Fatmir MERKOÇI/ Kur mungon oponenca qytetare, qeveria drejton e qetë

102

Nëse bisedon lirshëm me njerëzit, bën bisedë për hallet e ekonomisë, të gjithë ankohen dhe tregohen të sinqertë. Nuk përdorin ngjyra politike, por vetëm hallet dhe vështirësitë që ata hasin çdo ditë. Kjo ndodh pasi ata ndjehen të pa aftë të përballojnë jetën si pasojë e rritjes së çmimeve, papunësisë, dhe pa mundësisë për t’ ia plotësuar kërkesat minimale të fëmijëve të tyre. Kur bëhet fjala për fëmijët, prindi egërsohet dhe fillon të shajë pa asnjë lloj dogane. Fëmija është jo vetëm qenie e pa fajshme, por edhe një detyrim për prindin. Të gjithë në atë moment të shprehin pa hezitim dëshirën për ndryshim. Janë të gatshëm të protestojnë, por gjithmonë nxjerrin justifikimin e organizimit. Që qytetarët nuk ka kush i mbron e organizon për të drejtat e tyre, është e vërtetë. Mungesa e sindikatave ka bërë që njerëzit të sorollaten si sëpata pa bisht. Njerëzit nuk e kanë sigurinë tek organizatat, OJQ-të, OJF-të apo e ashtuquajtura Shoqëri Civile. Nuk e kanë sigurinë pasi, këto janë disa individ apo grup individësh, që anojnë sipas interesit të tyre. Marrin disa financime të cila e nuk ju dihet burimi, bëjnë ndonjë “proteste” minimale dhe kështu çështja mbetet gjithmonë pa zgjidhje. Ato që vërtetë kanë një rol kryesor në zhvillimin e demokracisë dhe mbrojtjes së punëtorëve e qytetarëve, pra sindikatat, fatkeqësisht janë kthyer në banda hajdutësh të mirëfillta, dhe në leva të partive. Komandimi i tyre bëhet me urdhër e direktiv partie. Kështu qe dhe këto e kanë humbur jo vetëm besimin, por më e keqja është se ato kanë humbur dinjitetin dhe kauzën për të cilën janë krijuar. Të ndodhur në këto kushte. Njerëzit me të drejtë ngrenë shqetësimin e organizimit për të protestuar. Ndihen të braktisur të pa mbrojtur dhe të pa fuqishëm për të reaguar karshi çdo lloj padrejtësie që ju bëhet, qoftë tek rritja e çmimeve, taksave, largimit nga puna, pensioneve, apo politikës ekonomike që ndjek qeveria. Vëmë theksin tek ajo që, sindikata është oponenca e çdo qeverie. Të ndodhur në këto kushte. Qytetari i var shpresat e tij te politika. Po sa disponibël është politika për të realizuar këto kërkesa të qytetarëve? Politika apo qeveritë nuk janë sindikata. Ato kërkojnë pushtet. Kërkojnë që minoranca të sundojë shumicën. Nëse e shohim politikën, ajo është e ndarë në dy kampe. Njëri kamp bëhet qeverisës e tjetri opozitë. Më pas, opozita bëhet qeverisëse dhe qeveria bëhet opozitë. Ky është rotacion, në sistemin kapitalist  që ne vendosëm, pavarësisht se e quajmë sistem demokratik. Gjatë gjithë kësaj periudhe është vërtetuar se partitë politike kanë premtuar ne fushata elektorale. Kanë premtuar si për rritje ekonomike, mirëqenie sociale, ulje taksash etj, etj. Sapo marrin pushtetin, premtimet harrohen dhe kthehen në bumerang për qytetarët. Ky është momenti kur votuesi reflekton për zgjedhjen e tij. Pavarësisht këtij reflektimi në ndërgjegjen e tij, ai nuk është në gjendje të protestojë. Sytë drejtohen nga opozita. Atje kërkohet shpëtimi. Atje kërkohet dhe pritet reagimi apo protesta kundër qeverisē. Kuptohet që opozita përbehet nga parti politike dhe çdo lëvizje e organizon, drejton ajo. Këto lëvizje ajo nuk i bën për kërkesat e qytetarëve, pasi ajo është opozitë politike e cila kërkon marrjen e pushtetit. Ajo nuk mundet të ulet me qeverinē për të negociuar. Nuk mundet të paraqesë kërkesa ekonomike. Kështu që protestat e saja kanë gjithmonë ngjyrime politike. Pavarësisht se opozita mundet të protestojë, problemet dhe kërkesat e popullit mbeten të pazgjidhshme. Problemi nuk qëndron vetëm tek protesta qytetare për problemet ekonomike. Çështja duket apo është më e thellë. Në një vend ku, nuk protestohet karshi një qeverie, ai vend nuk mundet të zhvillojë demokraci. Nuk mundet të ketë një mirëqenie. Historia botërore na mëson se në një vend ku mungon zëri i qytetarit, ku protestat qytetare nuk realizohen, ai vend është i destinuar të shkojë drejtë varfërisë. Si pasojë lind dhe diktatura. Diktaturat nuk lindin brenda një dite apo viti. Për tu kthyer një vend në diktaturë, nevojitet shtypja e lirisë, varfërimi dhe injoranca. Mungesa e fjalës së qytetarisë sot e gjithë ditën mungon, për sa kohë mungon protesta popullore. Tek ne, ka ndodhur ajo që ndodh në të gjitha vendet diktatoriale. U shkatërrua sindikalizmi i sapo lindur. Sindikatat u kthyen në leva partish, si pasojë u shua zëri i popullit duke e detyruar atē që shpëtimin e vetēm ta gjejë tek partitë. Duke e parë partinë si varkë shpëtimi, njerëzit detyrohen të anëtarësohen në këto organizata. Si pasojë ka lindur fenomeni i të qenurit anëtarë partie i një personi në disa parti. Ky fenomen është i pranishëm dhe tek deputetët. Për interesa personale kërcejnē sa në një parti tek tjetra. Tashme kjo gjë duket tepër normale, aq sa këta njerëz quhen dhe njerëz të shkathët apo të zotët. Kjo gjendje ka bërë që njerëzit të humbin besimin tek vetja. Të mos kenë asnjë shpresë për të ardhmen, të mos jenë të sigurt për punēn që kanē dhe ti nënshtrohen çdo lloj vendimi apo dëshirë të qeverisë. Protesta është zhvillim. Është dhe një domosdoshmëri për frenimin e revanshit të përkeqësimit të kushteve jetike apo dhe për të reaguar kundër çdo veprimi qoftë ky dhe anti kombëtarë. Jo rrallë qeveritë për përfitime dhe personale apo të grupimeve të ndryshme, ju krijojnë kushte vetes dhe grupimeve për të përfituar sa më shumë. Në kushte të tilla janë dhe privatizimet, koncesionet apo kompanitë që krijojnë monopolet e tyre. Monopoli në vetvete nuk është asgjë më shumë se sa një grupim i caktuar njerëzish që janë të krijuar nga politikanët. Kush do i kundërshtojë këta, politika? Politika është vetë krijuesja e tyre. Ata bëjnë sikur i kundërshtojnë vetëm politikisht pasi, ardhja në pushtet i bëjnë që ta “harrojnë” sulmin apo denoncimin që dikur e bënin vetë. Të gjitha këto janë të pranishme prej mëse njëzetë vjetësh këtu tek ne. Të gjitha këto u kundërshtuan vetëm politikisht dhe asnjëherë me protesta popullore. Si të tilla ato mbesin në qetësinë e tyre, pa u prekur nga asnjë qeveri.

Jo pak përgjegjësi mbajnë dhe ata persona që e vetëquajnë veten e tyre, “shoqëria civile”. Këta kanë marrë statusin e të përfaqësuarit në të gjitha institucionet shtetërore, madje bëhen edhe pjesë në diskutimet e komisioneve parlamentare për ligje të ndryshme. Se ku e kanë marrë këtë status për të përfaqësuar shoqërinë nëpër këto tavolina, vetëm ata, politika, qeveria apo kuvendi që i thërret e dinë. Kjo ka ardhur si pasojë e një organizimi të çorganizuar që vetë politika e krijoi. E krijoi që populli të mos ketë mundësi as organizimi e as proteste në emër e për qëllimet e tija. Këtu del nē pah dhe arsyeja se përse u blenë dhe u kthyen në leva partish sindikatat. Populli, tashmë e ka humbur besimin tek vetja. Kjo, jo se nuk e di forcën e tij, por sepse ka humbur drejtimin. Nëse e vazhdon bisedën në tavolinë me miqtë, gjithmonë merr të njëjtën përgjigje: – Po të dali dikush që të na organizojë. Ne gati jemi, po kush do na mbledhë? Kjo tregon se njerëzit kërkojnë organizim. E kërkojnë protestën, po nuk kanë drejtimin, atyre ju mungon kjo gjë për më shumë se dy dekada. Krerët e sindikatave jo vetëm që nuk janë të aftë të drejtojnë këto sindikata, por janë dhe të përfolur për korrupsionin, janë të përlyer në zhanrin e politikës nga e cila janë përdorur në mënyrë që ti shërbejnë asaj e jo platformës për të cilën u krijua që në vitin 1991. Mos funksionimi i këtij organizmi, ka bërë që populli të humbas shpresën dhe besimin tek vetja. Nëse nuk kthehet ky besim. Nëse populli do vazhdojë të kërkojë mbështetje tek partitë për të protestuar për gjendjen e tyre ekonomike e sociale, populli nuk do gjejë asnjëherë zgjidhje. Problemet do mbesin gjithmonë të pa zgjidhura. Qeveritë do drejtojnë sipas interesave të tyre. Oponenca e qeverisë do vazhdojë të mungojë. Vendi do mbesë në një amulli të përhershme. Protestat e popullit do mbesin thjeshtë protesta në kuadrin e tavolinës dhe asgjë më shumë. Politika do vazhdojë ta manipulojë popullin vetëm për interesat e tyre. Ndoshta ka ardhur koha që njerëzit të kuptojnë, të zgjohen dhe të veprojnë ndarë nga politika. Kjo do jetë vlerë, jo vetëm për vetë demokracinë, por do i japë mjaft zgjidhje çështjeve të cilat, ashtu siç e thamë më lart, nuk zgjidhen me mitingje partie. Ndërgjegjja e popullit duhet të zgjohet. Ky popull e ka provuar forcën e tij. Ka provuar që në hapat e para të demokracisë. Nëse do heshtin, do mbetemi gjithmonë të varur nga partitë politike. Do mbesim vasal te pa zgjidhshëm të sajë. Sa më shumë të zgjasë kjo heshtje, aq më gjatë qeveritë do drejtojnë në mënyrë të qetë. Aq më shumë do shtohet varfëria. Aq më shumë do vihet në rrezik demokracia. Aq më gjatë do mbetemi si i vetmi vend brenda Europës në tranzicion.