Kuksianët ia fusin këmbët në një këpucë atij që tenton t’i poshtërojë

610
Ilirian DEMIRI

Një protestë e kuksianëve ka futur në hall një shtet të tërë. Ndodhi kjo, sepse edhe vetë shteti tentoi t’i poshtërojë kuksianët. Një taksë stratosferike iu vendos nga ky farë gjysmë-shteti që ne kemi, kur ende përfundimi i autostradës është shumë larg. Për t’iu thënë kuksianëve se u poshtëroj, kur të dua e si të dua, ky gjysmë-shteti ynë ua bëri të ditur açik se e dinte që, kishte edhe autostrada të ndërtuara prej vitesh, në të cilat lëvizja vazhdonte të kryhej pa dhënë asnjë qindarkë. Ndërsa kuksianëve iu kërkua të paguanin, ende pa u kryer puna nga ky farë gjysmë-shteti ynë. Kuksianët për të treguar se nuk janë budallenj u ngritën në këmbë dhe dogjën çibanin që u kishte mbirë në tokën e tyre, ne oborrin e tyre. Ky gjysmë-shteti i rilindësve u çudit. “Çfarë bënë kuksianët, nuk na e merrte mendja”,- thanë të çuditur lloj lloj rilindësish të pjerdhur. Dhe kuksianët të qetë iu përgjigjen. Nuk është faji ynë se juve ju mungon truri dhe jeni pa memorie. Sepse duhet të kishit kujtuar 5 majin e vitit 1994, kur ne kuksianët i detyruam të iknin duke vrapuar skërkave të malit forcat speciale të policisë që ia kishin mësyrë qytetit. Ata ikën të goditur me gurë dhe mezi shpëtuan duke kaluar të llahtarisur urën e madhe. Pra, duhej ta dinit, se gjuajtjet e sakta me gurë ne i kemi zakon). Se autostradën do ta kishim me taksë këtë na e kishit thënë që sekondën e parë kur nisëm të lëviznim në të, që në mesditën e 25 qershor 2009, kur u përurua kjo autostradë, edhe pse ende nuk ishte as gjysmë e përfunduar. Pasi ju e kujtoni se, për disa muaj kemi udhëtuar nëpër maja mali, dhe vetëm zoti e di si kemi mundur të shpëtojmë. Ju, për këtë as nuk doni t’ia dini. Kushedi sa herë ua kemi kërkuar, të paktën të na tregoni sa ka shkuar kostoja e ndërtimit të kësaj autostrade? Dhe edhe sa do të duhet të shpenzojmë për ta përfunduar? Sepse deri tani kemi paguar një djall e gjysmë ne shqiptarët përmes taksës Majko dhe taksës së qarkullimit mbi karburantin. Po ne paguajmë edhe për shlyerjen e kredisë së marrë për ndërtimin e kësaj autostrade. Rilindja na e ka thënë troç: Do të paguani për motor 2,5 euro, për veturë – 5 euro, për autobus e kamionçinë 11,2 euro, për kamion të mesëm 16,2 euro dhe për kamion të rëndë 22,5 euro. Premtimet se do të mundësohet ulja e pagesës për ne kuksianët, hasjanët e tropojanët, tashmë askush nuk i beson. Sepse ne gjatë këtyre afro 30 viteve të kësaj, me nder demokracie, çfarë nuk na kanë parë sytë, lloj lloj mashtrimesh ekzemplare. Ndaj askush nuk ju beson më ju, me nder, politikanëve të këtij vendi të zhytur në varfëri e mjerim. Banorët e rajonit verilindor të vendit kanë mbetur krejt të braktisur nga kjo, me nder klasë, politike e këtij vendi që po shkon drejt shkatërrimit. Pse këtë autostradë duhet ta mbajmë vetëm ne veriorët. Sepse trau i kufirit të pagesës ku është vendosur është më shumë se i çuditshëm. Vetëm 30 kilometra larg kufirit me Kosovën. Ndërsa deri të tuneli i Kalimashit mund të kalosh me dhjetëra herë dhe nuk paguan as qindarkën. Paradokse ka edhe më tej. Ka banorë të një fshati pranë tunelit, banorët e të cilëve i dërgojnë fëmijët çdo ditë në shkollë në fshatin Kolsh. Atyre do t’u duhet të paguajnë për 5 kilometra dy herë në ditë nga 5 euro. Idiotizma të tilla janë të shumta, të mbjella nga Rilindja në këtë autostradë. Çudi më vete është pagesa pa mbaruar punimet në autostradë. Ku siguria është ende në nivel shumë të dobët. Për këtë mjafton të përmendim faktin se që nga 25 qershori i vitit 2009 deri tani në segmentin Morinë – Kukës – Fushë Dukagjin kanë humbur jetën në aksidente 18 persona, ndërsa janë plagosur 16 persona të tjerë. Autostrada është ende gjysmake. Pale sigurinë që e ka ende pas listës. Ende nuk kanë përfunduar 7 urat në segmentin Morinë – Kukës, një urë në hyrje të qytetit të Kukësit, një tunel në të njëjtin vend, rrethimi dhe ndriçimi në të gjithë gjatësinë e autostradës, mbi e nënkalimet që mungojnë krejtësisht etj, etj. Lëre pastaj segmentin segmentin Rrëshen – Rubik – Milot që është vetëm dy kalimshe. Për këto punë ta pakryera ende, kuksianët protestuan. Se u ndjenë të poshtëruar, kur rilindësit ata i taksuan për një autostradë që është shumë larg emrit, ndërsa autostradat e përfunduara si Tiranë – Durrës, apo Tiranë – Durrës – Fier nuk i shkon mendja Rilindjes t’i taksojë. Të paktën të mos na konsiderojë neve budallenj. Në fund të fundit sërish po ua kujtojmë: Ishim ne që nënshtruam ashtu si dje edhe me 5 maj 1994 forcat speciale. I nënshtruam se ishim në të drejtën tonë. Ashtu siç ishim dje. Nuk ua kërkojmë me zor të na respektoni. Sepse e dimë se na keni halë në sy. Këtë e shohim, ndërsa po na mbysni me taksa. Aq sa po na duket se e gjithë paga jonë (e atyre që janë në punë) po shkon për taksa. Sa për copën e bukës mbetet shumë pak. Ndërsa ju rilindësit dini vetëm të na shtoni taksat, po jo pagat, që kanë mbetur në vend numëro. Kjo është arsyeja që neve na duket se kemi mbetur pa kurrfarë shteti. Pra po na duket se nuk kemi as atë, gjysmë-shtetin që mendonim deri dje se e kishim. Ndaj Ju rilindës mos u tromaksni. Sepse nuk jeni të parët që merrni vrapin kur ngrihen kuksianët. Për këtë kujtoni 5 majin e vitit 1994. 
Sigal