Shtëpia e Bardhë shpalli Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit

42

Nga Frank SHKRELI

Shtëpia e Bardhë ka shpallur 7 Nëntorin,
100-vjetorin e Revolucionit Bolshevik Rus më 1917, si Ditën Kombëtare të
Viktimave të Komunizmit, në kujtim të 100 milion personave të vrarë shekullin e
kaluar nga regjimet komuniste, anë e mbanë botës. Ishte 100 vjet më parë që një
grup i vogël rojesh të kuqe nën udhëheqjen e Vladimir Leninit morën nën
kontroll Pallatin Dimëror në Petrograd të Rusisë, duke themeluar kështu regjimin
e parë komunist në botë, bazuar në një ideologji që shënoi fillimin e
masakrimit, prej pothuaj një shekulli, të më shumë se 100 milionë viktimave të regjimeve
shtypëse të bazuar në ideologjinë komuniste, e të cilat kryen disa prej
krimeve më të tmerrshme që ka njohur historia
e njerëzimit.
Në një artikull mbi këtë ngjarje kam
shënuar muajin e kaluar se me
rastin e këtij
përvjetori, Fondacioni Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit me qendër
në Washington, me 7-9 të këtij muaji organizoi në kryeqytetin e Shteteve të
Bashkuara, ceremoni përkujtimore dhe konferenca akademike, ku morën pjesë
anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe një numër ekspertësh dhe
historianësh të dalluar në këtë fushë, të ardhur nga Evropa dhe nga Amerika. Në
njoftimin për zhvillimin e punimeve me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit
Bolshevik, Fondacioni në fjalë është shprehur, që “Do të mblidhemi për të nderuar
kujtimin e më shumë se 100 milionë viktimave të komunizmit, njëkohësisht, edhe për
të festuar lirinë atje ku ka triumfuar tanimë, por edhe për të vazhduar
përpjekjet tona, për një botë të lirë nga komunizmi.”
Këtij kujtimi treditor në Washington, të
Viktimave të Komunizmit, iu bashkua edhe Administrata e Presidentit Trump me
një deklaratë që lëshoi në emër të administratës, me këtë rast, për medien,
Zyra e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë duke deklaruar se, “Sot, është Dita
Kombëtare e Viktimave të Komunizmit, ditë e cila shënon 100-vjetorin e
Revolucionit Bolshevik në Rusi. Revolucioni Bolshevik themeloi Bashkimin
Sovjetik dhe shënoi fillimin e disa dekadave të errëta të komunizmit shtypës,
një ideologjie politike, e papajtueshme me lirinë, begatinë dhe dinjitetin e
jetës njerëzore”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë me të cilën u
njoftua shpallja e 7 Nëntorit si Dita Kombëtare e Viktimave të Komunizmit, në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 Memoriali në kryeqytetin amerikan Washington DC, në kujtim të
viktimave të komunizmit botëror, mban mbishkrimin me fjalët kushtuar, “Më shumë se 100-milionë viktimave të
komunizmit dhe të gjithë atyre që duan lirinë
” dhe mbishkrimin tjetër
kushtuar, “Lirisë dhe pavarësisë së të
gjithë kombeve dhe popujve të robëruar”.

 “Gjatë
shekullit të kaluar”, thuhet më tej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, “Regjimet totalitare komuniste anë e mbanë
botës kanë vrarë më shumë se 100 milionë veta dhe kanë shfrytëzuar, dhunuar dhe
shkaktuar dëme të papërshkrueshme për miliona të tjerë. Këto lëvizje, nën
pretendimin se ishin lëvizje çlirimtare, kanë shkelur, sistematikisht, të
drejtat e njerëzve të pafajshëm, dhënë atyre nga Perëndia, siç janë liria e
fesë, liria e asociimit dhe një numër lirish të tjera bazë të njeriut që ne i
konsiderojmë si të shenjta.

 https://tse3.mm.bing.net/th?id=OIP.vco2yekU1U4X27QQSzm48g4l7i&pid=Api

Në deklaratën e Zyrës së Shtypit të Shtëpisë së Bardhë kujtohen viktimat e
komunizmit si dhe ata që trimërisht dhe me kurajë kanë përhapur fjalën e lirë
anë e mbanë botës, duke theksuar se, “Sot
ne kujtojmë ata që kanë vdekur si dhe ata që vazhdojnë të vuajnë nën komunizëm.
Në kujtim të tyre dhe në nder të atyre që kanë luftuar trimërisht për të
përhapur lirinë dhe mundësitë për një jetë më të mirë anë e mbanë botës, Kombi
ynë rithekson angazhimin e patundur për të mbajtur të ndezur dritën dhe flakën e
lirisë, për të gjithë ata që dëshirojnë dhe shpresojnë për një të ardhme më të
mirë dhe më të lirë”
, përfundon deklarata me të cilën Shtëpia Bardhë
njoftoi shpalljen e 7 Nëntorit si Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit,
anë e mbanë botës.

Fondacioni
Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, që për tre ditë me radhë
mbajti ceremoni dhe konferenca akademike përkujtimore në Washington me pjesëmarrës
nga mbarë bota, – përfshirë edhe Gentiana Sula, Drejtoreshë e Autoritetit të
Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe Simon Mirakaj, anëtar i këtij
institucioni, ardhur nga Shqipëria – duke reaguar ndaj njoftimit të
administratës Trump, tha se në Shtetet e Bashkuara nuk kishte, deri tani, një
ditë kushtuar kujtimit të viktimave të komunizmit në botë. Si rrjedhim, Marion Smith Drejtori Ekzekutiv i këtij
Fondacioni, një ent i të drejtave të njeriut dedikuar kujtimit të atyre që
vdiqën dhe vuajtën nën regjimet komuniste, si dhe atyre që vazhdojnë të jetojnë
nën regjime komuniste, e priti mirë deklaratën e Shtëpisë së Bardhë që caktoi 7
Nëntorin si Ditën Kombëtare Në Amerikë,të Kujtimit të Viktimave të Komunizmit
në botë. Në një deklaratë për medien, Fondacioni në fjalë u shpreh se, “Amerika nuk ka pasur kurrë më parë një ditë
të tillë dedikuar viktimave të komunizmit. Për këtë arsye,nuk mund të kishte
një datë më të përshtatshme se këtë ditë për të njoftuar këtë vendim – me
rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik
.” Presidenti i Fondacionit
Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit shfaqi gjithashtu solidaritetin
e tij me, “të gjithë ata që vazhdojnë të vuajnë nën komunizëm.” Shtëpia e
Bardhë e bëri deklaratën me të cilën shpalli Ditën Kombëtare të Kujtimit të
Viktimave të Komunizmit një ditë para se Presidenti Trump të nisej për në
vizitën e tij 12-ditëshe në Azi, përfshirë Kinën komuniste.
Kur u pyet,
nëse deklarata e Shtëpisë së Bardhë me rastin e përvjetorit të Revolucionit
Bolshevik dhe për dënimin e komunizmit mund të shkaktonte ndonjë problem në takimin
e Presidentit Trump me udhëheqësin kinez Xi, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë
i tha revistës së njohur amerikane Newsweek, se deklarata mbi viktimat e
komunizmit u bë në kohën e duhur, “për të venë në dukje angazhimin tonë ndaj
lirisë dhe të drejtave të njeriut.” Megjithëse dy
tre javë më parë kur kisha shkruar një artikull mbi 100-vjetorin e Revolucionit
Bolshevik, nuk e dija se Shtëpia e Bardhë do të shpallte 7 Nëntorin si Ditën
Kombëtare të Kujtimit të Viktimave të Komunizmit, por po e përsëris pretendimin
tim, se edhe Shqipëria dhe Kosova, por edhe shqiptarët anë e mbanë trojeve të
tyre në Ballkanin Perëndimor – si komb – kanë vuajtur më së shumti në Evropë
nga komunizmi sllavo-aziatik. Pas më shumë se një çerek shekulli që prej
shembjes së komunizmit, të pakën de jure në mos de facto, udhëheqësit e këtij
kombi
e kanë për detyrë që, të pakën, aq sa bëri Washingtoni
zyrtar, që nuk ka vuajtur kurrë nga komunizmi, të tregojnë më në fund,
gatishmërinë dhe seriozitetin e tyre moral, si përfaqësues të këtij kombi sot
dhe t’i kushtojnë rëndësinë e duhur kujtimit të viktimave të komunizmit dhe si
rrjedhim edhe pajtimit kombëtar, duke venë në vend drejtësinë për viktimat e atij
regjimi – të gjallë e të vdekur në Shqipëri dhe në Kosovë – ashtu siç kanë bërë
shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore. Ky duhet të
jetë një obligim solemn mbarë kombëtar shqiptar, një angazhim serioz dhe i pa
hile i autoriteteve qeveritare dhe shtetërore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe
në Kosovë, në qoftë se kombi shqiptar dëshiron të shkojë përpara, krah për krah,
me kombet që kanë vuajtur nga ai regjim. Caktimi i një Dite Mbarë Kombëtare për
Kujtimin e Viktimave të Komunizmit në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk kushton asnjë
lek, por kërkon kurajë morale, vendosmëri dhe vullnet serioz për të kujtuar
viktimat e shumta të komunizmit, anë e mbanë trojeve shqiptare, duke u
përballur gjithashtu edhe me të kaluarën komuniste, me qëllim për të zbardhur
njëherë e mirë krimet dhe viktimat që e pësuan edhe me jetë
nga ai regjim i imponuar sllavo-aziatik.

*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë