Engjëll Musai/ Ish-ushtarakët nuk duan lëmoshë, por kërkojnë të trajtohen me dinjitet

602
Dje kuvendi i Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi ligjin për faljen e detyrimeve për ish- ushtarakët. Sigurisht ky është një veprim i drejtë dhe se këtë gjë ushtarakët do e fitonin me gjyq, madje një pjesë e mirë e tyre edhe e kanë fituar në mënyrë individuale. Veç kësaj, shoqatat e ushtarakëve kishin deklaruar që, nëse kuvendi aktual nuk riparonte këtë padrejtësi të qeverisë demokrate dhe të iniciuar kryesisht nga ish-ministri i financave z. Ritvan Bode, do i drejtoheshin institucioneve të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në gjykatat europiane. Personalisht do të mendoja se ky ishte një vendim i vonuar dhe se duhej riparuar që në muajin e parë të kësaj qeverisje, pasi ushtarakët kanë qenë shtylla dhe themelet që sollën dhe e mbajtën në pushtet të majtën gjatë këtyre 25 viteve. Veç të tjerave, ushtarakëve iu bë një padrejtësi dhe një diskriminim gjatë periudhës kur në qeverisje ishte Partia Demokratike dhe se drejtuesja e ISSH, Vjollca Braho do mbahet mend si personi që ka i përçmuar ushtarakët, i ka sorollatur, i ka degdisur, i ka mbajtur pagat dhe pensionet dhe i ka torturuar në radha dhe pritje pa fund. 

Dhe Zonja Braho vazhdoi të qëndronte edhe dy vjet e gjysmë në të njëjtën detyrë dhe sigurisht nuk ja ndiente për ushtarakët dhe familjet e tyre. Nuk dinte se ç’ishin sakrificat, se ishte rritur, qëndruar dhe jetuar në mes të qyteteve me asfalt. Dhe nëse ajo do të vazhdonte të ishte titullare e ISSH, ushtarakët nuk do përfitonin gjë kurrën e kurrës. Dhe sot ish-drejtoresha e qeverisë “Berisha” është emëruar për këto merita nga Kryeministri Rama, në një tjetër drejtori të rëndësishme, si titullare e Institutit të Kujdesit Shëndetësor, ku qarkullohen rreth 170 milionë euro ilaçe për spitalet dhe rimbursimin e recetave të pensionistëve, pavarësisht se spitalet janë në mëshirë të fatit dhe të boshatisura. Po se çfarë kanë hequr ushtarakët nga kjo ISSH, më mirë se kushdo e dinë ata vetë, të cilët protestonin në 21 janar, ndërkohë që zonja Braho kapardisej në zyrat e ISSH. U vranë 4 protestues dhe ajo sot e kësaj dite u rrit në detyrë. Ja këto janë disa fatkeqësi që kanë lidhje me pensionet e ish-ushtarakëve dhe që ua mbante zonja Braho gjatë kohës që ishte në krye të ISSH. Ne do i kthehemi kësaj teme dhe kësaj drejtuese në ditët në vijim, por sot do diskutojmë pjesërisht ligjin e kaluar dje nga parlamenti shqiptar. Mendojmë që ky ligj, nuk i plotëson fare kërkesat e ushtarakëve dhe nuk ka lidhje me atë që vetë ushtarakët prisnin. Kërkohet që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi Aktin Normativ dhe të qëndrojë në fuqi ligji 8087, datë 13 mars 1996, ose ligjin e 2005, të miratuar nga ish-kryeministri Fatos Nano. Nëse qeveria e majtë dje u mjaftua me miratimin e projektligjit për faljen e detyrimeve për ish-ushtarakët dhe lë në fuqi ligjin 10142, datë 15 maj 2009, atëherë kjo është një fatkeqësi dhe se pensioni i ushtarakëve mbetet qesharak, duke u dhënë ushtarakëve 1. 5 % të pagës për çdo vit pune, por jo më shumë se 37. 5% të pagës, për ata që kanë 25 vjet punë. Edhe po të kesh më shumë se 25 vjet punë, përsëri atyre do u llogaritet deri në 25 vite. Kush ka 15 vjet do të marrë x 1. 5 %. Pra do të marrë rreth 22. 5% të pagës, që del në pension. Por këto llogari dhe të tjera, ne do i bëjmë nesër prezent, së bashku me problemet e hasura në këtë projektligj të miratuar dje nga kuvendi. Fjala bie, çdo bëhet më ata që nuk jetojnë dhe u është mbajtur paga? A do llogariten interesat për periudhën që u është mbajtur padrejtësisht? Me cilin ligj do trajtohen ushtarakët, që janë në pension? Po ushtarakët që dalin tani, përse trajtohen me ligj tjetër dhe pse një nënoficer apo oficerë që del sot në pension merr dyfishin e atij që ka dalë para 10 vjetësh?
Sigal