Anëtarët e PS: Jemi pa punë, ministrat nuk na hapin telefonat

503
Sigal

Bie numri i anëtarësimeve të reja në dy partitë politike, PD e PS. Ndërsa LSI vazhdon të numërojë prurje të reja

Pas vrullit të anëtarësimeve të shqiptarëve gjatë qershorit, në tre partitë kryesore politike, tani në fund të dhjetorit bie në sy një tërheqje dhe dyshim i njerëzve te politika. Ky vit ka njohur shumë ulje – ngritje të valës së anëtarësimeve, ku muaji qershor arriti kulmin e personave që u inkuadruan në PS, PD dhe LSI. Padyshim, gjatë qershorit, numrin më të madh të anëtarësimeve e kishte PS-ja dhe LSI-ja, të cilët arritën një rezultat të lartë në votimin përfundimtar. Ndërsa, të rinjtë që kërkonin anëtarësimin në PD, gjatë muajit zgjedhor ishin më të paktë. Dhe kjo vinte nga zhgënjimi që kishin pësuar votuesit në 8 vitet e qeverisjes së djathtë. Gjithashtu, pas shpalljes së fitores nga koalicioni i Majtë, në PS dhe LSI u vu re një numër i madh të rinjsh që nxituan të regjistrohen në strukturat e këtyre partive, duke pasur përveç të tjerave, edhe shpresën e një punësimi të mundshëm, ngaqë këto parti kishin në dorë edhe vendet e punëve. Por në numrin e lartë të anëtarësimeve në partitë e Majta, duhen konsideruar edhe ata individë servilë, të cilët pasi punonin në administratë, gjatë PD-së, më 23 Qershor kaluan tek PS-ja për të mos humbur vendet e punëve. Kështu brenda një kohe të shkurtër dy partitë e Majta, PS e LSI, u ripërtërinë dhe u “blinduan”, në përfaqësimin e tyre si me numrin e lartë të të anëtarësuarve, ashtu edhe me cilësinë e gjakut të ri, që po afrohej. Ndërkaq, selia blu, pas humbjes së zgjedhjeve, në momentet e para dukej disi e lënë mënjanë, sepse njerëzit e rinj që filluan të merren me politikë kaluan nga e Majta, atje ku kishin edhe perspektivë për punësimin. Natyrisht, këtu ndikoi edhe premtimi i liderëve të Majtë për punësimin e 200-300 mijë njerëzve.

Zhgënjimi

Por kjo zgjati vetëm për një periudhë të shkurtër, e cila duket se u përmbyll në prag të 100 -ditëshit të parë të qeverisjes. Sepse aktualisht, duket se të rinjtë që duan të inkuadrohen në politikë, po mendohen mirë para se të marrin kartën e anëtarësimit. Sepse shumë prej tyre kanë pësuar zhgënjime, në këto 100 ditë. Ngaqë askush nuk i dëgjon më hallet e tyre dhe nuk pyet më për ta. Përkundrazi, ministrat, apo drejtuesit e lartë të qeverisë e partisë nuk i hapim më telefonin, asnjë njeriu të thjeshtë, duke krijuar kështu dy shtresa, brenda PS-së: Atë të anëtarëve të thjeshtë dhe atë të “bajraktarëve” të rinj. Kjo është përsëritja e gabimit të bërë nga Partia Demokratike, gjatë tetë viteve të qeverisjes së saj. Bajraktarët dhe fodullët e qeverisë së Berishës u shkëputën aq shumë nga baza e partisë saqë nuk pranonin të komunikonin me anëtarët e thjeshtë për asnjë shkak. Kjo krijoi zhgënjimin, pakënaqësinë dhe madje urrejtjen, e bazës së PD-së, për qeverisjen e vet, duke shkuar deri në humbjen e thellë të zgjedhjeve. Duket se të njëjtin gabim, po përsërit edhe PS-ja, në këto 100 ditë, duke krijuar një distancë artificiale nga militantët e bazës. Madje, edhe intelektualët e profesionistët, që kanë punuar në hartimin e platformave, programeve, iniciativave, apo projekteve shkencore, të PS-së, tani, janë lënë mënjanë, duke i konsideruar si të tepërt. Dhe asnjeri prej tyre nuk është punësuar. Me përjashtim të kushërinjve, kunetërve, baxhanakëve, nipërve, apo mbesave të ministrave. Pjesa tjetër është lënë e nëpërkëmbur dhe e papërfillur. Dhe kjo ka krijuar zhgënjimin e madh, duke ndikuar më tej edhe në uljen e numrit të anëtarësimeve të reja në PS. Dihet që anëtarësimet e reja, tregojnë se sa autoritet ka partia në shoqërinë civile dhe se sa besim kanë të rinjtë që sapo dalin nga bankat e shkollës tek skemat e qeverisjes. Tek LSI ky besim është rritur për shkak të menaxhimit të krerëve të kësaj partie, ndaj punësimit të anëtarëve të vet. Ndërsa te PS-ja besimi ka rënë. Dhe tek PD nuk vihen re rritje anëtarësimesh, por as ulje të saj.

Problemet      

Problemi kryesor është mendjemadhësia e ministrave dhe autoriteti fals i zyrtarëve për të mbajtur distancë nga votuesit e thjeshtë. Kjo reflektohet sidomos në mospërfilljen që i bëhet anëtarëve të thjeshtë, kur ata kërkojnë vende punësimi. Një nga ministrat e PS-së është shprehur: “Unë tani e hap telefonin, vetëm nëse shoh numrin e familjarëve apo kushërinjve të mi, ose numrin e drejtuesve të partisë”. Pra, duket se, asnjeri nga ministrat nuk ka ndërmend të pranojë kërkesa apo ankesa nga njerëzit e bazës. Nga ata, të cilët me votën e tyre kanë sjellë në pushtet këta lloj zyrtarësh të rinj, të cilët duket se janë prerë nga një kallëp me ata të qeverisë së Berishës. Por kjo harresë ndaj strukturave të bazës, rrezikon t’i kushtojë rëndë Partisë Socialiste, nëse komunikimi do të vazhdojë kështu.