Vangjush Saro: Boshnjaku që na vuri në mendime

530

Opinion

 

Boshnjaku
që na vuri në mendime

 

Nga
Vangjush Saro

 

Këto ditë,
krahas shumë lajmeve ngjyra-ngjyra, më tërhoqi vëmendjen gjesti i Shuhret
Fazlliç, Kryetari i Bashkisë së qytetit Bihaç në Bosnjë-Hercegovinë. Në fillim,
duke e parë shkarazi portretin dhe figurën e tij, për shkak edhe se ballkanasit
ngjajnë shumë me njëri-tjetrin, por edhe ngase nuk po i kushtoja shumë vëmendje
tekstit, m’u bë sikur ky kryebashkiaku ishte shqiptar, kjo ngjarje po ndodhte
në Shqipëri. Dhe menjëherë u ndjeva mirë. Por kur pashë se bëhej fjalë për një
zyrtar boshnjak, entuziazmi i shkaktuar pas leximit të atyre radhëve, m’u zbeh.
Gjithsesi, ngjarja prapë reflekton dukshëm. Shuhret Fazlliç, një i tillë ndryshe,
sepse mbiemri na çon menjëherë te ai i miku i pushtetarëve të mandatit tjetër,
që tani Tatimet po i shkojnë pas për t’u shpjeguar,  ai i pari pra, e ka miratuar sakaq ndryshimin
e pagës së tij, sigurisht me ulje, ndryshe ngase ndodh zakonisht. Ndërkaq, sipas
mediave, këshilltarët bashkiakë kanë vendosur që të rrisin pagat për punonjësit
e organeve administrative të qytetit dhe kryebashkiaku ka kontribuar për këtë. Në
këtë temë, ka pasur edhe më parë “heronj”, njerëz që kanë hequr pjesë të pagës
së tyre, e kanë falur, e kanë lënë në llogari të aksh institucioni, për të
shprehur sadopak ndjesinë e përgjegjësisë për jetën, për jetën e tyre dhe për
jetën e të tjerëve. Kanë qenë kryetarë bashkish, kanë qenë kryeministra, kanë
qenë presidentë. Në trashëgiminë historike të popullit tonë, në traditën e
anëve më të ndritura të asaj pak aristokracie që ne kemi pasur, rastet e
bamirësisë dhe të faljes së pronës e pasurisë nuk kanë qenë të pakta.
Rilindësit tanë dhanë nga pasuria e tyre për të shtypur libra e për të ndërtuar
shkolla, për të ngritur shtypshkronja. Shembulli i ndritur i bamirëses së
njohur me emrin Nënë Tereza, do të mjaftonte për të zëvendësuar shumë histori.
Por edhe një sërë familje të njohura, në vite, kanë dhënë ndihmesë në jetën e
qyteteve e fshatrave, duke dhuruar fonde apo ndërtesa.

I thashë këto,
për t’i dalë menjëherë përpara e përballë çdolloj ciniku a fodulli, që mendon
se gjeste të tilla nuk e ngopin dot Botën. Jo. Nuk e ngopin. Por e ndihmojnë, e
shtyjnë të ndryshojë, mbjellin shpresë, dërgojnë mesazhe. Dhe ka gjasa që
paskëtaj, jeta të bëhet më e mirë. Sadopak. Nuk do shumë mend për të gjykuar
cekët, e pra, që problemet e një vendi, të një zone a krahine, mund të jenë të
shumta, të ndryshme, kështu që pjesa e dhuruar e pagës së dikujt apo e disave,
nuk se zgjidh ndonjë gjë të madhe. Kush ndjek këtë logjikë, doemos që ka të
drejtë. Por megjithatë, përtej parimeve të ftohta, ka diçka që nuk mund të
anashkalohet në këtë histori, në të gjitha këto histori.

Sigurisht,
detyra kryesore e një drejtuesi, e një zyrtari të lartë, në pushtetin vendor a
në qendër, është të punojë mirë, të ofrojë për komunitetin politika efikase, të
luftojë për të krijuar një frymë drejtësie dhe paqeje, të mos abuzojë, etj. Por
ndërkaq, edhe gjeste të tilla, dalja qoftë edhe për një hop nga ajo mirëqenie
të cilën, të tjerët, zgjedhësit e tu, nuk e gëzojnë, prapë flet më shumë sesa
vetë paratë. Gjesti flet për një ndërgjegje që punon, për një shpirt që ndjen,
për një zemër që rreh edhe për të tjerët. (Ja pse nuk po ndjekim në këto radhë
tragën e nënvleftësimit dhe të nënqeshjes as mish as peshk, ferrës së vogël pas
së cilës fshihet lepuri i madh i korrupsionit.)

Ndalesë. S’dua
të besoj se nuk ka tek ne punonjës e zyrtarë korrektë dhe që përpiqen ta bëjnë
sa më mirë detyrën e tyre. Nuk fitoj asgjë nëse me penelat e fjalës i shtoj
ngjyrën gri tablosë së vendit tim, pamjeve plot probleme e halle: njerëzore e
natyrore, politike dhe ekonomike, historike dhe artistike. Por nuk mund të mos
kujtojmë se ndërkohë që zotëria boshnjak na fton në një sfidë individuale të
re, pas përfshirjes në këto nisma të një sërë drejtuesve të njohur në disa
vende të Botës, shumë nga zyrtarët tanë, kanë qenë dhe mbeten ende të
panginjur. Atyre jo vetëm që nuk iu shkon mendja të bëjnë gjeste të tilla, por shohin
ku mund të zhvasin edhe më, ku mund të gënjejnë e të mashtrojnë ditën për
diell, ku mund të bëjnë ca para më shumë për vete, për familjet e tyre, më në
fund, ndoshta edhe për partinë e tyre. Ky është përgjithësisht realiteti
shqiptar. Në media e në jetën e përditshme, nuk kanë të mbaruar faktet dhe të
dhënat për abuzime me tokat, me ndërtimet, me pyjet, me njerëzit madje, duke i
vënë ata në radhë e në votim për një çap bukë apo duke iu kërkuar deri edhe
ndere intime.

Në një shkrim të
mëparshëm, kam shprehur mendimin se këtë realitet do ta ndryshojnë breza të
tjerë… E ndjej se mund dhe duhet ta përsëris këtë motiv, sepse hë për hë, është
e pakët lënda ku mund të shoh, të lexoj, të shpresoj për ndryshime e mbrothësi.
Sidoqoftë, gjesti i këtij Fazlliçit ndryshe, ishte një mësim më shumë dhe një
shpresë më shumë, në këto kohë të vështira tranzicioni e përparimesh minimale.

 

Sigal