Prof. Dr. Lush Susaj/ Politika i fillon punët me profesorë dhe i përfundon me horra

588
Kështu me pati thënë njëri nga bashkëhartuesit e Programit të Zhvillimit të Bujqësisë, më 9 mars 2012, kur po pinim një kafe pune në katin e katërt tek “Casa Italia”. Që atëherë e deri më sot, për shkak të përkeqësimit të gjithanshëm të bujqësisë, shprehja e mësipërme më është kujtuar me qindra e mijëra herë. Më është kujtuar kaq shumë, sepse ndodhi ajo që në të vërtetë i druheshim e që konsiston në faktin që edhe pas zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013, njëlloj si më parë u bë spostimi dhe mënjanimi ekstrem i përvojës dhe ekspertizës më të mirë të vendit. Në këtë mënyrë, nga politikëbërja dhe vendimmarrja e bujqësisë, u mënjanuan idealistët dhe figurat më të mira të shkencës, të teknologjisë bujqësore, të projektimit dhe studimit, të oponencës dhe të debatit profesional. Më 12 mars 2012, kryetari i opozitës së asaj kohe (sot kryeministër i vendit), në Hotel Tirana Internacional, zhvilloi një takim në të cilin shpalosi programin e bujqësisë që synonte korrigjimet e gabimeve të bëra në 8 vitet e qeverisjes së djathtë. Periudha 2010-2013, është një periudhë e karakterizuar nga arroganca, nga shpërdorimi i projekteve dhe investimeve, fiktiviteti, konspiracioni dhe degradimi i skajshëm i tokës, i ujërave dhe i resurseve të tjera prodhuese. Në atë kohë, në kuadrin e përgatitjeve për këtë takim, saktësisht me datën 9 Mars 2012, njëri nga organizatorët e këtij takimi, me ftoj për një kafe pune dhe konsultimi tek “Casa Italia”. Së bashku me kolegun tim, me të cilin kishim punuar aq shumë për këtë program zhvillimor e bashkëkohor të bujqësisë, shkuam për të diskutuar rreth personaliteteve dhe ekspertëve që do të ishin të ftuar në takimin me kryeministrin (që në atë kohë ishte shefi i opozitës). Pasi lexuam pikat e koncentruara të programit, u fokusova tek lista paraprake e profesorëve të ftuar. U gëzova për faktin se në atë listë, kryesonin emrat e atyre që kishin punuar pa asnjë interes dhe që kishin hartuar një program shpëtimtar për bujqësinë dhe çdo fermer të Shqipërisë. Konkretisht, për atë program që u shpalos me 12 mars 2012, kishin punuar profesor e specialistë të njohur si: Velesin Peçuli, Adem Salillari, Enver Isufi, Xhevat Shima, Vjollca Ibro, Sherif Lushaj, Bardhosh Ferraj, Fatbardh Qilimi, Petrit Topi, Haxhi Balla, etj. Për atë program që u shpalos e që nuk u zbatua asnjëherë, patëm punuar në mënyrë kolegjiale, pa dallime partiake dhe krahinore. Kujtoj faktin se, pavarësisht nga bindjet e mia të djathta, unë mora pjesë dhe bëra programin e zhvillimit të vreshtarisë shqiptare për periudhën 2013-2017. Pasi diskutuam rreth dy orë mbi shqetësimet e bujqësisë, e komplimentova Fredin për përpjekjet që kishte bërë dhe po bënte për unifikimin e ideve zhvillimore dhe për mbarëvajtjen e takimit të programit të bujqësisë që u mbajt, më 12 mars 2012.
Pas komplimenteve, Fredi me pa me vëmendje dhe mu përgjigj duke me thënë: “për këtë program jemi lodhur aq shumë, për fatin tonë të keq, në politikën tonë ndodh një fenomen i tillë, ku puna fillohet me profesorë, me programe dhe ide të mira, e pas fitores e gjithë kjo punë degradohet në horra, në dosje konferencash idiote dhe në statistika fiktive”
Dhe kështu ndodhi, në këto dy vjet kemi pa e dëgjuar për ulje të çmimeve të shitjes së prodhimeve bujqësore, për degradim të qendrave të grumbullimit në matrapazëri, për kalbjen dhe hedhjen e prodhimit në kanal, për rritjen e çmimeve të mekanikës bujqësore, të farave dhe të pesticideve, për përmbytjet e shkaktuara nga grykësia dhe hajnia njerëzore, etj. 
Në këto vite…
Në këto vite kemi parë e dëgjuar për mungesën e plotë të subvencionit të drejtpërdrejtë të prodhuesve dhe fermave. Në këto vite kemi parë e dëgjuar për aq shumë konferenca dhe simpoziume bajate që u organizuan vetëm për të bërë fotografi dhe kaseta filmike në shërbim të shpërdorimit të projekteve dhe investimeve që avullojnë pa lenë asnjë gjurmë. Të mos harrojmë se projektet dhe investimet e vjedhura, janë dhe do të mbetën baza e papunësisë, varfërisë dhe eksodit të banorëve të zonave rurale drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera. Madje, njëlloj si në qeverisjen e mëparshme, ka patur një bum konferencash idiote edhe për vreshtarinë dhe verëtarinë, një SHOË që ka shërbyer dhe po shërben vetëm sa për të justifikuar shpërdorimin e projekteve të BE në vreshtat e rajonit të Shkodrës e më gjerë. Në këto takime konspirative, për të mënjanuar specialistët dhe profesorët e fushës, u sollën nga SHBA ish profesor të UBT të cilët jetojnë prej 25 vjetësh atje, e që gjatë kohës që kanë dhënë mësim në UBT, nuk janë marrë asnjë orë dhe asnjë ditë me vreshtarinë e as me enologjinë. Kjo është ajo praktika degraduese e shpërdoruese e këtyre 25 vjetëve, është një maskaradë që i ka shërbyer dhe po i shërben vetëm fiktivitetit dhe shpërdorimit galopant në investimeve dhe projekteve në bujqësi. Në vazhdën e kësaj tradite shkatërruese dhe diskredituese është edhe konferenca e zhvilluar para pak ditësh për bujqësinë, si gjithmonë e organizuar nga njerëz që nuk kanë asnjë përvojë apo njohje mbi bujqësinë, e ku përsëri nuk u ftuan dhe nuk morën pjesë asnjë nga profesorët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, madje as përfaqësues të qeverisë nga pritën prioritetet, fondet dhe lejet e shfrytëzimit. Kështu, ky takim i njohur i shushunjave të projekteve dhe investimeve në bujqësi, bëri edhe një përpjekje për të shitur sapunin për djathë, duke zhvilluar një konferencë gjasme për bujqësinë, nga e cila mënjanua përsëri Universiteti Bujqësor, që është dhe do të mbetet institucioni me kapacitetet dhe ekspertizën më të mirë të vendit.
Plane plot, realizime bosh
Në këtë mënyrë, nëse gjatë qeverisjes së djathtë u hartuan plane e rrena për arrorët e gështenjën, për të cilat nuk u punua as edhe një ditë, u hartuan dosje për strategji, kadastra e studime që nuk i duhen askujt, për kanale e sistemime që nuk i pa askush, etj, në këtë qeverisje u avancua deri me betejën imagjinare me minjtë, me karkalecat, me qendrat e kooperativat imagjinare të grumbullimit, me rajonizimet e kryera nga dritarja e zyrave, me traktorë e ruspa që nuk i duhen askujt sepse bëjnë vetëm për skrap, me fara, fidanë e pesticide pa kontroll e pa siguri, etj. Madje do të mbahet mend edhe për eksperimentet e kudondodhura të zëvendësimin e agronomit me sh oficerë të ushtrisë, zëvendësimin e kryeagronomit me elektroaut makinash e mësues fizkulture, me zëvendësimin e inxhinierit të pyjeve me mjek pediatër, etj. Në këto kushte, të shpresosh për ringritje e zhvillime pozitive në bujqësi, nga varet punësimi, mirëqenia dhe stabiliteti demografik, është një lajthitje, është një ngjarje e pamundur. Kështu ndodhi edhe me konferencën e fundit që u mbajt në Tirana International, në të cilën mungonte Universiteti dhe Qeveria, e ku, përsëri nuk u fol asnjë fjalë për mungesën e komisionit parlamentar për bujqësinë, as për mungesën e sektorit dhe politikave të mekanizimit të bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë, as për kohën dhe mënyrën se si do të zgjidhet problemi me pronësinë e tokës nga varet edhe financimi aktual i bujqësisë organike nga SARED dhe GIZ, etj. Për më keq, vetëm njëri që ishte me profesión jurist foli pjesën më të madhe për prodhimet organike në një kohë që asnjëri nga ata nuk është marrë kurrë me bujqësinë organike. Ndodh kështu sepse në këto 20 vjet është bërë e zakonshme që të flasin të gjithë, përjashtuar profesionistët e mirëfilltë të fushës, kështu janë stimuluar dhe po stimulohen servilët e korridoreve të ministrive që nuk njohin asnjë elementë bashkëkohor të teknologjisë, standardeve as tregjeve. Në këtë mënyrë, unë bëj pjesë në ata njerëz që mendojnë se ka ardhur koha për të stopuar shpërdorimet dhe degradimin e mëtejshëm të situatës në bujqësi. Është koha që zgjidhja e problemeve tekniko-organizative të adresohet tek institucionet që kanë kapacitetet dhe ekspertizën më të mirë. Përndryshe, papunësia dhe varfëria do të bëhen një barrë e papërballueshme për popullin dhe qeverisjen e vendit.
Sigal