Ergys Alushi/ Nuk ka humbur Kasëmi…

78
E lanë Kasëmin, e harruan sepse Kasëmi, humbi dhe kur humbet, nuk të do më njeri, rendin të gjithë nga pas, vetëm kur fiton. E lanë, e harruan edhe pse Kasëmi, ishte kandidat i përbashkët i ASHE, ishte dhe i LSI dhe i PS. Por socialistet në Vlorë, po sillen me dy standarde. Bëjnë të tyret, vetëm fitoret, ku kanë pasur kandidatët e tyre dhe heshtin, aty ku ka humbur jo kandidati i tyre, por ai LSI, si në rastin e Kasëm Cenajt, në bashkinë e Selenicës. Kjo nuk është e mirë, kjo nuk është e pastër në moralin politik. Por jo vetëm kaq.
Të majtët bashkë me Kasëmin, kanë humbur edhe Lumin e Vlorës, atë pjesë të Lumit të përgjysmuar. Nuk e kishin humbur që në mesin e vitit 1943, kur Lumi ishte “rrotë me rrotë, midis Hysni Kapos dhe Sadik Premtes. Socialistët, të majtët, kanë humbur kështu, simbolin e tyre, krenarinë e tyre, bastionin real të tyre, vendlindjen e këtij bastioni, vendlindjen e te gjitha fitoreve të së majtës, të patriotizmit e të luftërave për liri. Vetë qyteti i Vlorës e ka shumicën e vet nga Lumi i Vlorës, kur zbritën në qytet në masë të madhe pas 1944, por edhe pas 1990. Si mund të humbas “nëna”. Por Kasemi, sot, nuk i duhet më askujt, sepse ai humbi, edhe pse ishte kandidati i ASHE, i LSI dhe i PS, ishte dhe Xhevos e Etjonës edhe i
Shkëlqimit dhe Flamurit. Një humbje, që nuk duhet të ndodhte, një humbje që duhet të jap alarmin, një humbje që për të gjithë ata që janë nga Lumi i Vlorës, duhet te na kthejë vëmendjen nga origjina. Dëgjoja sot një ish eksponent të PS në Vlorë, një ish bashkë-fushatash me Kasemin, që thoshte se e “majta e humbi vet Lumin e Vlorës, sepse nuk e bënte dot rrugën që i kishte premtuar”. Unë nuk dua ta besoj. Nuk dua ta besoj, jo thjesht dhe vetëm për njeriun që e ka thënë se i tillë ka qenë gjithë kohës, intrigant e vetëm për interes brenda PS, por sepse Edi Rama u betua në Brataj për rrugën dhe banorët e Lumit të Vlorës, që nuk do t’i tradhtonte kurrë. Ndoshta e humbën për interesa afatgjata të ndonjë grupimi të caktuar brenda së majtës. Ndoshta.
Sot, humbja e Kasemit në bashkinë e Selenicës, duhet të shqetësojë më shumë sesa gëzimi i madh për fitoren në bashkinë e Vlorës. Analizat duhet të fillojnë e të bëhen, sepse analizat vetëm mirë bëjnë, sepse vetëm aty ku mungojnë analizat pas çdo humbje, ka gjasa të ndodh që humbjet të përsëriten. Harresa është mëma e përsëritjes. Zëra te shumtë flasin për “shitje “të Kasemit, të fitores së tij. Këto zëra janë të tjerë që i analizojnë. Por nuk është “shitur” Kasemi, është shitur Lumi i Vlorës, simboli dhe historia e së majtës, ideali dhe morali politik i një aleance. Historia, 21 qershor 2015, tashmë e ka shënuar këtë njollë të zezë për të majtën, në Lumin e Vlorës.