Alfred Moisiu :Ushtarët e kryetarëve, mbushin listat e deputetëve

449
Sigal

 INTERVISTA/ Flet Bashkëkryetari i lëvizjes “Forumi Civil 2010”, ish- Presidenti Alfred Moisiu

Dje në ambientet e Hotel Tirana International u zhvillua një tryezë e rrumbullakët për gjendjen aktuale në vend dhe  zgjedhjet e 23 Qershorit 2013. Në këtë tryezë të drejtuar nga ish-Presidenti Alfred Moisiu, merrnin pjesë përfaqësues të OSBE, ODHIR, Fondacioni SOROS, ish Presidenti Mejdani, juristë, gazetarë, analistë dhe shumë të ftuar të tjerë. Kjo tryezë ndali veçanërisht tek “një shthurjeje të përgjithshme të efektivitetit të organeve të shtetit dhe të marrëdhënieve shoqërore, ku si nevojë urgjente del që partitë politike të pavarura dhe të themeluara në mënyrë autentike e sociale, të formësuara mbi parime demokratike dhe të forta moralisht, t’u kundërvihen bashkërisht me zë të lartë pushtetarëve të korruptuar dhe klaneve të lidhura ngushtë me këta, që përdorin forma dhe mjete të trashëguara nga regjimet diktatoriale dhe disponojnë të gjitha pasuritë e vendit tonë, duke sunduar tashmë në mënyrë të padurueshme”.

 Çfarë vihet re në këtë prag zgjedhjesh të 23 Qershorit 2013?

 Tashmë të gjithë jemi të mirënjohur me faktin që zhvillimi i zgjedhjeve të Qershorit sipas kërkesave të një demokracie europiane do të jetë një avantazh në përshpejtimin e pranimit të Shqipërisë në BE. Në se do të kemi të kundërtën, atëherë do të minohej çdo hap i ndërmarrë deri tani për pranim në strukturën europiane.

Shenjat e deritanishme nuk janë shumë inkurajuese. Vihet re se KQZ-ja, që në mbledhjen e parë, në vend që të kryejë detyrën e saj kushtetuese dhe ligjore për organizimin e zgjedhjeve, sipas kritereve dhe vërejtjeve të bëra në të kaluarën nga OSBE ODIHR, pati përplasje me orientim partiak. Po kështu përcaktimi i numrit të deputetëve, që është detyrë ligjore e KQZ-së, ju kalua Kuvendit dhe më vonë Gjykatës Kushtetuese. Kështu në vend të përpjekjeve për të gjetur zgjidhje konsensuale, për problemet e përgatitjes së zgjedhjeve, shihet një tendencë e dëmshme për ta kaluar zgjidhjen e tyre përmes institucioneve që janë të destinuara për detyra të tjera kushtetuese. Një situatë e tillë, tregon se politikanët shqiptarë janë ende larg arritjes së zgjidhjes së problemeve me mirëkuptim. Veçanërisht kjo bie në sy tek maxhoranca, e cila mban dhe përgjegjësinë kryesore për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me standardet europiane. Në vend të llojshmërisë së programeve shikojmë që ende të përmendet komunizmi dhe citate nga e kaluara. Dëgjojmë sharje dhe fyerje, të cilat nuk i japin asgjë zgjedhësit shqiptar, por vetëm se ngrenë temperaturën në mjediset shoqërore. Vazhdojnë ende akuzat se listat zgjedhore kanë difekte, kanë nevojë për pastrim e tjera probleme, që tregojnë mungesë përgjegjësie dhe serioziteti të organeve të ngarkuara për këto probleme.

 Çfarë tregojnë këto zhvillime?

Këto zhvillime krejt negative, tregojnë se organet e ngarkuara për këto probleme, do të përpiqen që t’i nxijnë edhe këto zgjedhje si në të kaluarën. Gjithashtu vihen re incidente që po turbullojnë atmosferën zgjedhore, duke përdorur deri edhe ndeshjet sportive, sikurse është rasti i Kavajës. Fakti që pas më se njëzet e dy viteve të tranzicionit, duket qartë mungesa e dëshirës për të zhvilluar një fushatë zgjedhore bashkëkohore, tregon se tek ne dominojnë ende teoritë e Makiavelit, për të arritur fitoren me çdo kusht. Një situatë e tillë flet qartë se tek politikanët tanë mungon kultura politike evropiane për të zhvilluar zgjedhje në nivelin bashkëkohor dhe për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm demokratik. Shqiptarët janë lodhur nga zhvillime të këtij lloji. Ata kërkojnë që edhe vendi ynë të radhitet në radhët e demokracive evropiane. Nuk është se ne nuk dimë të bëjmë zgjedhje me standarde. Kemi bërë të tilla që në 1992 e më vonë, por ka ardhur koha që disa politikanë t’i lirojnë rrugën njerëzve me botëkuptim bashkëkohor.

 A ka shqetësime qytetare ndaj këtyre fenomeneve të mësipërme?

 Shqetësimi dhe mërzitja e njerëzve me zhvillime të tilla, duket qartë edhe në reagimet e tyre. Po të ndjekim opinionet dhe mendimet e njerëzve të thjeshtë, njëzëri shprehen, për shembull: “Na pengojnë zënkat e tyre, sharje nuk dëshiroj të dëgjoj më, dua të dëgjoj gjëra të mira, që ndërtohet diçka, që diçka do të bëhet mirë në të përditshmen tonë”, ose “Jam i dëshpëruar në të gjitha aspektet, grindjet mes partive politike më kanë detyruar të marr vendimin që të mos dal në votim. Partitë mendojnë vetëm për interesat e tyre, aspak nuk angazhohen për qytetarët.” Kështu deklarojnë qytetarët. Ata thonë se deri tani nuk kanë dëgjuar për oferta konkrete që kanë të bëjnë me pushtetin lokal. Sipas tyre problemet e infrastrukturës dhe hapja e bizneseve të vogla, çka do të zbuste papunësinë, duhet të jenë premtime primare në këto zgjedhje.

 Flitet shumë për kandidaturat. Cili është mendimi juaj për zgjedhjet e tyre?

 Një problem tjetër që i preokupon njerëzit e thjeshtë është edhe përbërja e kandidaturave që ofrojnë partitë politike për t’i zgjedhur si deputetë. Shpresojmë që përbërja e Kuvendit të ardhshëm të mos i ngjajë këtij, që po përmbyll aktivitetin këtë vit. Nuk kemi parë që në një sesion parlamentar të diskutohen me seriozitet shqetësimet e njerëzve. Gjithmonë nëpërmjet ekraneve televizive ndjekim zënka, përplasje për mbrojtjen e interesave klanore dhe partiake, ofendime nga më monstruozet e kështu me radhë. Nuk shohim një preokupim real sesi të zgjidhen më mirë hallet dhe shqetësimet e këtij populli të shumëvuajtur. Shumë pak, të mos themi aspak kemi dëgjuar për përpjekje të përbashkëta për të gjetur konsensusin për zgjidhjen e problemeve, duke çeduar në interesat partiake dhe duke vlerësuar më shumë interesat e vendit. Kjo varet shumë nga përbërja e elementëve që partitë politike zgjedhin për t’i kandiduar. Boll më njerëz që hynë në politikë për t’u pasuruar në kurriz të popullit. Partitë nuk i marrin në konsideratë opinionet e njerëzve mbi kandidaturat, ato më shumë synojnë të kenë në radhët e deputetëve ushtarë të bindur sesa njerëz që vërtet janë të gatshëm të punojnë dhe të sakrifikojnë për Shqipërinë. Pastaj në debatet politike në kuvend fillojnë dhe i nxjerrin të palarat njeri tjetrit, të cilat ja dinë që në  fillim. Pra nuk ka pse në radhët e kuvendit të zgjidhen persona me të kaluar të njollosur, morale ose politike që më vonë t’u keqpërdoret.

 Në fushata elektorale vihet re dhe përdorimi i fëmijëve të shkolla ve nën 18-vjeç…

Një defekt serioz dhe me pasoja është përdorimi i fëmijëve të shkollave në fushatën elektorale.  Keqpërdorimi i fëmijëve dhe të miturve është tejet i theksuar, ata mobilizohen që të agjitojnë për parti të caktuara dhe për pjesëmarrjen e tyre në aktivitete partiake. Kjo mënyrë veprimi jo vetëm është antiligjore, por edukon shtrembër brezin e ri.

 Cili është mesazhi i “Forumi Civil 2010”?

“Forumi Civil 2010”, i shqetësuar për situatën parazgjedhore, ju bën thirrje partive politike, të heqin dorë nga retorikat tejet antagoniste dhe jo konstruktive, që ndikon në mënyrë të pashmangshme në polarizimin e mëtejshëm të shoqërisë. Ne ftojmë gjithashtu që të bëhet kujdes për të përzgjedhur si kandidatë për deputetë persona me aftësi, për të përfaqësuar me dinjitetin e duhur interesat madhore publike e kombëtare, të cilët të mbajnë përgjegjësi qytetare e civile për detyrën dhe që në jetën e tyre të kenë dëshmuar aftësinë për të parë më larg sesa politika e ditës. Jemi një vend europian demokratik dhe nuk mund t’i japim të drejtën askujt ta përdorë shtetin si pronë personale ose partiake. Ne shpresojmë dhe presim që politikanët tanë jo vetëm të na kuptojnë drejt, por edhe të na mbështesim në këtë nismë pozitive shumë të rëndësishme për të ardhmen e brezave të rinj, e cila sigurisht nuk mund të realizohet pa mbështetjen e tyre.  Falënderoj përfaqësuesit e OSBE dhe BE për mbështetjen dhe vullnetin e tyre të mirë për të ndihmuar në zgjidhjet e duhura për të ardhmen e një demokracie europiane në vendin tonë. Gjithashtu, falënderoj OSBE-në dhe Fondacionin SOROS, për mbështetjen që i japin Forumit tonë që të thotë fjalën e tij.

 Projekt-Deklaratë e Forumi Civil 2010

Zgjedhjet e përgjithshme të 23 Qershorit konsiderohen akute

 Kanë kaluar shumë kohë që kur në vende të ndryshme të botës së civilizuar është rrënjosur kuptimi i vërtetë i thënies: “Freedom is not free” (“Liria nuk është e lirë”). Ndërsa në vendin tonë, fatkeqësisht paraqitet një realitet tjetër, i mbushur me krime të çfarëdoshme dhe të rënda, deri në marrje jetësh jo vetëm të qytetarëve të thjeshtë, por edhe të përfaqësuesve të strukturave shtetërore të ngarkuara me ruajtjen e sigurisë publike. Në kushte të tilla që karakterizohen, veç të tjerash, prej një shthurjeje të përgjithshme të efektivitetit të organeve të shtetit dhe të marrëdhënieve shoqërore,  si nevojë urgjente del  që partitë politike të pavarura dhe të themeluara në mënyrë autentike e sociale, të formësuara mbi parime demokratike dhe të forta moralisht, t’u kundërvihen bashkërisht me zë të lartë pushtetarëve të korruptuar dhe klaneve të lidhura ngushtë me këta, që përdorin forma dhe mjete të trashëguara nga regjimet diktatoriale dhe disponojnë të gjitha pasuritë e vendit tonë, duke sunduar tashmë në mënyrë të padurueshme.

Kjo nevojë mbështetet edhe nga fakti, se në skenën politike vazhdojnë të shfaqen aktorë që përherë e më tepër i drejtohen njëri-tjetrit me vulgaritete, nënçmime, intriga dhe primitivizma. Shembull të qartë rreth kësaj dukurie përbëjnë seancat e Kuvendit të Shqipërisë, për mjaft deputetë të të cilit me sa duket nuk ka rëndësi përmbajtja e veprimtarisë së organit më të lartë legjislativ tek janë zgjedhur dhe bëjnë pjesë, por shpifjet, sharjet, fyerjet dhe përplasjet, për mospranimin e të vërtetave të hidhura në adresë të maxhorancës qeverisëse që  përfaqësojnë. Forumi Civil 2010 vlerëson se, gjatë funksionimit të sistemit demokratik, që është ngritur dhe duhet konsoliduar sa më parë në Shqipëri, veprimtaria politike nuk mund të jetë e suksesshme, nuk mund të bëhet faktor udhëheqës për përparimin e vendit pa kulturën dhe etikën e atyre që e ushtrojnë këtë veprimtari, pa aftësitë e domosdoshme, pa kompetencën në organizimin e aktiviteteve politike dhe pa mundësitë profesionale të menaxhimit të tyre. Kjo është e rëndësishme për demokracitë e reja, si në vendin tonë, ku një pjese të politikanëve u mungon kualifikimi i mjaftueshëm dhe përvoja elementare në këtë lëmë. Prandaj vlen të theksohet, se është e dëmshme, madje edhe e dënueshme, që veçanërisht në fushatat zgjedhore politikanë të këtij niveli të kërkojnë me përralla dhe mashtrime mbështetjen e elektoratit dhe, pasi e sigurojnë atë, të heqin nga mendja hallet e popullit dhe shpejtimin e ritmeve të zhvillimit, për t’i lënë vend plotësimit të kërkesave personale me prirje korruptive deri të skajshme, duke pohuar kështu makiavelizmin e tyre. Në këto rrethana, kur ndjehet politizimi i tejskajshëm i një fushate të ethshme për Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit konsiderohen akute disa përmirësime me rëndësi primare në organizimin me korrektësi ligjore dhe brenda standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kërkesa për plotësimin e këtyre standardeve është me të vërtetë shumë serioze,  nga përmbushja me sukses e së cilës shpresohet gjerësisht që të nisë përtëritja ekonomike e të gjithë vendit dhe ajo sociale apo morale e mbarë komunitetit të qytetarëve të Shqipërisë. Sepse, mbështetja në vlerat reale, respektimi i parimeve, zhvillimi i procedurave demokratike dhe ndërtimi i një shoqërie reale civile përbëjnë bazën e përparimit tonë. Në këtë kuadër, Forumi Civil 2010 u bën thirrje të gjitha partive politike që të shpalosin programet e veta në elektoratin shqiptar dhe të prezantojnë sa më shpejt kandidatët e tyre për deputetë, që është e domosdoshme të jenë figura të nderuara, me background të pastër dhe energji të lakmueshme, për t’i shërbyer devotshmërisht këtij populli. E bëjmë këtë thirrje, sepse dihet tashmë që është privilegj, por edhe detyrë e këtyre partive, të cilat në kuadër të proceseve politike, veçanërisht gjatë fushatës për Zgjedhjet e pritshme, të dëshmojnë drejtime që do të mbarten nga një shumicë e popullsisë. Dhe, lufta për të shpalosur idetë apo vizionet më të mira mbështeten si në vlera dhe bindje themelore, po ashtu edhe në portrete njerëzore, të cilët koha vetë i seleksionon. Pikërisht këto pret nga ne edhe Brukseli, që i vlerëson Zgjedhjet e 23 qershorit si test i rëndësishëm në rrugën e akordimit Shqipërisë të statusit zyrtar të vendit kandidat për në Bashkimin Europian.

Forumi Civil 2010

KUMTESA/ Flet ish -Presidenti Meidani, bashkëkryetar i “Forumit Civil 2010”

 Integriteti, përgjegjshmëria, transparenca, etika vlejnë jo vetëm për qeverinë

 Integriteti (individual, kolektiv e institucional) është kardinal për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Ai, në pamje të veçanta, mund të diferencohet edhe si integritet intelektual në kuptimin që gjykimet dhe interferencat e individit dhe grupit të jenë koherente (por jo uniforme e servile!) brenda një sistemi të dhënë; si integritet emocional në kuptimin e harmonisë dhe ekuilibrit; si integriteti mendor e psikik, etj.. Mungesa e tij në këto pamje të veçanta cenon integritetin në tërësi të individit, pavarësisht pozicionit të tij shoqëror, politik e institucional. Ai pasqyrohet po ashtu në integritetin grupor e institucional. Ky i fundit mund të lidhet me hallka të qeverisjes partiake apo shtetërore, ku ka rëndësi edhe integriteti (ose mungesa e integritetit) e drejtuesve të këtyre strukturave. Me të lidhet edhe integriteti i vendit, si sistem politik e tërësi institucionesh, si popull e territor. Madje, ka një lidhje të ndërsjellë midis integritetit-kolektiv (grupor, institucional) dhe atij individual. E thënë ndryshe, integriteti apo mungesa e integritetit e një drejtuesi (përfaqësuesi) manifestohet edhe si integritet ose mungesë integriteti e strukturës që drejton (përfaqëson). Pra, edhe një numër i vogël politikanësh të lartë pa integritet e bëjnë vetë ikën pa integritet në sytë e qytetarëve. Disa qeveritarë të korruptuar, disa shefa policie të korruptuar, gjyqtarë, prokurorë të korruptuar, etj, e dëmtojnë rendë integritetin e qeverisë, policisë, gjykatave, prokurorisë etj.. Dhe anasjelltas! Një ilustrim i kësaj korrespondence ishte për shembull, marrëveshja jo transparente e qeverisë shqiptare për kufijtë detarë. Aty  u shfaq jo thjesht mungesa e integritetit të qeverisë, por dhe atyre që e hartuan atë. Shembull që tregon se mungesa e integritetit individual favorizon atë institucional, për më tepër që mund të cenojë deri integritetin territorial dhe kombëtar! Në përgjithësi, çdo dobësi apo mungesë integriteti në institucionet politike, partiake apo shtetërore, në organizma dhe hallka kontrolluese e kufizuese ndaj pushtetit ekzekutiv nuk bëjnë gjë tjetër veçse e favorizojnë një situatë pa integritet në këto organizma, hallka e pushtete. Pra në përgjithësi, integriteti, përgjegjshmëria, transparenca, etika vlejnë jo vetëm për qeverinë, por mbi të gjitha për përfaqësimin parlamentar dhe administratën publike.  Ky përfaqësim dhe besimi për të janë qendror për kontratën sociale të demokracisë. Sepse integriteti parlamentar e politik është kryesor për të ndërtuar besimin institucional. Në këtë kuptim, edhe përzgjedhja, apo zgjedhja është një çështje integritet. Madje, çdo zgjedhje apo përzgjedhje e kandidatëve, pa kujdesin e tyre, sidomos kur ajo merr përmbajtje cinike e minon kontratën midis të zgjedhurit dhe zgjedhësve, vetë konceptin e mandatit të popullit. Në thelb për të pasur integritet politikanët duhet të kenë kuraje për të mbrojtur parimet e tij politike, por dhe të manifestojë forcë dhe respekt të normave morale. Pa këto integriteti është i pamundur. Në fakt shqetësim në rritje është fakti se partitë politike, ashtu si dhe strukturat qeverisëse që ato gjenerojnë, është goditur rëndë ky integritet duke prishur dhe vetë balancat e fuqisë. Kjo, në një mënyrë apo tjetrën, ka favorizuar korrupsionin, sjelljen arrogante dhe arbitrare, deformimin jo përfaqësues të interesave qytetare. Kështu, në kushtet shqiptare, deformimi brenda formacioneve partiake është pasqyruar drejtpërsëdrejti në integritetin kolektiv dhe individual, madje duke propaganduar dhe pompuar të kundërtën: nevojën e tyre, (veçse në mënyrë abstrakte)! Ndërkohë, për kurimin e sistemit tonë politik kërkesa për integritet të përfaqësuesve politikë është absolutisht fondamentale. Pra, pavarësisht disa shenjave të pakëndshme, është rasti, që në listat kryesore të partive të mbizotërojë ky integritet, të fuqizohet ai nga ana sasiore e cilësore. Sepse, siç pohon një senator republikan (Alan K Simpson, senator për Wyoming): “Nëse ju keni integritet, asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Nëse ju nuk keni integritet, asgjë tjetër nuk ka rëndësi”.