Asambleja e PS-së ndan mjaltin e 23 Qershorit

582
Sigal

Mblidhet Asambleja e PS-së, diskutime për rezultatin dhe ndarjen e qeverisjes me aleatët

Pa mbaruara koma dollitë e festës së fitoreve elektorale, për 23 Qershorin, Partia Socialiste ka njoftuar para ca ditësh mbledhjen e sotme të Asamblesë, ku do të diskutohen rezultatet dhe do të shqyrtohen problemet e qeverisjes së ardhshme duke përfshirë këtu edhe  problemet e organizimit të qeverisjes së ardhshme. Sot Asambleja e PS-së që mblidhet për herë të parë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit do të diskutojë sot për rezultatet elektorale, sukseset dhe vërejtjet kundrejt ndonjë difekti të shfaqur gjatë këtij procesi. Sot Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë nga lokalet në dalje të Tiranës, ku zhvillon tradicionalisht takimet e rëndësishme të saj. Urdhri i Ramës për socialistët është që të gjithë të punojnë gjatë këtyre ditëve, duke sakrifikuar edhe pushimet turistike, 15 ditore. Kjo sakrificë është e detyrueshme sidomos për ata që do të ngarkohen me detyra dhe poste konkrete ministrore.

Ndarja e ministrive

Sepse këtu do të diskutohet edhe për shtimin e numrit të ministrive, ku parashikohet që Ministria e Transporteve dhe Ndërtimit do të ndahet në sy ministri, të cilat do të jenë: Ministria e Transporteve dhe Ministria e Ndërtimit dhe Rrugëve. Po kështu Ministria e Brendshme  do të kthehet në gjendjen e saj siç ka qenë në vitin 2005, para se të fitonte Partia Demokratike, zgjedhjet e qershorit të atij viti. Kështu kjo ministri do të ndahet në Ministrinë e Rendit dhe në Ministrinë e Pushtetit Lokal. Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë, Privatizimeve  Energjetikes (METE) do të ndahet në dy ministri të tjera, të cilat do të jenë, Ministria e Ekonomisë, si edhe Ministria e Energjetikës dhe e Privatizimeve. Gjithashtu diskutohet edhe për mundësinë e ndarjes së Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Sipas opsionit që po diskutohet, kjo ministri mund të ndahet në  Ministri të Kulturës dhe në Ministri të  Rinisë dhe Sporteve. Por diskutimi për ndarjen e kësaj ministrie vazhdon, meqenëse ditët  e fundit janë shtuar edhe argumentet që kjo ministri të qëndrojë ashtu siç është. Partia Socialiste bëjnë të ditur se në orën 11:00, do të mblidhet struktura më e rëndësishme vendimmarrëse e kësaj force, në të cilën bëjnë pjesë deputetët, kryetarët e bashkive të majta dhe kryetarët e degëve.. Këtu do të  marrin pjesë edhe të mandatuarit si deputetë, madje edhe një pjesë e kandidatëve që nuk kanë fituar dot mandatin zgjedhor,  Sipas statutit të Partisë Socialiste, deputetët e zgjedhur janë automatikisht pjesë e Asamblesë Kombëtare. Mbledhja është konceptuar si një diskutim rreth sfidave që shtohen në të ardhmen. Një nga çështjet më të rëndësishme që pritet të ngrihet në mbledhje, do të jetë edhe ndarja e posteve me aleatët. Nga kampi i majtë janë duke diskutuar bashkë me aleatët numrin e ministrave që do të ketë qeveria e ardhshme dhe mënyrën e ndarjes së pushtetit midis aleatëve.

Marrëveshja

Kryesocialisti Edi Rama zhvilloi para zgjedhjeve edhe një marrëveshje me aleatët e tij të vegjël , duke u premtuar se në se do të sigurojnë mbi 10 mijë vota, do të marrin dhe poste kyçe në qeverisje si ministër dhe zëvendësministër. Nëse një parti merr nga 500 deri në 1000 vota në çdo qark, ajo do të ketë një vend të garantuar në bashkëqeverisjen lokale të atij qarku. Ndërsa, kontributi në pushtetin qendror, që nënkupton drejtimin në rang drejtorish, lista do fillonte me vlerësimin nga 5 mijë vota deri në 10 mijë vota në çdo qark. Por, ajo parti që do arrinte të merrte një deputet direkt do të kishte një vend të sigurt në qeverinë e re, në rast fitore të koalicionit të majtë më 23 Qershor. Megjithatë, deri tani është konfirmuar emri i Spartak Ngjelës, si ministër i Drejtësisë, ndërkohë që, është në pritje edhe kreu i PPDNJ-së Vangjel Dule, për postin e ministrit të Punës. Nga ana e vet, LSI pritet të marrë katër deri në pesë ministri, ndërsa Partia Kristian Demokrate është tërhequr nga pretendimi për poste ministrore. Por në bazë të rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshëm, përveç Partisë Socialiste dhe asaj të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që kanë një marrëveshje specifike bashkë për numrin e ministrive, edhe aleatët e vegjël nuk do të dalin pa fituar diçka.  Kështu përveç PBDNJ-së presin verdiktin e Ramës, edhe Skënder Gjinushi, Paskal Milo, apo Petro Koçi.

 Kushdo të marrë pjesë në Asamble

Numri i anëtarëve të Asamblesë përcaktohet në bazë të statutit të PSSH-së, i cili thotë se: “Kongresi përcakton numrin e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PSSH. Kryetari i PSSH, anëtarët e partisë që kanë patur mandat të Kryetarit të Partisë, të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të Kryetarit të Kuvendit, deputetët anëtarë partie si dhe Kryetari i FRESSH, Kryetarja e FGSSH, janë drejtpërdrejt anëtarë të AK të PSSH. Numri i anëtarëve që hyjnë drejtpërdrejt nuk duhet të përbëjë mbi 40 për qind të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PSSH. Anëtarët që hyjnë drejtpërdrejt në përbërje të Asamblesë Kombëtare nuk përfshihen në listat e votimit për t’u zgjedhur në Kongres. Asambleja Kombëtare mblidhet jo më rrallë se një herë në 3 muaj. Mbledhja e AK thirret me kërkesë të Kryesisë, të Kryetarit të PSSH, ose të jo më pak se 1/3 së anëtarëve të saj. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare kanë të drejtë të marrin pjesë deputetët socialistë jo anëtarë partie, Kryetari i KGS, Kryetari i KZP, Kryefinancieri, Kryetari i KQR. Asambleja Kombëtare e PSSH me propozim të Kryetarit të Partisë miraton numrin dhe strukturën e Sekretariatit. Kryetari i Partisë i paraqet AK për miratim kandidaturat për Sekretarë të PSSH për secilin post. AK mund të kërkojë votimin me kandidatura alternative për funksione të veçanta. Çdo kandidaturë alternative për poste të veçanta për sekretar të PSSH duhet të ketë mbështetjen e 20% të anëtarëve të AK. Kandidatët për Sekretarë të PSSH duhet të kenë të paktën një mandat si anëtarë të AK të PSSH.

 Ja projekti për ndarjen e ministrive

 Ministria e Brendshme –Ministria e Rendit dhe Ministria e Pushtetit Lokal

 Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Energjetikës e Privatizimit

 Ministria e Punëve Publike dhe Transportit –Ministria e Transportit dhe Ministria e Ndërtimit e Rrugëve

Po diskutohet

Ministria e Kulturës Rinisë e Sporteve – Ministria e Kulturës dhe Ministria e Rinisë e Sporteve