Qemal Lame: Maqedonia stabilizohet me plotësimin e të drejtave të shqiptarëve

59
Zhvillimet politike tregojnë, se është e domosdoshme garantimi me Kushtetutë i të drejtave të shqiptarëve, vendosjes së barazisë në marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase, si dhe të realizohet një regjistrim i popullsisë për të mësuar numrin real të shqiptarëve të Maqedonisë.
Kriza politike aktuale në Maqedoni u shkaktua kryesisht nga politika nacionaliste sllavomaqedonase e kryesuar nga VMRO, e nxituar edhe nga ekspansioni i Rusisë në Ballkan. VMRO dëshmon hapur antishqiptarizmin, nënvleftëson barazinë, bashkëpunimin dhe miqësinë ndëretnike, si dhe kërkon të krijojë dhe imponojë padrejtësisht historinë e fallsifikuar mbi lashtësinë e hegjemoninë e “kombit maqedonas”, të injorojë e mohojë historinë dhe qytetërimin e lashtë të shqiptarëve etnikë në trojet e tyre. Për këto arësye, politikanët nacionalistë maqedonas, manovrojnë dhe manipulojnë me të gjitha mjetet për të mos lejuar të njihen zyrtarisht të drejtat e shqiptarëve për gjuhën dhe statusin shtetformues. 
Nacionalizmi dhe pushteti autoritar rrezikojnë shpërbërjen e Maqedonisë shumëkombëshe
Kriza politike në Maqedoni, e ka zanafillëne saj që nga viti 2014. Ajo kulmoi në vitin 2016 me aferën e përgjimeve, luftën për pushtet, zgjedhjet e parakohëshme dhe veprimtarinë e Prokurisë Speciale për të vënë para përgjegjësisë penale politikanët fajtorë, dekretin presidencial për të falur padrejtësisht politikanët që kanë urdhëruar përgjimet, kanë zhvilluar korrupsion, fshehur pasurinë e paligjshme në bankat në shtetet e tjera etj. Lufta politike nxitet në mënyrë demonstrative me motive nacionaliste dhe rrezikon me pasojat me raportet ndëretnike.

Marrëveshja politike ndërmjet katër partive shqiptare, më 7 janar 2017, do të vinte në fokus problemin shqiptar dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit politik e shoqërore të shtetit në Maqedoni. Marrëveshja e shqiptarëve, tronditi politikën tradicionale dhe i dha goditje nacionalizmit. Gruevski dhe Ivanov, reaguan të alarmuar dhe akuzuan padrejtësisht për platformë të Tiranës dhe për ndërhyrjen e kryeminstrit Edi Rama në punët e brendshme të Maqedonisë Marrëveshja e partive shqiptare me partinë LSDM e kryesuar nga Zoran Zaev, krijuan kushtet për mbledhjen e Kuvendit, zgjedhjen e kryetari shqiptar Talat Xhaferri dhe krijimin e kushteve për formimin e Qeverisë së Re. Dhuna barbare u ushtruar, më 27 prill 2017, në Kuvend, nga nacionalistët ndaj deputetëve dhe gazetarëve, dëshmoi agresivitetin e forcave regresive nacionaliste të kryesuara nga Nikolla Gruevski. Marrëveshja e katër partive politike shqiptare, tronditi politikën e deritanishme nacionaliste të Nikolla Grevskit, me dy kërkesat për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe vazhdimin e procesit të integrimit euroatlantik të Maqedonisë duke plotësuar kushtet e njohura për anëtarësimin në BE dhe në Nato. Kërkesat e drejta të shqiptarëve, nuk është arritur të programohen dhe të kërkohet me forcë ndryshimi i realitetit. Në bisedimet për zgjidhjen e krizës dhe marrëveshjet për mbledhjen e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së Re, kuptohet se u bënë lëshime dhe kërkesat e shqiptarëve nuk morën vendin e domosdoshmëm. Partitë politike shqiptare është e domosdoshme që të qartësojnë programin politik për të realizuar të drejtat themelore të kombit shqiptar të njohura dhe të pranuara edhe ndërkombëtarisht. Në këto momente historike për Maqedoninë, shqiptarët, maqedonasit dhe gjithë kombësitë e tjera, është e domosdoshme të vihen bazat kushtetuese të marrëdhënieve të barabarta midis kombësive, evidentimit të saktë të statistikës demografike, statusit kushtetues dhe gjuhës zyrtare shqipe të kombit shqiptar. 
Marrëdhëniet midis shqiptarëve e maqedonasve, si dhe të drejtat e shqiptarëve nuk kanë marrë zgjidhje zyrtare edhe 15 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit
Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar në Shkup, cila është arritur me ndërmejtësimin e partnerëve ndërkombëtarë, nuk është zbatuar në parimet e e saj më kryesore. 
Së pari, gjuha shqipe duhej të ishte zyrtare në Maqedoni. 
Së dyti, statusi shtetformues dhe përfaqësimi proporcional i shqiptarëve në institucione. Së treti, barazia në hartimin dhe zbatimin e buxhetit shtetëror.
Zhvillimet politike tregojnë, se është e domosdoshme garantimi me Kushtetutë i të drejtave të shqiptarëve, ridefinim i barazisë së marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, si dhe të realizohet një regjistrim i popullsisë për të mësuar numrin real të shqiptarëve të Maqedonisë.
Këto probleme parimore përbëjnë shkakun e krizave dhe njëkohësisht janë masat e arësyeshme dhe të domosdoshme për zgjidhjen e krizës, normalizimin e veprimtarisë shtetërore, si dhe ruajtjes së raporteve ndëretnike. Partitë politike shqiptare është e domosdoshme të bashkëveprojnë me unitet për realizimin e këtyre çështjeve jetike për shqiptarët dhe të ardhmen në shtetin e përbashkët me maqedonasit. Modaliteti i ndërtimit dhe funksionimit të Qeverisë së tanishme, është një arritje që kërkohet të mbrohet dhe të përmirësohet në të ardhmen. Për ballancimin e mbrojtjes së të drejtave kombëtare, është e nevojshme rritja e kompetencave të ministrave apo të zëvendësministrave për të drejtën e vetos ndaj ministrave dhe anasjelltas.
Ka rëndësi të vlerësohet shqetësimi, se partitë politike shqiptare nuk kanë mundur të realizojnë shumë të drejta, pasi e drejta e votimit të dyfishtë deri tani është zbatuar vetëm në Kuvend. Ndërsa në Qeveri, në Gjyqësor dhe në Presidencë, imponohet vullneti i njëanshëm i politikës nacionaliste maqedonase, për shkak se nuk parashikohet instrumenti mbrojtës i mbivotimit.
Partitë politike, institucionet shtetërore përfaqësuese dhe partnerët ndërkombëtarë është e nevojshme të reflektojnë në këto drejtime dhe të marrin masa për tu parashikuar për tu zgjidhur nga qeverisjet e ardhshme.
Barazia para ligjit është e domosdoshme, të zbatohet me rreptësi
Publikimi i bisedave të përgjuara të zyrtarëve, tronditi thellësisht politikën dhe opinionin publik maqedonas. Qeveria e kryesuar nga Nikolla Gruevski, kishte shkelur kriteret ligjore dhe përgjonte politikanët e zyrtarët për interesat e ruajtjes së pushtetit dhe ushtrimit të dhunës ndaj kundërshtarëve politikë. Marrëveshja politike ndërmjet katër partive e arritur në qershor 2016, u parashikua se do të ndihmonte për zgjidhjen e krizës së rëndë politike pas publikimit nga ana e opozitës të bisedave të përgjuara të zyrtarëve. Por, edhe një vit e gjysmë nga nënshkrimi i saj, palët nuk kanë arritur të kapërcejnë dallimet parimore. Përkundrazi, ato janë thelluar edhe më shumë pas vendimit të presidentit, George Ivanov, për faljen e zyrtarëve fajtorë për të cilët kishte prova dhe do të fillonte ndjekia penale nga Prokuroria Speciale për mashtrime në zgjedhje dhe shpërdorime tjera. Dekreti i presidentit prej tre javësh ka nxitur protesta të përditshme të shoqërisë civile, ku janë shënuar edhe incidente, përfshirë edhe dëmtimet e një zyre të presidentit.
Kriza politike shpresohet të zgjidhet me mandatimin e Qeverisë së Re
Reagimet e rrepta të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës evidentojnë përgjegjësinë e partive politike dhe institucioneve shtetërore. Ato tërheqin vëmendjen në kërkesat për reflektime ndaj situatës së rënduar politike, qëndrimit të papranueshëm të presidentit Ivanov që nuk pranon kërkesën për formimin e qeverisë nga koalicioni LSDM me katër partitë politike shqiptare, si dhe dhunës së hapur në Kuvend. Mbledhja e Kuvendit dhe zgjedhja e ligjshme e kryetarit Talat Xhaferri, krijuan kushtet e nevojshme ligjore për formimin e Qeverisë së Re. Ivanov nuk ka mundësi ligjore për të penguar krijimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera kushtetuese. Ai duhet të mandatojë krijimin e Qeverisë ose të përballet me shkarkimin nga Kuvendi. Zgjidhja më e drejtë për vetë situatën politike, si dhe zbatimi i Kushtetutës, kërkojnë që Ivanov të vendosi me ndërgjegje dhe të mos ndikojë në acarimin e mëtejshëm të krizës politike dhe institucionale. Maxhoranca e krijuar nga LSDM dhe katër partitë politike shqiptare, ka të drejtën e krijimit të qeverisë dhe të drejtimit të shtetit e të shoqërisë. Opozita është e domosdoshme të pranojë realitetin e rezultatit të zgjedhjeve dhe kritereve kushtetuese për legjitimimin e instuticioneve të larta shtetërore përfaqësuese, të respektojë të drejtën e maxhorancës për qeverisjen e vendit, të mos nxisi nacionalizmin dhe veprat e dhunës, të japi kontributin e nevojshëm në Kuvend. Me ndihmën amerikane, duket se presidenti Ivanov po fillon të bëjë lëshime. Për të dhënë mandatin për krijimin e Qeverisë, Ivanovi kërkon garanci nga Zoran Zaev për forcimin e stabilitetit të shtetit dhe mënjanimin e dhunës. Miratimi i Qeverisë së Re dhe realizimi i reformave të programuara duke garantuar edhe bashkëpunimin me opozitën, do të mundësojë qetësimin e gjendjes dhe mënjanimin e krizës politike. Fajtorët për situatën e krijuar është e domosdoshme të vihen konkretisht dhe me rreptësi para përgjegjësisë ligjore. Në këtë situatë është e nevojshme që partitë politike shqiptare të vazhdojnë kujdesin për ruajtjen e stabilitetit politik e shoqëror, të mbështesin krijimin e institucioneve të reja shtetërore, të dëshmojnë vendosmërinë në realizimin gradual të marrëveshjes për të drejtat themelore të shqiptarëve me anë të garantimit të tyre me ndryshimet e domosdoshme në Kushtetutë. Nacionalistët e përfaqësuar nga VMRO është e domosdoshme të demaskohen e të izolohen më tej. Në këtë drejtim, japin efekte edhe përjashtimi i kësaj partie nga Unioni i Partive Popullore Evropiane, dënimi i nacionalizmit, fajësimi konkretisht i Nikolla Gruevski duke kërkuar që ai të largohet me turp nga politika aktive maqedonase.