Agim JAZAJ/Hysmeqarë dhe zullumqarë

579
Sigal

Qytetarët e Vlorës protestuan edhe dje përpara zyrave, zgjyra të ZRPP, dhe i apelojnë qeverisë, të votuar më 23 qershor për zullumet edhe të nëpunësve të saj.

Shqiptarët me moton  madhore: “Rilindja nis nga Vlora”, dhe u pasua nga e gjithë Shqipëria, ndodhi ajo që pritej dhe pritet ajo që duhet. 1 milion Shqiptarët ndëshkuan me votë abuzuesit e përgjatë 22 viteve: pusht-pushtetarët me votën plebishitare…

E gjithë piramida e shtetit për gati 22 vjet e vënë në peshoren e sovranit, të 23 qershorit ka rritur kurbën e pakënaqësisë dhe të padrejtësisë së qytetarëve, për rrjedhojë i kishin zbrazur edhe kutitë e votimit! E thënë më açik: Ata nuk i votuan as nënat dhe baballarët e tyre. Edhe ata i kanë bërë DEF nga marazi që u kanë shkaktuar bashkëqytetarëve e bashkëkombësve. Pas kësaj, prindërit nuk dalin dot as në rrugë, të zënë në siklet nga paudhësitë e pasardhësve! Një prind e ka bërë def, nuk e pranon as në shtëpi binanë e vet- me tregonte një mik i imi, për fëmijën e tij që punon ende në ZRPP. E sheh i ati që abuzon, edhe me njerëzit e vet, me bashkëqytetarët…Ndihet keq njeriu-Njeri. Këto ditë urdia e militantëve, hyzmeqarët dhe zullumqarët në këto zyra, zgjyra në Vlorë po vjedhin dokumentet, po bëjnë zullumet e fundit- për të fshehur krimet mbi pronat dhe njerëzit. Përballë paudhësive të tyre, këto ditë Bekim Pashaj nga Qeparoi, e kish marrë dosjen e pronës së tij në shtëpi, sepse atje mund t’i lenë vetëm kapakët-thotë Pashaj.

Nga një bilanc i këtyre viteve rezulton: Gjithë ish-regjistruesve në Vlorë ( kupto ç’regjistruesve) të kësaj zyre, (zgjyre) u është hapur padi penale, (janë ende në ndjekje, në panik gjithë jetën) për shkelje të ligjit, abuzim me pozitën zyrtare, padrejtësi ndaj qytetarëve, etj..

Përgjatë viteve tërkuzë të tranzicionit, shqiptarët gjenden vazhdimisht përpara kutive të votimit, për të ndryshuar të ardhmen e tyre. Përsëri mbeten të shokuar; bëjnë shumë zgjedhje dhe kanë “korrur” (as) pak zgjidhje. Sa herë gjendet para zgjedhjeve, pas tyre, është kryer revizion, “qilizëm” e thellë, ndaj administratës shtetërore, në të gjitha nivelet e saj. Përsëri plaga, në vend të mbyllej, është mahisur edhe më.

Nëpunësit e administratës, janë “gurët e themelit” të saj; “muret” që lartësojnë shtetin; “çatia që mbulojnë shtetin”. Sa më të “gdhendur” të jenë këta “gur” aq më i gdhendur do të jetë dhe shteti, dhe sa më të “pa gdhendur” të jenë ata si dhe kanë qenë dhe janë, aq më i “pagdhendur” do të jetë dhe do të mbetet shteti. Kamerat vëzhguese të shtetasve “filmojnë” çdo ditë dhe “shfaqin” çdo mbrëmje kronikën, nga veprimtaria e administratës së shtetit, bëjnë bilancin: “Na është përligjur, apo na është shpërdorur vota”?…

Nëpunësit e administratës janë “Kampionët” ku merren “analizat” e shtetit. Ndonëse nëpunësit e vegjël quhen të tillë, misioni i tyre është i madh. Ata janë të përballur përditë me njerëzit, me hallet e tyre, dhe zgjidhjet konkrete. Por, misioni i madh i nëpunësve të vegjël, ndeshet me vëmendjen e vogël, të politikës shtetërore, nga mënyra e përzgjedhjes së tyre, dhe vendosja, në “murin” e administratës shtetërore. Shpesh merren për përcaktim, bindjet politike edhe në nivelet më të ulëta të administratës, duke e politizuar edhe vendin e punës për pastruesen e institucionit, të shkollës, etj.

Ndodh të merret si kriter në përzgjedhjen e nëpunësve të administratës, shkollimi, qoftë dhe nga “Universiteti tek Oxhaku”, (analfabet të diplomuar) duke lenë në hije nivelin intelektual, aftësitë organizative dhe komunikuese, forcën drejtuese, etj. Shpesh themi: “Sa shkollë ka filani, por harrojmë të evidencojmë dhe: “Sa mend ka filani”?. Sa aftësi dhe sa mundësi posedon?

Niveli intelektual, aftësia organizative dhe forca drejtuese për një nëpunës, nga shkalla me ulët deri në majë piramidën duhet të jenë “ekuivalente” dhe evidente në përcaktimin e tij.

Përgjatë këtyre viteve: Rojet u graduan dhe të korruptuarit mblodhën rreth vetes alabakë dhe servilë pa emër, ndaj thyen turinjtë dhe e (u) bëmë ËMBËR…

Rrjetat e farefisnisë janë shtrirë në gjithë skutat e administratës, me militantë fanatik, të mbushur me hyzmeqar dhe zullumqar. Në radhët e saj gjen me bollëk edhe nga “Lëvizja e Lirë”, me kosto të shtrenjte, të cilët kanë përfituar pronë, tokë dhe e kanë braktisur. Kanë pushtuar hapësira publike dhe private, buzëdetin dhe u legalizohen! Andej braktisën, këtej shkatërruan, administratën e pushtuan! Kjo është pamja rrëqethëse. Politika ka shthurur njerëzit, favorizon të shthururit, fyen qytetarinë dhe aspiratën qytetare!

Një parti politike përbëhet nga anëtarësia, por fitoren e siguron nga qytetaria- dhe do t’i shërbehet pas fitores gjithë asaj dhe përzgjedhja do të bëhet në gjithë hapësirën e saj!

Tek përzgjedhja e administratës, qytetari sheh aspiratën e tij, prek shtetin e shërbimit, të votuar dhe të shumë vonuar! Aspiron administratën, t’ju shërbejë qytetarëve në barazi dhe përgjegjësi të plotë. Pra këta nëpunës inatçor, mendje shtrembër, që mbajnë të pushtuara zyrat dhe qytetarinë, do t’i zëvendësojmë me nëpunës qytetarë-civil, nesër?!

Kjo është dhe çështja që shtrohet për zgjidhje, dhe po e mban në dilemë zgjedhësin! Edhe atij që ka bërë def fëmijën e vet, po mbetet ende në dilemë nga zhgënjimi i 22 vjetëve- me votën e tij edhe kundër kësaj administrate, në gjithë nivelet e saj?! Abuzuesit duhet të ndihen keq e mos më keq, që kanë mbushur institucionet me nëpunës dallkauk.

RILINDJE- e vulosën qytetaria shqiptare. Po!- Me këtë administratë të korruptuar, të komprometuar dhe të kriminalizuar?! Nuk duhet të nxjerrim vetëm dhitë jashtë të dezinfektohen, por edhe stallat ku kanë ndenjur, kanë ndotur edhe muret, gjithë ngrehinën. Pastrim i thellë dhe dezinfektim i gjithë ambienteve, madje edhe muret e suvaja duhet hedhur në shesh, të digjen parazitët që kanë rritur dhe janë shumuar në to. Sepse nëse do të nxjerrim vetëm dhitë dhe të lëmë plehun, nuk do të pastrojmë stallën, do të mbeten parazitët, dhe do molepsën sërish me tufën e re, të RILINDJES!  Sovrani e dha verdiktin! Vota të flasë me klithma sot, për të djeshmen dhe të apelojë të nesërmen!