Atdheu dhe lapangjozët e politikës

581
Bardhyl Berberi
Emocionuese. Kjo është ajo që ne ndjejmë tani. Askush nuk do të ketë guximin të sulmojë ndonjë gjë që është e jona që e kemi të shenjtë. Atdheu ynë, ne të duam pambarimisht! Ne e duam atdheun tonë, prandaj nuk mund të mbetemi indiferentë kur shohim se çfarë po ndodh rreth tij. Të luftojmë për një Shqipëri të ribashkuar, të sigurt dhe të fuqishme! Është e domosdoshme që edhe në atdheun tonë të sundojë ligji, dhe të gjithë të jenë të barabartë para tij Ne e konsiderojmë veten me fat në botë, midis atyre që u lejohet të thonë: Jemi shqiptarë. Është diçka emocionuese që na bën krenarë. E vetmja gjë që dimë, është se rruga e jetës është e pafundme. Një rrugëtim përfundon, një rrugëtim tjetër sapo ka filluar. Një derë është e mbyllur, një tjetër është hapur. Jeta është një udhëtim. Çfarë na pret pas kthesës së ardhshme, e dinë vetëm ata që vazhdojnë më tej të ecin. Por udhëtimi ynë në këtë Shqipëri hallemadhe qenka i vështirë. Sot politika shqiptare i ngjan shumë teatrit absurd. Në vend të diskutimit serioz të çështjeve më të rëndësishme që ka vendi, parlamentarët tanë derdhin sharje banale, hedhin lloj lloj plehrash. Mendoj se në parlamentin shqiptar duhet të “vendosen kontejnerët “të mbledhin” gjithë ato mbeturina që zbrazen nga palët. Historia përsëritet. Kur në mungesën e gjërave elementare ekzistenca e njerëzve është në rrezik ajo të çon në trazira shoqërore dhe përfundimisht do të precipitojë me rebelimin kundër politik-bërësve. Politikanët tanë janë të ndarë, e kundërshtojmë njëri-tjetrin,e urrejnë. Urrejtja lulëzon në çdo seancë parlamentare që shoqërohet edhe me skandale të klasit të lartë. Shqipëria është në rrezik, në varfëri, në korrupsion. Ndonjëherë ndryshimet janë të frikshme, por ndonjëherë është absolutisht e nevojshme. A e patë projektin me tre lëndë mësim që do të fillojë më 1 shkurt! A mund të ndryshohen rregullat e lojës në mes të ndeshjes?! E pra kjo mund të ndodhë vetëm në Shqipëri. Dhe do të ketë një kosto shkatërrimtare për këtë vit mësimor që do të iki si fishekzjarr, pa lënë asnjë gjurmë të mirë edukative…në vend që të vëmë vetulla siç thotë populli, do të nxjerrim sytë. Shqipëria nuk është e mbrojtur në një mënyrë magjike. Ne nuk jemi duke ecur me këmbë në tokë për të bërë zgjedhje të mençura. Ne besojmë gjithmonë tek ndryshimi, por na mbetet të zgjohemi dhe kthjellohemi dhe t`i thërrasim logjikës, se atdheu po i afrohet humnerës. Një vend me 300 ditë me diell që e kanë zili shumë vende të përparuara, me mozaik bukurish që nga Alpet deri tek vija e mrekullueshme bregdetare dhe me pasuri mineralesh. Ne e duam pakufi atdheun e gjyshërve tanë. Shqipëria ka kaluar nëpër shumë luftëra të përgjakshme për t’u vetëmbrojtur dhe vuajtje masive por ka mbijetuar, se ka pasur luftëtarë trima të pushkës dhe të penës, jo si këta të sotmit që po e tërheqin atdheun zvarrë për interesat e tyre vetjake dhe abuzive. E nëse duam fort atdheun, ne nuk duam politikanët e tij lapangjozë që çdo ditë na sjellin lajme droge, trafiqesh,vjedhjesh korrupsioni. Mos harroni ju, o politikanë të deformuar nga korrupsioni, dallaveret dhe koncesionet, se në këtë vend ka dhe njerëz të mençur dinjitozë që nuk e shesin shpirtin për një tender apo një grusht me para që ju mund t’iu ofroni. Ju çdo ditë na e keni shpëlarë trurin me skandalet tuaja që një ditë ju do të merrni haraçin për gjynahet që i kini bërë këtij populli fukara. 


Sigal