Aleanca PD-LSI-LIBRA nxjerr Ramën në opozitë

530
Sondazhi: PS e para, rriten PD dhe LSI
“IPR Marketing” publikon të dhënat e testimit të elektoratit më 31 maj. Në Tiranë, socialistët në rënie, LIBRA surprizë

Partia Socialiste pritet të konfirmohet si parti e parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndonëse Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim mund të kenë shtesë në votat e marra më 25 qershor, në krahasim me 4 vite më parë. Është ky përfundimi i sondazhit të publikuar në “Ora News” dhe të zhvilluar nga “IPR Marketing”. Sipas sondazhit, nëse qytetarët shqiptarë do të votonin sot për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Socialiste do të fitonte zgjedhjet me 43% të votave. Rezultatet e sondazhit të parë për votën kombëtare rendisin forcë të dytë Partinë Demokratike me 36%, pas saj vjen Lëvizja Socialiste për Integrim me 12% dhe LIBRA me 2.3%. Sondazhi është realizuar në datat 29 dhe 30 maj dhe për të janë pyetur 2002 persona. Në anketim janë të përfshirë dhe votues për herë të parë, ndërsa marzhi i gabimit është +/- 2.5%.

Në një lidhje direkt nga Italia për “Tonight Ilva Tare”, drejtuesi i “IPR Marketing”, Antonio Noto, tha se “interesante janë krahasimet me zgjedhjet e 2013”. “PS është rritur me 1.7%, ndërsa PD me 6 pikë. Edhe LSI është në rritje në nivel kombëtar me 1.5 pikë. Për LIBRA-n nuk mund të bëjmë krahasime, se nuk ka qenë në zgjedhje. Ndërsa të gjithë partitë e tjera janë poshtë pragut”, u shpreh Noto. Ai sqaroi se rezultatet e sondazhit janë një fotografi e ditëve të fundit të majit dhe fillimit të fushatës dhe kjo pamje mund të ndryshojë në ditët në vijim. Megjithatë sondazhi nuk bën një ndarje të mandateve të deputetëve sipas qarqeve, pasi sistemi zgjedhor në Shqipëri është proporcional rajonal. 

Pjesë e sondazhit të “IPR Marketing” ishte specifikisht edhe qarku i Tiranës, më i madhi në vend. Nëse qytetarët e Tiranës do të votonin sot, Partia Socialiste do të fitonte zgjedhjet në këtë qark që ka 34 mandate deputetësh. Nga 1000 persona të anketuar, 41% kanë votuar për PS. Marzhi i gabimit të sondazhit është +/-2.5%. Po sipas sondazhit, Partia Demokratike renditet e dyta me 33% dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e treta me 14.0%. Elektorat të ndjeshëm ka krijuar edhe partia e re e Ben Blushit, LIBRA me 6%, ndërsa ‘Sfida’ e Gjergji Bojaxhiut ka marrë 1.5%. Rezultati i marrë nga LIBRA është vlerësuar si surprizë. Sipas ekspertit të sondazheve, Blendi Çeka, me këtë shifër, PS zbret në 15 mandate. “PD ruan të njëjtën përqindje. Është interesant fakti që partitë aleate nuk ndihmojnë PD-në, por ruan përqindjen e votave të veta. Duket se mekanizmi i koalicionit është shumë shpejt për t’u reflektuar. PD arrin në 11-12 mandate”, tha ai. Sipas Çekës, LSI është në nivelin e 60 mijë votave dhe mund të marrë 5 mandate. “LIBRA ka 2 mandate të plota dhe të sigurta”, nënvizoi eksperti. Ndërsa analisti Artur Zheji u shpreh se duket paradoksale që nuk ka një rritje të Partisë Demokratike në Tiranë. “Tirana, qendra dhe periferia është në situatën më dramatike ekonomike. Ardhacakët në Tiranë janë dramë, sepse ata vuajnë dyfish shfrytëzimin. Më duket paradoksale që të kemi një reagim opozitar në status-quo”, tha ai. Sipas tij, edhe për LSI-në do të ketë rritje deri më 25 qershor.

Në zgjedhjet e ardhshme partitë politike do të garojnë pa koalicione, në ndryshim nga viti 2013. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e konfirmuar bashkëpunimin mes tyre, ndërsa Partia Demokratike i ka grupuar të gjithë aleatët rreth siglës së saj. 
Noto: LSI ka një lider të fortë
Antonio Noto, drejtuesi i kompanisë “IPR Marketing”, e cila organizoi sondazhin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, komentoi rezultatin e dalë për qarkun e Tiranës. Ai vlerësoi forcën e LSI-së dhe nënvizoi se është e rëndësishme të shihet nëse këto shifra do të konfirmohen edhe në ditët e javët e ardhshme. Sondazhi i pyeti qytetarët edhe për disa çështje të tjera, si vlerësimi për qeverisjen dhe opozitën. 

Si e vlerësoni sondazhin për Tiranën?
“Duhet të verifikojmë nëse këto përqindje do të rikonfirmohen edhe javët e ardhshme. Ajo që po ndodh në botë, është se shumë shpesh vlerësohet ajo që është e re. Sikurse kemi parë që kundër qeverisë ka pakënaqësi, por Partia Socialiste është shumë e fortë. Do të shohim nëse LIBRA do të jetë në gjendje që javët e ardhshme ta ruaj këtë rezultat. Do të shohim edhe ndryshimin midis LIBRA në Tiranë dhe në nivel kombëtar. Ky është një element i rëndësishëm”.

Pothuajse ka një dyfishim të LSI-së në Tiranë.
“LSI-ja ka një lider të fortë. Edhe në këtë rast është interesante të ballafaqohen niveli i LSI-së në Qarkun e Tiranës në nivel kombëtar. Këta janë elementë të rëndësishëm”.
Deputetja e LSI: Sondazh konsensual e qesharak
Deputetja e LSI-së, Silva Caka, e cilësoi me ironi si konsensual sondazhin e publikuar nga “IPR Marketing”. “Është një film i parë dhe i riparë nga shqiptarët. Sondazh po aq qesharak sa në 2013-n. Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë forcë e parë dhe këtë nuk e ndryshojnë dot sondazhet konsensuale plot humor”, u shpreh deputetja e LSI-së në një reagim në rrjetet sociale vetëm pak çaste pas publikimit të sondazhit. 
Rezultati i vitit 2013
1 – Partia Socialiste 713,407 vota 41.36%
2 – Partia Demokratike 528,373 vota 30.63%
3 – Lëvizja Socialiste për Integrim 180,470 vota 10.46%
4 – Partia Republikane 52,168 vota 3.02%
5 – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 44,957 vota 2.61%
6 – Fryma e Re Demokratike 29,310 vota 1.70%
7 – Partia Demokracia Sociale 11,891 vota 0.69%
8 – Partia Socialdemokrate 10,220 vota 0.59%
Sigal