Abaz Hoxha: Krimi, droga dhe diplomatët e huaj

523
Kanabizimi i Shqipërisë që nuk e panë diplomatët
Letër e hapur zotit Donald Lu, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë
Ju faleminderit për ndërhyrjet tuaja të vazhdueshme për çështje të dekriminalizimit të organeve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Nga deklaratat tuaja në media kemi kuptuar se ju keni vënë në dijeni drejtuesit e partive dhe institucioneve shtetërore për ekzistencën e njerëzve të kriminalizuar në këto organe. Po kështu ju bënit thirrje vazhdimisht që në listat e kandidatëve për në zgjedhjet lokale kishte elementë të kriminalizuar dhe na bënit thirrje ne qytetarëve që të votonim për njerëzit e ndershëm jashtë kriminalitetit. Po kështu u njoftua se Ambasada e SHBA kishte një listë personalitetesh që u ndalohet hyrja në SHBA. Deri në zgjedhje kishin mbetur edhe vetëm 10 ditë. Kur do merreshin vesh këta njerëz që ishin të kriminalizuar, pasi të merrnin postet? Atëherë do të ishte shumë vonë se ata do të mbroheshin nga pushteti i tyre. Ju keni vënë në dijeni për personat e kriminalizuar krerët, pra ata që i kanë zgjedhur në organet ligjvënëse, ekzekutive. A mos prisnit që ata që i kanë vënë në ato poste t’i heqin vetë nga vendet dhe propozimet që kanë bërë për t’i vënë në listat e kandidatëve për në zgjedhjet e organeve të pushtetit lokal? Ne qytetarët marrim vesh vetëm përballjet dhe akuzat reciproke të krerëve dhe nuk kemi dokumente se cili është ose jo i kriminalizuar. Pse të paktën nuk publikoni listën e njerëzve, të cilëve u ndalohej hyrja në SHBA? Ne duam veprime dhe ndihmë konkrete dhe jo deklarata në media. A nuk e kuptoni se me gjithë ndërhyrjet tuaja të vazhdueshme, asgjë nuk po ndryshon. Të kriminalizuarit vazhdojnë të jenë në Parlament, në pushtetin qendror dhe kryetarë bashkish!

Zoti Ambasador, unë që po ju shkruaj nuk jam një politikan dhe nuk jam marrë kurrë me politikë. Nuk bëj pjesë në asnjë parti, i jam kushtuar gjithë jetën time sektorit të artit në fushën e kinematografisë, si historian dhe studiues i saj, por nuk mund të heshtë kur bëhet fjalë për fatet e vendit dhe të popullit tim. Është krejtësisht e qartë që po na mashtrojnë, po na gënjejnë po na varfërojnë, po na mbushin me premtime që nuk i kanë realizuar asnjëherë, po pasurohen në kurrizin tonë. I keni dëgjuar sa shumë skandale, mashtrime, vjedhje, kanë ndodhur dhe ndodhin në Shqipëri dhe asnjeri nuk po dënohet. Dënimet mbeten tek njerëzit më të thjeshtë dhe asnjë ministër, deputet, funksionar i lartë ose gjyqtar nuk jep llogari para organeve gjyqësore. Sa marrin karriget u vërsulen vjedhjeve dhe shpërdorimeve të djersës tonë, bëhen milionerë me vila e makina luksoze, me llogari bankare të kamufluara, bëjnë ceremonira princërore me shpenzime të pallogaritshme, kur ne jetojnë në varfëri dhe mezi nxjerrim muajin për gjërat më elementare të jetës. A nuk po dëgjoni se bëjnë udhëtime pa fund qoshe më qoshe të botës me shpenzime kolosale për fjetje në hotelet më luksoze? Sigurisht që ju këto i dini. Por thirrjet tuaja kanë rënë në vesh të shurdhër dhe mendoj se ju si një përfaqësues i një shteti demokratik që përfaqësoni duhet të kaloni nga deklaratat në veprat, duke mbrojtur edhe autoritetin tuaj si përfaqësues i një shteti mik dhe që flisni për të ndihmuar forcimin e demokracisë dhe të mbroni qytetarët shqiptarë për të mos u vendosur përfundimisht diktatura në Shqipëri, që të gjitha pushtetet t’i marrin kriminelët. Ju lutemi, zoti ambasador, ndërhyni konkretisht sa nuk do të jetë tepër vonë. 

I nderuari zoti ambasador! Ju jeni përfaqësues i shtetit amerikan pranë qeverisë shqiptare. Shqipëria nuk është protektorat, por është një vend mik i juaj që u ka qëndruar gjithmonë besnik. Por nuk duhet të tejkaloni kompetencat tuaja. Nuk u lejohet juve të ndërhyni në çdo gjë edhe në konfliktet midis partive politike dhe për më tepër të mbani gjithmonë qëndrime të njëanshme, biles shpesh herë edhe në kundërshtim me ato që deklaroni publikisht si mik i Shqipërisë, me thirrjet për luftën kundër korrupsionit dhe të korruptuarit, që ju disa herë keni shprehur se janë në parlament, në qeveri dhe në pushtetin lokal. 

Në pragun e zgjedhjeve të 25 qershorit, kur opozita nuk pranonte të hynte në zgjedhje me një qeveri që zotëronte milionat e kanabisit, ju bënit thirrje që të shkohet në zgjedhje edhe pa opozitën. Si mund të ketë zgjedhje të lira pa opozitën në një sistem demokratik? Apo do të ktheheshim në sistemin e kaluar monopartiak kur zgjedhjet përfundonin në mënyrë qesharake me 99.99%. Para disa kohësh ju bëtë një deklaratë bombë para gazetarëve. Thelbi i saj ishte i drejtë për kapjen e “peshqve te mëdhenj”. Por përse thoni që në janar do të kapen peshqit e mëdhenj dhe jo kur ju deklaruat se i dinit. Kjo tingëllon shumë me dyshime. Mos paralajmërohen këta peshq të medhenj që janë të kërcënuar, prandaj duhet të largohen, sigurisht në drejtim të pa ditur? Deri sa i dini këta “peshq të mëdhenj”, përse duhet pritur janarin? Ju zoti ambasador jeni dalluar që mbani vazhdimisht krahun e pushtetit, ndonëse keni deklaruar se në Parlament e qeveri etj ka njerëz të korruptuar. Sa vite u bënë që Shqipëria u bë vendi i prodhimit dhe trafikut të drogës dhe po bëhet problem i vendeve fqinje. Ju heshtni sikur nuk ka ndodhur asgjë. Siç shkruan zoti Andi Bushati: Gati një vit më parë kur Rama po replikonte fort me Jozefina Topallin në Parlament kjo e fundit, po e akuzonte kryeministrin për kanabizimin e vendit, për avionët dhe skafet e drogës, për përfshirjen e njerëzve të tij më të afërt në trafik. Dhe cila ishte përgjigjja e Ramës: “Po si ka mundësi moj Jozefinë, që nëse vendi do ishte i mbushur me kanabis, SHBA dhe BE, që nuk të falin për shumë më pak sesa kaq, të mos flisnin një fjalë? Si ka mundësi që Lu dhe Vlahutin të mos hapnin gojën nëse kjo do të qe reale?” Pra kryeministri përdori si alibi çiftin tuaj diplomatik. Pra ju me qëndrimin tuaj inkurajoni qeverinë të mohojë një realitet të padiskutueshëm. Si të mos vini re Ju zoti ambasador që në mbjelljen grumbullimin dhe trafikimin e kanabisit është përfshirë një pjesë e rëndësishme e forumeve drejtuese të policisë? Për këtë nuk ju kemi dëgjuar të prononcoheni, a mos vallë nuk i njihni ju këto lidhje? Ju flisni vazhdimisht për pastrimin e organeve drejtuese dhe gjyqësore nga njerëzit e lidhur me regjimin e kaluar. Por në praktikë si veproni zoti ambasador. A ka pasur një njeri më të lidhur me regjimin e kaluar se sa Gramoz Ruçi, ish-ministër i Brendshëm dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste. Jo vetëm që nuk keni thënë asnjë fjalë kundër tij, por edhe sfidoni opinionin publik duke e thirrur atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju zoti ambasador dhe zonja Vlahutin, ose nuk jeni prononcuar ose jeni prononcuar me gjysmë zëri në lidhje me kanabizimin e gjithë Shqipërisë dhe tepër vonë, por përsëri jo konkretisht në lidhje me implikimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe skandalin që atij me votat e shumicës nuk i hiqet mandati për të vepruar drejtësia. Atëherë ne qytetarët, ku do t’i gjejmë këta të inkriminuar dhe këta “peshq të mëdhenj” për të cilët ju bëni fjalë, kur ju vetëm flisni dhe nuk prononcoheni konkretisht kur keni informacione te sigurta në lidhje me lidhjet e tyre kriminale. Edhe radhën e fundit që folët për këtë çështje përmendët jo “peshq aq të mëdhenj” dhe vetëm ata që tashmë janë zbuluar. Si mund të na bëni thirrje ne për t’i zbuluar dhe na thoni që vetë i keni zgjedhur, nga do t’i dimë ne kush janë, kur në media flitet për të gjithë dhe ne nuk kemi mundësi që ta dimë se kush janë? 

Prononcimet tuaja dhe të zonjës Vlahutin, shpeshherë para kohe dhe pothuajse gjithmonë në favor të mazhorancës, bëjnë të stepet opozita dhe të marrë kurajë kryeministri, duke ju përdorur si mburojë. Menjëherë pas krijimit të qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit ju përgëzuat në mënyrë publike ish-ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. A nuk e dinit ju, zoti ambasador se gjatë periudhës që ajo ishte ministre kufijtë tanë ajrorë dhe detarë ishin pothuajse krejtësisht të pambrojtur, se vazhdimisht sistemet e radarëve nuk funksiononin, ose ndërpriteshin qëllimisht dhe me dhjetëra tonë kanabis kalonin lirshëm me gomone drejt Italisë. Si është e mundur që kontrabandistët dhe trafikantët nuk kapeshin nga organet tona, por nga “Guardia di Finanza” italiane. Si është e mundur zoti ambasador që avionët e drogës fluturonin mbi territorin shqiptar, biles kishin edhe një pistë fluturimi pranë aeroportit qendror të Tiranës dhe organet tona të policisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes? Ndërhyrjet tuaja të njëanshme dhe të parakohshme bëjnë që të mos ketë mendim ndryshe dhe gjithmonë i japin fuqi mazhorancës dhe kryeministrit që të shtojë arrogancën dhe të bëjë ligjin, duke uzurpuar të gjitha pushtetet siç po vepron në praktikë. Prandaj zoti Lu dhe zonja Vlahutin mos e ulni autoritetin tuaj që të përdoreni nga kryeministri si mjete për të arritur qëllimet e tij. Këto qëndrime tuajat, zoti ambasador, cenojnë para syve tanë edhe besueshmërinë në qëndrimet e mikut tonë të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ju e përfaqësoni.

Ju faleminderit për mirëkuptimin,
Me respekt, Abaz Hoxha (historian i kinematografisë)
Sigal