Qemal Lame: Shteti i sovranit apo i guvernatorëve?!

519
“Shteti dhe politikanët shqiptarë, kërkohet që të mbajnë qëndrime sovrane” 
Opinioni publik dhe politika shqiptare vazhdojnë të referohen, të japin mendime, si dhe të mbajnë edhe qëndrime për komunikimin publik të ambasadorit amerikan dhe prokurorit të përgjithshëm shqiptar. 

Vlerësojmë dhe mbështesim qëndrimin e drejtë dhe kritikën publike që bëhet hapur e për herë të parë nga një ambasador amerikan, ndaj qëndrimeve dhe veprimtarisë së prokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë.

Opinioni publik shqiptar orientohet drejt kur flitet qartë dhe në mënyrë të adresuar.

Politikanët shqiptarë ballafaqohen me qëndrime zyrtare amerikane që nuk lënë vend për interpretime të njëanshme politike.

Prokurori i Përgjithshëm vuri në dukje problemet shqetësuese me anë të zëdhënëses, por nuk reagojë me përgjegjësi vetë duke publikuar qëndrimin e tij zyrtar. Në emisionin Opinion, ai u mundua të japi argumente, por nuk u vlerësuan të plota dhe kompetente për një zyrtar të lartë si ai.

Vlen të theksohet, se akuza për ndërhyrje nga ambasadori amerikan, për hetimin e shpërdorimeve nga kompania “Bankers”, nuk ishin të argumentuara dhe të mbështetura në prova ligjore. Prokuroria nuk arriti të akuzojë fajtorët kryesorë, nuk dërgoi çështjen në gjykatë. Prokurori i Përgjithshëm, nuk reagoi në kohë zyrtarisht për interesimin e bërë nga ambasadori amerikan dhe biznesmenin me të cilin ai bisedoi. 

Reagimet e prokurorit të përgjithshëm, të disa politikanëve opozitarë dhe ndonjë analisti që i mbështet, nuk përkrahen, përkundrazi vlerësohen si të nxituara dhe të padrejta nga opinioni publik.

Njëkohësisht, tërheq vëmendjen toni i ashpër akuzues i ambasadorit amerikan. Problemet publikohen me të drejtë, por ndjehet se rëndojnë më shumë se sa duhet qëndrimet e prokurorit të përgjithshëm dhe personalitetin e tij si zyrtar i lartë shtetëror, privatësinë e personale dhe të familjes Llalla.
Në jetën e përditshme politike, shtetërore dhe deri në problemet shoqërore, konstatohet një demonstrim i fuqishëm i veprimtarisë konkrete për probleme të rëndësishme deri edhe të zakonshme të jetës shtetërore e shoqërore shqiptare nga ambasadorët e huaj, veçanërisht nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Pas ambasadorit amerikan, dallohet për ndërhyrje të kësaj natyre edhe ambasadori i Bashkimit Evropian. 
Në raste të veçanta, ka ndërhyrë edhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë. 
Më pak ndërhyjnë dhe deklarohen publikisht, bëhen nga ambasadorët e Francës, Anglisë, Italisë etj.
Zyrtarët e lartë të shtetit dhe politikanë, si dhe populli në tërësi kanë mirëpritur dhe mbështetur interesimin dhe ndihmën amerikane, evropiane dhe të shteteve të tjera partnere në realizimin e reformave.

Është pranuar dhe ndodh rëndom përditë edhe ndërhyrja konkrete e këtyre ambasadorëve në problemet që shqetësojnë konkretisht vendin.

Në opinionin publik, konstatohet se ndërhyrja e ambasadorëve tejkalon kriteret normale të komunikimeve zyrtare. 

Vihet re me shqetësim, se zyrtarët dhe politikanët, kërkojnë mbështetje dhe bëjnë interpretime të njëanshme të qëndrimeve të shteteve partnere dhe konkretisht të ambasadorëve të tyre në vendin tonë. 

Qëndrime të kësaj natyre, konstatohet haptazi nga opinioni publik, sidomos për reagimet, pengesat dhe deri qëllimet e nënkuptuara për sabotimin e Reformës në Drejtësi.

Interpretimet e njëanshme e jo të sakta të qëndrimeve të partnerëve ndërkombëtarë, po dëshmohen edhe në luftën politike, që po zhvillohet edhe për zgjedhjet e 18 qershorit 2017.

Në rastet e sukseseve, politikanë shqiptarë u bëjnë elozhe vetvetes. 

Ndërsa për vështirësitë dhe pasojat e rënda, referohen dhe kërkojnë zgjidhje menjëherë tek ambasadorët, apo bëjnë interpretime të njëanshme publike dhe vënë theksin me zë të lartë në favor të qëndrimeve të tyre dhe shmangies së përgjegjësisë personale, zyrtare apo partiake.

Është krijuar de fakto, dyshimi dhe bëhen edhe akuza se cenohet sovraniteti shtetëror, marrëdhëniet shtetërore të Shtetit Shqiptar, kritikohen se janë në pozita të dukshme vasaliteti, të sistemit shtetëror të protektoratit dhe të drejtimit me anë të guvernatorit.
Konstatojmë me shqetësim dhe keqardhje, se sovraniteti kombëtar dhe integriteti i personaliteteve tona shtetërore e politike në shumë drejtime dhe për probleme me rëndësi kombëtare, është në nivele jo dinjitoze. Sot është dita e 16 e grevës së urisë në Zharëz ( Patos-Marinzë! Reagimi shtetëror është i pamjaftueshëm, për të mos thënë indiferent. Mund të thuhet se, të gjithë kanë frikë të venë, sepse duket sikur kanë frikë nga ambasadorët apo ndërmjetësit e tyre biznesmenë . Është më shumë se fatkeqësi për grevistët, popullin e zonës dhe opinionin e gjerë publik. Askush nuk duhet të pasurohet dhe të ngrejë lumturinë e tij mbi varfërinë dhe torturën e njerëzve të varfër. Është e dënueshme penalisht, që të konstatosh dhe të mos marrësh masa të rrepta ligjore ndaj Bankers. Te deklarosh si Bankers 10 vjet me humbje, pa paguar tatime nuk të fal njeri në botën e qytetëruar, por shumë të rreptë dhe agresive kur nuk respektohen ligjet dhe dëmtohen interesat kombëtare. Behet fjale për miliona e miliarda euro, ndërkohë futen në burg njerëzit e thjeshtë për pagesën e ujit dhe energjisë, sepse mungon nxjerrja e Minimumit Jetik. Opinioni publik shqetësohet edhe për lobingun e “Soros’ që është i shpërndarë dhe si zinxhirë shtrëngojnë radhët e tyre. Asnjë fjalë, asnjë qëndrim publik, nuk dëshmohet nga ambasadorët e shteteve tona partnere për koncesionet, shërbimet shtetërore e private, gjendjen në mjekësi, dhe shumë shërbime janë dhenë për fitime me emrin e ri PPP ( Partneritet Publik Privat). Asnjë fjalë për drogën dhe tonelatat që transportohen drejt shteteve perëndimore .A ka përgjegjës? Po pse nuk e thonë ambasadoret? Jo me kënaqësi, arrijmë në përfundimin se edhe ambasadorët mbajnë qëndrim preferencial.
Shqipëria si shtet i pavarur, zyrtarët dhe politikanët e lartë shqiptarë kërkohet të vlerësojnë integritetin dhe pavarësinë e tyre kushtetuese. Ata kërkohet të dëshmojnë niciativën dhe përgjegjësinë në realizimin e detyrave funksionale kushtetuese, si dhe çdo veprimtari tjetër shtetërore e politike.

Shtetet partnere dhe ambasadorët e tyre, është e nevojshme të vazhdojnë mbështetjen për reformat për integrimin evropian dhe euro atlantik. Megjithatë, duhet të ruhen edhe raportet zyrtare për të dëshmuar publikisht pavarësinë dhe vetëveprimin e shtetit dhe të institucioneve shqiptare, njëlloj siç veprojnë edhe vetë në vendin e tyre.

Marrëdhëniet e barabarta midis zyrtarëve dhe politikanëve shqiptarë dhe atyre të shteteve partnere, do të risi edhe më tej partneritetin dhe suksesin në angazhimet e përbashkëta politike dypalëshe dhe ato shumëpalëshe, aleancat e kontributet e përbashkëta në shërbim të paqes, miqësisë e bashkëpunimit ndërshtetëror. 
21 shkurt 2017
Sigal