Florida Kërpaçi dhe Kejdi Mehmetaj, janë përpjekur të pengojnë kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili po mbante fjalën jashtë ambienteve të Kuvendit. Ndaj kësaj situate ka reaguar Balla, duke i quajtur deputetet, kukuvajka. “Këta janë si puna e asaj me gomarin e do ujin e ngrohtë apo të ftohtë. Ta ekstradojmë, mos ta ekstradojmë. Ju ka zgjedhur mirë Monika, jeni modeli më i keq që ka rinia e sotme. Keni zgjedhur të bëni, kukuvajkat. Populli gjykon e vlerëson. Këta që ishin mësuar të rrinë në pushtet i nxori në opozitë”, tha Balla. Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë: “Populli i Vlorës të gëzojë aeroportin”. Gjatë fjalës së Ballës ka reaguar deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj. “Ne të rinjve na kanë zgjedhur qytetarët, ty dhe Rilindjen ju kanë zgjedhur kriminelët. Vota kundër teksteve falas tregon sa shumë interesoheni për të rinjtë dhe qytetarët. Keni frikë nga fjala e lirë e opozitës, se jeni të kapur kokë e këmbë nga krimi dhe korrupsioni”, tha Mehmetaj. Ndërkohë në krah të dy deputeteve të LSI-së, ndodhej edhe deputetja Nora Malaj, e cila deklaroi se Kuvendi është vendi i fjalës. “Nëse duam të kalojmë dhe të japim alternativa që janë për tekste falas, askush nuk ka të drejtë, as të fyejë dhe as të ndalojë. Parlamenti është i të gjithë atyre që kanë vendosur deri në fund kauzën e së drejtës. Ky oborr dhe ai parlament do jenë foltorja për të zgjidhur problemin dhe jo për të qenë pjesë e problemit. Nëse do kishit dëgjuar sot se çfarë fyerje i bënë deputetët e pozitës deputeteve të opozitës, do të kishit kuptuar se ka mbaruar kodi i etikës dhe ka filluar kodi i luftës dhe i ngacmimit seksist në Parlamentin shqiptar”, tha Malaj.
Sigal