Mark TOPOLLAJ/ Revolucioni demokratik dhe Edi Rama kryeminister

110


Fjala e Edi Ramës ishte një kushtrim, një thirrje për drejtësi shoqërore

*kineast

Shqiptarët janë njerëzit e detit. Ky det që na ndan, por dhe na bashkon me Europën. Na bashkon me historinë, me rilindjen e me romanticizmin. Por Shqipëria e vendosur në një qoshe të botës vuante plagët e komunizmit, i cili krijoi një shtet semibarbar. Lufta e klasave u reflektua në thelbin e botëkuptimit proletar pa proletar. Shqipëria vazhdon rrugën e dhimbjes së zezë. Harmonia e gëzimi familjar ishte një shtrëngatë që buzëqeshte me ironi. Iluzionet e rinisë ishin të shkarravitura. Mbretëronte një heshtje e pa vërtetë. Populli villte gjak. Mendësia njerëzore e ka të pamundur për ta shmangur këtë gjendje. Parajsa shqiptare është përballja me tokën e djegur. Në këtë vend është krijuar një harmoni perfekte midis djersës së viteve dhe lotëve të dhimbjes. Sytë e shqiptarëve në këtë qoshe të universit ishin shprehës. Ata kërkonin të dilnin nga netët komuniste. Kjo utopi krijoi njerëz që nuk i donin njerëzit. Kjo quhej akt politik ose akt i dhimbjes fizike të shqiptarëve. Në këtë gjendje represioni dhe varfërie e gjeti Shqipërinë viti 1985. Bota lindore filloi të ndërgjegjësohet. Filloi lirimi i disa të burgosurve në Bashkimin Sovjetik. Në vendet komuniste pati protesta të mundshme. Në Nëntor të vitit 1985 u takuan në Gjenevë Regan dhe Gorbaçov. Për herë  të parë u hodh ideja e rënies së murit të Berlinit. Në Shqipëri shihet një revolucion viziv i pashpallur Island- Rekjavik. Viti 1986. Këtu u përsërit më fort se çdo mur duhet të bjerë. Në Poloni e Çekosllovaki fillojnë grevat kundër sistemit që krijoi dëshpërim total. Në Shqipëri propagandohen arzat dhe tufëzat. Në Bashkimin Sovjetik u lirua Pastermak dhe u rehabilitua Dostojevski. Në Shqipëri frenohej çdo nostalgji për të kaluarën. Gjeniun e kombit Gjergj Fishtën vazhdojnë ta quajnë tradhtar. Në shtëpinë e Bardhë u ngjit Xhorxh Bushi. Një burrë i fortë. Në Shqipëri akoma kultivohet arkeologjia e mendësisë kriminale. Në vendet socialiste si: Hungari, Rumani, Bullgari, protestat po merrnin përmasa të mëdha. Në Shqipëri kuptimi i termit komunist prodhonte trishtim e dhimbje. Në Kinë piaca Tien-An-Men u la me gjak. Makinat e hekurta i futën nën rrota fëmijët e tyre. Në Shqipëri shkelësit e kufirit i vrisnin pastaj i tërhiqnin zvarrë. Në 16 gusht të vitit 1989 u ribë rivarrimi i Imre Nagit në Budapest. Në Shqipëri Ramiz Alia hedh idenë e pluralizmit me organizatat e masave. Prezantohet edhe njëherë egoizmi komunist. Në aeroportin e Rinasit vjen Nënë Tereza ku pak vite më parë nuk iu dha leje për të përcjellë nënën e vdekur. E priti e veja e diktatorit.  Një paradoks ekstrem. Më 9 nëntor 1989 ra muri i Berlinit. Ky mur i rrëzuar u bë prelud i rënies së shteteve totalitare në të gjithë botën. Edhe Shqipëria filloi të lëvize gjymtyrët e lodhur. Intelektualët e Kinostudios tundën dyshemenë e Komitetit Qendror me anën e një letre të hapur. Në letër theksohet që simbolet e edukimit duhet të bazohen tek dhuntitë kombëtare dhe jo tek politizimi i jetës. Por logjika e diktaturës nuk pranoi polemika. Këta intelektualë i cilësoi si grupazh dhe si të tillë duhen veçuar. Por Shqipëria nuk është e veçuar nga bota. I sulmuan ambasadat. Rinia hoqi nga koka parabolën komuniste. U shqye parandalesa mendore dhe u trondit heshtja. Gjethet  e vjeshtës murmurisnin nga lëvizja e erës dhe ngrinin flladin e lirisë tek masat popullore. Filloi revolucioni i dhjetorit. Ishte ftohtë. Binte shi. Lagështia në këto dite vjeshte përzihej me flokët e borës, një borë e ngjyrosur. Mbi këtë ambient krejt balte lëviznin qytetarë si nimfa. Në sytë e tyre dallohej urrejtja e shpresës njëkohësisht për një përmbysje të madhe. Presin që shpresat e ëndrrave të tyre të triumfojnë. Çfarë mbetet për një njeri në qoftë se ia pret shpresën. Përgatitej mitingu i intelektualeve. Organizator ishte ish -Kinostudio, qendra e intelektualëve demokratë. Forcat njerëzore po përgatisnin teknikën e nevojshme për t’ia transmetuar publikut. Regjisori Saimir Kumbaro sillte informacione shoqërore nga Instituti i Arteve. Atje ishte krijuar një bërthamë e fortë demokratike nën drejtimin e Edi Ramës. Motoja e këtij grupi ishte luftë kundra së keqes pa Ramiz Alinë. Komunisti që lufton ideologjinë e vet është paradoksale dhe e pabesueshme. Sali Berisha po përgatitej të dilte në krye të Partisë Demokratike me ndihmën e Ramiz Alisë me sloganin luftë kundra komunizmit. Ai bënte punën e kryetarit pa qenë kryetar dhe veshi pardesynë e bardhë dhe nuk e hoqi kurrë. Puna e tij ishte rruga që bënte për te zyra e Presidentit Alia. E bënte tre herë në ditë. Me porosinë e Presidentit mblodhi në Partinë Demokratike vetëm njerëzit e nomenklaturës. “Të përndjekurit politikë nuk duhet as të afrohen tek partia jonë, se duan të na marrin pushtetin”. Ishte porosia e një udhëheqësi të dyzuar ishte porosia e vazhduesit të sëmundjes së izolimit. Shpesh në mbledhje e kam ngritur problemin e lidhjes së Sali Berishës me Ramiz Alinë, por nuk më dëgjonin. Po shtoheshin njerëzit me pardesy të bardha. Mjafton të shohësh sot kronikat e kohës dhe të vjen të qeshësh dhe të qash njëkohësisht.

Ora para mitingut, Sali Berisha ngjethet para Edi Ramës

Po afrohet ora e mitingut. Kisha frikë se do të dështoja. Në thellësinë e shpirtit e ndjeja veten si një njeri krejtësisht të vetmuar. Saimir Kumbaro ishte krah i djathtë dhe më thotë se në miting duan të flasin Edi Rama, Kasem Trebeshina dhe i ndjeri Ardian Klosi. Të them të drejtën u gëzova. I thashë vetes nuk qenkam vetëm. Pikëpamjet që do të shtroja në këtë miting i kisha të qarta, të paktën kështu më dukeshin mua. Aty do të theksoja se, shqiptarët udhëtonin bashkë me mjerimin e tyre në errësirën e ndriçimit komunist. Këtij vendi i rrinte mbi kokë një parabolë sociale që përfaqësonte fortesën e kujtesës komuniste me mjergull e shtrëngatë. Nata ishte e trishtueshme si dhe dita nga parandalesa mendore. Rrezik për shqiptarët ishte dëshpërimi, sepse komunizmi e ngjyente majën e penës në gjakun e intelektualëve dhe klerit katolik që e zhduku krejtësisht. Në kohët moderne në Shqipëri, mitologjia dhe e vërteta komuniste jetonin bashkë. Para stadiumit “Qemal Stafa” po mblidheshin njerëzit grupe-grupe. Sali Berisha rrinte në një qoshe rrethuar nga disa njerëz. Erdhi Edi Rama me shokët e tij. Sali Berisha u nxi dhe më thotë “Mos e lër të flasë në mitingun tonë”. E pyeta Pse? “Nuk duhet të shpreh ai këtu mendimet e tija të mbrapshta. “Edi…ai është shprehur disa herë kundër presidentit tonë”. U mendova pak. Këtë tubim nuk e organizoja unë dhe asnjë nga ne, por intelektualët me popullin e vet dhe ata duhet të thonë fjalën e vet. Dhe kështu u bë. Zëri i fuqishëm i altoparlantit lëshoi tingullin e emocioneve të popullit demokrat. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Edi Rama tha në këtë tubim: “Komunizmi na skuqi si rusë, na zverdhi si kinezë dhe na nxiu si shqiptarë”. Ky ishte një kushtrim, një thirrje për drejtësi shoqërore. Skitë e rezolucionit njerëzor rrëshqitnin në bulevard në mënyrë të magjishme.  Sali Berisha siç duket e kishte parashikuar se Edi Rama do t’i merrte pushtetin. Mbrapa turmave përgjonin njerëzit e qeverisë.