Si do t’i lajë duart Majko në Samitin e Diasporës?

418

Nga Jeta Dedja

Skandali: Qeveria përzgjedh militantët e saj, si përfaqësues të Diasporës. Nuk fton personalitetet e shquara mbarëshqiptare

Ministri vendimzgjatur i Diasporës Pandeli Majko po i meriton dita ditës më tepër këtë epitet, i fundit njoftim prej tij i postuar dje është shtyrja sërish e vendimit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës. Ligji e ka futur nën zgjedhën qeveritare qëkur ia ka lënë në dorë ambasadave dhe ministrive administrimin dhe procesin e zgjedhjeve. Diaspora do të ndihej më e përfaqësuar nëse do t’i kishte vetë në dorë zgjedhjet e përfaqësuesve të saj.. Pse ka zgjedhur këtë strategji Ministri vendimzgjatur, e cila as në ligj nuk parashikohet? Ndoshta, sepse para se të zgjedhë ndonjë anëtar kot më kot, ministrit (d.m.th. Ramës) i duhet së pari të bindet për devotshmërinë e tij ndaj partisë dhe liderit suprem. Pra, ne ngremë hipotezën se Ministri do të zgjedhë si anëtarë të Këshillit Koordinues më së shumti ata kandidatë të listës që do të marrin pjesë në Samit dhe do të gajasen me batutat bajate të kryeministrit.

Ose ata kandidatë që nuk kanë nxjerrë asnjë status apo qoftë as një tingull për çmendurinë e buxhetit të Samitit të diasporës, i cili është një vjedhje ashiqare publike. Mos vallë është shtruar e larë me flori që kushton mbi 100 milionë lekë? Sikur në Toronto ta kishte prenotuar atë sallë do të kishte kushtuar shumë herë më pak. Po skenografia mbi 170 milionë lekë, për çfarë do t’i shërbejë këtij samiti?  Zërat e tjerë të buxhetit të planifikuar për pritjen e përcjelljen e 800 pjesëmarrësve kanë vlera shumë herë më të ulëta sesa janë shpërndarë për fasadën dhe spektaklin e këtij Samiti. Kjo do të thotë që Qeveria shqiptare, synon që përmes këtij samiti të joshë diasporën me luksin e fasadave shkëlqimplotë. A do të pranojë Diaspora shqiptare të trajtohet si marioneta e radhës në duart e Kryeministrit?