Ahmetaj në SHBA, 2017 buxheti i reformave dhe rritjes së pagave e pensioneve

486
Sigal

Gazeta Telegraf/


Ministri
Ahmetaj në Takimet Vjetore të FMN dhe Bankës Botërore: “Buxheti 2017 është
buxheti i financimit të reformave dhe rritjes së pagave dhe pensioneve

 

Ministri i Financave Arben Ahmetaj po zhvillon një
vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të Takimeve Vjetore
të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore “Annual Meetings 2016”.

Në ditën e parë të vizitës, në një sesion të vecantë
kushtuar Shqipërisë, Ministri prezantoi në Selinë Qendrore të Bankës Botërore,
ecurinë e ekonomisë shqiptare në tre vitet e fundit, zhvillimet kryesore dhe
reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Në takim i pranishëm ishte Patrizio Pagano, Drejtor
Ekzekutiv për Ballkanin, Italinë, Greqinë dhe Maltën; Ellein Goldstein Drejtore
Rajonale për Europën Juglindore; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko,
Shefja e Misionit të FMN në Shqipëri si dhe përfaqësues të institucioneve
financiare ndërkombëtare.

Në fjalën e tij të hapjes, z. Pagano theksoi se
qeveria shqiptare ka ndërmarrë reforma të thella strukturore të cilat kanë mundësuar
rigjallërimin e rritjes ekonomike, uljen e risqeve fiskale dhe stabilizimin e
financave publike.

z. Pagano theksoi gjithashtu se bashkëpunimi rajonal
është i rëndësishëm për kapërcimin e sfidave dhe përforcimin e rritjes në
rajon.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj mbajti
prezantimin me temë “Shqipëria, përforcimi i rritjes përmes reformave të thella
dhe bashkëpunimit rajonal”. Ai pasqyroi zhvillimet e ekonomisë shqiptare në tre
vitet e fundit, me fokus të vecantë konsolidimin e financave publike dhe
reformat strukturore të cilat kanë bërë të mundur rimëkëmbjen e aktivitetit
ekonomik, të reflektuar në uljen e papunësisë dhe shtimin e konsumit e
investimeve private.

Ahmetaj theksoi se ekonomia shqiptare po prodhon cdo
dite lajme të mira, sic konfirmohet edhe së fundmi nga rritja ekonomike në
tremujorin e dytë me 3.2%, por edhe vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare.

“Për herë të parë kemi shënuar balancë primare
pozitive ndërkohë që kemi vijuar uljen e borxhit publik” – tha Ministri.

“Po kështu, pagimi i detyrimeve të prapambetura,
ishte një sakrificë e domosdoshme për financat publike dhe klimën e biznesit.
Nuk duhet harruar nga vijmë, në mënyrë që të mos përsërisim gabimet e së shkuarës”
– theksoi Ministri.

Ai përmendi gjithashtu impaktin e reformave kyce si
ajo në energji, pensione, reforma administrative-territoriale, stabilizimi i
financave publike dhe sistemit financiar dhe së fundmi, edhe reforma në drejtësi,
që e con vendin në një nivel tjetër zhvillimi, theksoi Ministri.

Ndër nismat e fundit, Ministri vecoi kalimin në
parlament të Ligjit organik të buxhetit, ligjin e procedurave tatimore dhe së
shpejti, edhe ligjin e ri për financat vendore.

Së fundmi, në kuadër të bashkëpunimit rajonal,
Ministri u shpreh se Procesi i Berlinit, hapi një faqe të re për vendet e
Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e tyre europiane ndërsa një sërë projektesh
me impakt rajonal janë tashmë në rrugën e realizimit.

***

Në një bisedë telefonike pas takimeve të ditës së
parë, i pyetur nga Top Channel për bisedimet me Misionin në kuadër të
programit, Ministri Ahmetaj u shpreh:

“Ajo që është e rëndësishme në sytë e Fondit
dhe të Bankës Botërore është konfirmimi i konsolidimit të rritjes ekonomike.

Tashmë Shqipëria konsiderohet një vend me ekonomi që
e ka lënë pas krizën e vitit 2008-2013 dhe ka hyrë në një rritje të konsoliduar
dhe shifrat e fundit të rritjes ekonomike të botuara nga INSTAT e konfirmojnë
trendin jashtëzakonisht të konsoliduar të rritjes ekonomike.

Kjo na bën që gjithë negociatën që kemi me FMN përsa
i përket komplet kuadrit makro të buxhetit të 2017 të kemi një avantazh duke iu
referuar tashmë vërtetësisë së rritjes prej 3.4% të këtij viti dhe përshpejtimit
të rritjes vitin tjetër.

Përsa i përket vitit tjetër të buxhetit, besoj se
jemi afër dakordësisë për të financuar një sërë reformash, reformën në
drejtësi, reformën territoriale, reformën në administratën publike dhe rritjen
e pagave dhe të pensioneve duke ruajtur të gjithë ato parametra makrofiskalë që
do të thotë uljen e borxhit publik me minimalisht 1% të prodhimit të brendshëm
bruto dhe ruajtjen e një balance primare pozitive, pra përgjegjshmërinë e
qeverisë për mos të krijuar asnjë cent borxh të ri.

Kjo do të thotë që në 20 vite, në një vit elektoral,
qeveria është tejet e përgjegjshme jo vetëm që te ruaj kuadrin fiskal, të ruajë
borxhin, të mos krijojë asnjë cent borxh të ri, të rrisë ekonominë por mbi të
gjitha, të financojë reformat dhe të rrisë dhe pagat e pensionet” – u
shpreh Ministri.

***

Axhenda e takimeve do të vazhdojë gjatë ditës me Zv.
Drejtorin e Përgjithshëm të FMN z. Tao Zhang dhe Drejtorin e Departamentit
Fiskal në FMN Carlo Cotarelli, z. Cyrill Myller zv. President i Bankës Botërore
për Europën Juglindore dhe Azinë etj. Pjesë e vizitës janë edhe bisedimet me
Misionin në kuadër të rishikimit të Programit.