Si do sillet opozita e opozitës

130
Nga Ilir Vata

Në politikën shqiptare ndodhin dhe çudira, përveç opozitës kësaj radhe kemi në politikë edhe opozitën e vetë opozitës, që tashmë njihen me emrin “ata që nuk ishin në listë”. Beteja për ngritjen e opozitës pas aksionit politik përfundoi me një betejë brenda opozitës menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit, ku opozita doli humbëse, pasi kryetarit të partisë më të madhe opozitare i duhej të përballej me garën për postin e kryetarit, që rezultoi me një fitore të thellë përballë rivalit të tij, ish-kryetarit të PD-së. Deri këtu, duket gjithçka mirë, por grupi i kundërshtarëve të Bashës u zgjerua dita-ditës dhe u bë i konsiderueshëm menjëherë pas shpalljes së listave të kandidatëve për deputetë, ku rezultoi se një grup i madh ish-drejtues dhe deputetë të PD-së ishin jashtë gardhit blu. Shumë njerëz të thjeshtë dhe ata që janë jashtë strukturave të partisë më të madhe opozitare e shohin përciptas si një betejë për pushtet, por në fakt është dhe më e thellë, sepse lideri i ri i opozitës ishte në dijeni se të lënët jashtë liste vinin nga foleja e “grerëzave të zeza” që në kohë të diktaturës i kishin shërbyer regjimit, dhe disa prej tyre njihen nga opinioni publik edhe me pseudonimet. Edhe kjo nuk ka rëndësi, sepse çdo ditë e më shumë këta lloj njerëzish që i përkasin një kategorie jo të pranueshme të shqiptarëve po bëhen edhe më pak të vëmendshëm, por ajo që vlen është fakti, se si do të sillen këta në politike, si opozitë e opozitës, apo si shërbëtorë të misionit të tyre të vjetër të Sigurimit të shtetit?! Në fakt ditët e fundit nuk kanë ndenjur duar kryq, por herë pas here kanë dalë në statuset e tyre dhe ndonjëherë edhe në mediet e kundërshtarëve politikë për të dhënë mendime dhe opinione dhe në plan të parë duket sikur po i bëjnë opozitë qeverisë, por në fakt po i bëjnë opozitë vetë opozitës, pra ata vazhdojnë në të tyren të kryejnë misionin e kahershëm të Sigurimit. Ka mendime se do krijojnë një nisëm të re politike, por druhen se fraksionet e kthyera në parti politike ndër vite, kanë dështuar ose janë përthithur brenda partisë ose janë bashkëngjitur me kundërshtarin politik, por në përgjithësi kanë qenë plang prishës të politikës së djathtë.