Partitë postkomuniste dhe fati i Shqipërisë

359

Analizë nga Kujtim Drishti: Populli shikon veten në pasqyrë tek udhëheqësi, por ka ardhur koha që vetja nuk po i pëlqen më në këtë pasqyrë. Korrupsioni në parti, krijoi korrupsionin në shtet, e kaluara, era e diktaturës, psikologjia individuale, kulti i shefit dhe ligji i klanit. Dritat e kullave, mermeri dhe teknikat e liderëve për të mbajtur popullin në gjumë…

Analizë për brezat e ardhshëm: Populli shikon veten në pasqyrë tek udhëheqësi i tij. Ai po shikon se nuk i pëlqen më vetja në këtë pasqyrë

Është e çuditshme të shikosh se sa një udhëheqës i një kohe të dhënë i ngjan popullit që e ka pjellë. Ai nxjerr pah nëpërmjet vetes së tij marrëdhënien midis arsyes-zgjuarsisë dhe pa arsyes-çmendurisë së popullit të tij. Njëra nga këto, zgjuarsia ose çmenduria, do të mbizotërojë në një moment të caktuar të historisë. Mendimi se udhëheqësi është pasqyrë e popullit të tij shpreh në të vërtetë nivelin e ndërgjegjes së një populli, nëse ai është në gjumë d.m.th., i pa përgjegjshëm i pa ditur, apo i zgjuar, domethënë i përgjegjshëm e i ditur Kur ai është në gjumë udhëheqësi mund të bëjë çfarë t’i dojë kokrra e qejfit me popullin. Kur ai është i zgjuar udhëheqësi është i mençur dhe i dëgjuar. Nga ky arsyetim dalim në përfundimin se, kur populli shikon udhëheqësin të bëjë ç’i do kokrra e qejfit ai duhet t’i thotë vetes «ç’më paska zënë gjumi!» Por kjo histori e gjumit të popullit nuk është kaq e thjeshtë, madje këtu qëndron dhe i gjithë sekreti i udhëheqësit të tij, sekreti që ndan një udhëheqës që vë popullin në gjumë nga një udhëheqës që e zgjon popullin nga gjumi. Ky sekret fillon tek Mekanizmi i ngjashmërisë midis popullit dhe udhëheqësit. Ky mekanizëm vjen nga fakti se ajo që populli ia fal vetes, ia fal edhe udhëheqësit të tij. Populli ia fal vetes egoizmin. Populli ia fal vetes urrejtjen. Kështu Ai ia fal edhe egoizmin dhe urrejtjen udhëheqësit të tij. Loja e pushtetit duket se më shumë se me rregullat e mendimit ajo bëhet me ligjet e emocion njerëzor Kjo është teknika më efikase e vënies së popullit në gjumë.

Dhe këtu rifilloi drama!

Udhëheqësi që njihte popullin e vuri në gjumë atë duke i dhuruar egoizmin dhe urrejtjen. «Shkatërroni !… të gjithë uzinat e fabrikat, sepse ato janë të komunistëve, Komunistët ju kanë shtypur, ju kanë varfëruar, ju kanë vrarë!» Dhe populli nën emocionin që i shkaktonte e vërteta e pjesës së dytë të frazës … «komunistët ju kanë varfëruar», si somnambul lejoi të shkatërrohen uzinat dhe fabrikat, tarracat me agrume, hekurudhat, nga turmat egoiste të mbushura me urrejtjen kundra komunistëve. Vetëm kur populli u zgjua vështroi dëmin që i kish bërë vetes. Ishte varfëruar akoma më shumë, sepse nuk do të punonte më për të fituar jetën, sepse s’kishte me çfarë të punonte. Por tek një udhëheqës të gjitha anët, të forta apo të dobëta , që i shpëtojnë ndërgjegjes së popullit marrin përmasa të e pakufi. Populli është një gjykatës shumë tolerant. Ne tolerancën e tij ndodhet dhe liria e tij, prandaj toleranca e tij është sublime, është me shume një tolerancë nëne se babai. Por kur tek udhëheqësi përmasat e asaj që populli i fal vetes bëhen shumë më të mëdha atëherë toleranca e popullit bëhet e shëmtuar, si tolerancë e abuzimit. Ai shikon në pasqyrë, pra tek udhëheqësi i tij, mëkatet e veta në mënyrë më të qartë. Dhe zbulimi i së vërtetës bëhet gjithnjë me vuajtje. Kur populli futet në këtë gjendje ai është futur në mënyrë të lirë në rrugën e emancipimit te tij. Kështu populli, i dalë nga diktatura, ra në dashuri me lirinë pa kufi, një mëkat i pa-ndërgjegjes së tij, dhe atëherë e pa veten në kaosin e lirisë, ku vetë liria mbytet dhe më keq akoma. Ai vështroi pa-kufijtë e udhëheqjes së tij ai e u fut më në fund në logjikën e kërkimit tê kufijve. Ndryshe nga nëntëdhjeta kur i sollën kushtetutën, ai nuk e ndjente akoma shpirtërisht nevojën e saj , prandaj dhe e la mënjanë. Sot ka ardhur koha që ai ndjen nevojën e Kushtetutës dhe të Shtetit të së Drejtës, sepse vështroi në pasqyrë pasojat e tolerancës së vet egoiste që u kthyen në tolerancë të udhëheqësve ndaj padrejtësisë. Kur kushtetuta shpalli popullin sovran, populli i lodhur i dorëzoi sovranitetin udhëheqësve te tij. Sot eksperienca e ka sjellë popullin në përfundimin, që populli është pjesa e popullsisë që e pëson pushtetin që nuk është më i tij. Ky pushtet u krijua nga partitë. Nëse ne duam që pushteti të ndryshojë atëherë na u dashka të ndryshojmë vetë partitë. Dhe sipas një logjike të thjeshtë, nëse partitë e reja duhet të mos jenë si partitë e vjetra, atëherë nuk na mbetet veçse të shikojmë pikat që do t’i duhen partive të reja për të ndryshuar. Them partitë e reja, sepse po të pritet nga partitë e vjetra të ndryshojnë mund të presim ndoshta dhe një brez tjetër, pra akoma dhe 30 vjet, për të bërë kështu një kohë 60-vjeçare, pra më shumë se pushteti komunist Ndërkohë që kundërshtari i popullit nuk pret ai vepron. Dhe momenti më i bukur për të, është kur populli nuk është i zgjuar për të kuptuar se ç’ndodh me të, rrezikun qe e kërcënon.

 

E përbashkëta e partive të pushtetit postkomunist

Në fillim problemi ynë nuk është të tregojmë kontradiktat midis partive, të tregojmë kush është më e mirë e kush është më e keqe. Problemi ynë është të tregojmë se cilat janë elementët e përbashkët në mënyrën e funksionimit të këtyre partive? Vetë realiteti fillon të japë elementët e para të përgjigjes, sepse aty gjejmë shkakun dhe pasojat së bashku. Vendi mbeti i fundit i Evropës në të ardhura për frymë. Sado u shtuan njerëzit e pasur ata nuk mund të ngrinin dot shifrat në statistikë sepse shoqëria u polarizua dhe varfërua shumë në të njëjtën kohë. Polarizimi i shoqërisë u bë aq i fortë sa krijoi bazën e parë e të dukshme të padrejtësisë. Ndërkohë, vetë Drejtësia dhe Shteti u krimbën nga korrupsioni aq sa ne këtë lëmë, na vunë në vendet e para te Evropës. Për shkak të një strategjie të parapërcaktuar, puna jo vetëm u zhduk në masë (industria qe mbante popullin me bukê u shkatërrua) por i u bllokua dhe mundësia e rihapjes së saj për shkak të mosbesimit që i krijon Shqipëria investitorëve të vendit dhe të huaj. Gënjeshtra se rroga mesatare në Shqipëri është 400 euro lëshohet ose për të gënjyer veten, gjë që do të ishte mjerimi i mjerimit ose për të fshehur realitetin, gjë që do të ishte thjesht një dinakëri dritëshkurtër. Zhdukja e punës e ktheu shoqërinë në një gjendje të egër. Pa arsyeja e turmës u puq me pa-arsyen e udhëheqësve të saj dhe puna u zhduk. E këtu filloi kaskada e fatkeqësive të ardhura nga e ashtuquajtura teori e shokut, e ardhur dhe kjo vetë, nga perëndimi i largët që më vonë bëri sikur u pendua. Më shumë se vetë varfëria, e thelluar nga përmbysja në vitet 91-92, ishte përmbysja e të gjitha kodeve të Etikës bashkë me kodet e etikës komuniste, ajo që krijoi një inkoherencë skizofrenike në mendjen e njerëzve, ku edhe vetë Ideja e Kombit dhe qëllimit të Përbashkët humbi e u tret në ndjenjën e një shprese të turbullt brenda së cilës nuk kishte më Etikë. Mos shpresa e zhvillimit zbriti në pikën më të ulët më 1997 dhe u mirëmbajt edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, të shfaqur në dëshirën e ikjes. Ikja vazhdon akoma. E më keq akoma, midis rinisë. Çfarë ndodhi me trurin e këtij vendi që është vendi ynë? Kjo pyetje na çon tek partitë që drejtuan njerëzit, tek udhëheqësit që drejtuan vendin, jo për të kërkuar veçoritë e individit, por për të vështruar mekanizmat e funksionimit të partive, ato mekanizma të përbashkëta që nxorën individët në krye.

Tirane.11.12.90.- Shoku Ramiz Alia takohet me perfaqesues te rinise studentore.ATSH.Foto Petrit .Kumi

Cili është realiteti i brendshëm i partive që drejtuan?

Kjo është pyetja çelës, që hap shpjegimet thelbësore të këtij realiteti. Pikërisht, pas rrënimit të diktaturës, pikërisht në kohën kur njeriut i u dha fati të mendojë në liri e të krijojë bindjet e veta po në liri, pikërisht në këtë kohë njeriu u bë përsëri skllav i partive i shtyrë nga psikologjisë së mbi jetesës. Shqetësimi i mbijetesës ekonomike më shumë se shqetësimi për idetë e demokracisë ishte refleksi i parë që futi njerëzit në parti për të kërkuar mbrojtjen nga grupi, në një Shqipëri të varfër ku siguria kish zbritur deri në zero.

Por e kaluara e largët dhe era e diktaturës kish lënë mbeturinat e saj në dy mekanizma psikologjikë themelorë:

I pari, kishte të bënte me psikologjinë individuale

Inati dhe urrejtja ndaj partisë kundërshtare, ashtu si dhe interesi vetjak material u bënë motivi i thellë psikologjik i grumbullimit të njerëzve rreth partive. Këto dy elementë furnizuan me energji iniciativën personale, një energji shumë më e madhe se ajo e ideve të partisë. Idetë dhe demokracia mbetën vetëm për naivët qe nuk patën nuhatjen e raportit të forcave. Madje ata u flakën jashtë nga të dyja partitë. Historia vërshon me shembuj, që të hedhur në tryezën e debatit, mund të qetësojnë shumë shpejt njeriun e partisë që revoltohet nga thënia se inati (urrejtja) dhe interesi vetjak material u vunë mbi idetë e demokracisë. Urrejtja e ish-te burgosurve dhe të përndjekurve politikë u mor mbi shpatulla çuditërisht nga ish-komunistë. Ndërkohë që urrejtja e të pareve do të kish qenë më e mbrujtur me ide për demokracinë, urrejtja e te dytëve doli si një urrejtje artificiale, si urrejtje klanesh dhe jo klasash. Kështu e djathta e vërtetë, e djathta e pronave, e djathta e punës dhe e përfitimit ekonomik, e djathta si korrent politik humbi përsëri shanset e veta siç i kish humbur në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

I dyti, kishte të bënte me psikologjinë sociale, dhe ishte mekanizmi më shkatërrues dhe antidemokratik. Ky mekanizëm përbëhej nga kulti i shefit dhe kulti i klanit

  1. Kulti i shefit, drejtoi jetën e të dy partive. Por kulti i shefit sjell dhe diktaturën e shefit, në fillim mbi partinë, pastaj mbi shoqërinë, një herë të shprehur me cinizëm e një herë të shfaqur në debatin publik ku kritika e strategjisë së shefit barazohet me armiqësinë ndaj partisë. E shumta, debati përmirësoi jo idetë, por taktikën dhe dinakërinë e shefit. Si influencë më e afërt e trashëguar, kulti i shefit i shkonte konceptit të partisë leniniste, pa pasur nevojë t’i referohej Leninit, sepse shqiptarët e kanë përshtatur këtë koncept si një fatalitet të njeriut mê tê dobët përballë njeriut më të fortë, që nuk është domosdoshmërish njeriu më i mençur , por është domosdoshmërish njeriu më dinak, nuhatës i zgjuar i raportit të forcave primitive.
  2. Kulti i klanit, edhe sikur shefi të mendonte për ligjin të barabartë për të gjithë, për shkak të zakonit të vjetër kulturor, ai do të vinte në skenën politike me ligjin e klanit. Por kulti i klanit është aspekti më i vjetër i pushtetit në Shqipëri. Ky detyronte moralin e klanit : « po të mos i bëj nder mikut, jam i turpëruar » ose “ t’i bëj nder mikut që ai të punojë për mua”.

Këto cilësi konkurruan Kushtetutën dhe vlerat morale dhe politike të një Republike Demokratike. Vetë kushtetuta nuk erdhi si një nevojë e brendshme shpirtërore. Ajo u importua. Që Kushtetuta të ishte një nevojë e brendshme e popullit dhe udhëheqësve të tij do ishte dashur që dhe populli dhe udhëheqësit të ishin mërzitur ose zhgënjyer nga reflekset e politikes se klaneve. Por njerëzit nuk e kishin kuptuar se ata ishin edukuar në shekuj për të mos qenë demokratë. Kur ata panë tek udhëheqësi veten në pasqyrë, filluan të pyesin ose të qortojnë veten. Dhe në variantin më të keq të thonë : «…ne nuk bëhemi kurrë!». Udhëheqësit nuk mund t’i bënin popullit pedagogjinë e demokracisë ndryshe nga konceptet e tyre të mbrujtura ose me urrejtjen ose me kultin e shefit. Inati, interesi i fitimit personal dhe kulti i shefit e i klanit krijuan një boshllëk ideor brenda partive. Por a mund te ekzistoje një parti pa ide? Ja qe ekzistoi. Idetë nuk mungonin por ato u vunë nën presionin e cilësive psikologjike individuale e shoqërore Këto katër cilësi do gatuanin një gjellë që populli dhe, veçanërisht, rinia e sotme do ta neveriste, sepse kjo gjellë ishte e gatuar edhe me sheqer edhe me uthull, edhe me fjalë të bukura edhe me vepra, ku aksi kryesor i të cilave shkonte në drejtim të kundërt me atë të fjalëve e më keq akoma ne drejtim të kundërt me atë të interesave të kombit. Boshllëku ideor nuk u mbush as nga Kushtetuta as nga e Drejta e njeriut, as nga filozofia as nga sociologjia moderne. Dhe, më keq akoma, as nga interesi i ndërtimit të një ekonomie kombëtare. Në këtë boshllëk ideor interesi egoist u bë strumbullari i një skene me ngjarje dramatike, tragjike dhe komike ku shkëlqejnë dritat dhe mermeri. Dritat e kullave natën dhe mermeri i tyre maskojnë boshllëkun e ideve, i cili krijoi vrimën e zezë të korrupsionit. Korrupsioni në parti krijoi korrupsionin në shtet. Boll të shikosh pronat dhe lidhjen e njerëzve të Partive dhe Shtetit me botën e biznesit, madje dhe atij financiar. Dhe kjo në të gjithë shefat e partive që nuk kishin punuar asnjë ditë në prodhim, asnjë ditë në tregti Vlera e Partisë iu nënshtrua si me magji, logjikës së tregut. Boshti kryesor i asaj quhet politike realiste (Real Politic) do me thënë sipërore ndaj ideve, edhe të partisë edhe të kombit, sepse ai udhëhiqej nga pragmatizmi personal ose i klanit në forme partie. Kush e kundërshtonte këtë politikë dilte behej armik i klanit ose dilte në sytë e opinionit publik si ëndërrimtar, jo realist pra jo i besueshëm. Ekonomia u përqendrua tek individi. Dhe politika duke qenë një shprehje e përqendruar e ekonomisë u përqendrua përsëri tek individi. Interesat e përgjithshme të kombit u përqendruan në këtë mënyrë tek individi. Kjo ishte gracka që u ndërtua me dashje apo pa dashje kombit tonë. Kjo shpjegon përse e djathta që duhej të ish marrë me shpërndarjen e drejtë të pronave, me vendosjen e Drejtësisë, me shqetësimin që kanë njerëzit kur zgjohen në mëngjes se si të fitojnë jetën e tyre me punën, (qe ajo e futi shtatë pashë nën dhe, sepse ishte puna e komunisteve jo e popullit), me shkollimin e punonjësve për punën, me ekonominë që duhej të pasuronte njeriun dhe vendin, ajo vazhdoi me eksperiencën leniniste të luftës së klasave që, jo vetëm nuk i kish dhënë prosperitetin e duhur vendit, por edhe e kish shkatërruar vendin. Një pikëpyetje e madhe na ka lënë Historia për këtë drejtim që iu dha ekonomisë se vendit dhe drejtësisë së vendit Ajo e hoqi vëmendjen nga ekonomia e kombit sikur të mos ishte kjo fusha përfundimtare që shkatërroi një sistem të tërë politik dhe ideologjik. Ndërkohë që skena (parlamenti dhe televizioni) luhej me shumë pasion, prapaskena ndiqte interesat egoiste të shefit dhe grupit të tij. Ndërkohë Shqipëria mbeti pa punë. Dhe kur nuk ka punë nuk ka prodhim pasurish. Kur nuk ka punë, morali (humori) i popullit bie për tokë. Shqipëria mbeti përsëri e varfër. A thua se këtë strategji e mbrujtën më shumë armiqtë se sa vetë shqiptarët. Inati, interesi vetjak dhe kulti i individit (shefit) të dozuara në mënyrë krejt të ndryshme, spikasin edhe në kulmet e partisë së majtë. Duke marre pamjen e qytetëruar, madje më të qytetëruar se opozita edhe ajo nuk i rezistoi tundimit. Si në opozitë ashtu dhe në pushtet efikasiteti i saj përfundoi me një popull, rinia e të cilit kërkon akoma të largohet. Vlen të përsëritet se e majta në pushtet për shkak të opacitetit që krijon rreth vetes shefi i saj, lëshon akoma dyshime në shumë sfera të jetës së vendit pavarësisht nga gjesteve të saj. Drejtësia që do të ishte hallka e parë e zgjidhjes së Punës dhe efikasitetit ekonomik, që do të frymëzonte rininë po nuk ka sy për mirë akoma. Drejtësia ishte korruptuar përpara se ajo të vinte në pushtet. Historia e tenderëve vazhdon edhe me të dhe qëndron akoma si një errësirë. Luftën kundër opozitës ajo e ka bërë me zgjuarsinë e shefit; Edhe ky vazhdoi me pamje gjithnjë qytetare të bëjë veprime pa kontrollin e Gjykatës Kushtetuese. Ai arriti të federojë botën e biznesit por nuk arriti të federojë intelektualët e vendit, zëri i të cilëve ose nuk dëgjohet ose është i mefshtë. Rolin e intelektualit e zuri në vetmi si dikur shefi i saj. Asnjë konferencë kombëtare për të përcaktuar drejtime dhe politikën mbrojtëse në ekonominë dhe politikën e Shqipërisë. Njerëzit nuk i kane munguar vendit, por ato duhen federuar. Ai tregohet progresist por nuk arriti të federojë forcat progresiste, nuk arriti të federojë rininë e vendit, nuk arriti të federojë shpresën. Partia e majtë federoi polarizimin e shoqërisë si një parti e djathtë neoliberale «par excellence». Ikja vazhdon. Sigurisht të dyja partitë nuk kanë të njëjtat vlera përpara popullit. Edhe shefat e tyre nuk kanë të njëjtat vlera në sytë e tij. Por funksionimi i tyre me kult të shefit që thotë e bën gjëra si «Zoti», të cilin nuk e kontrollon asnjeri, asnjë organogramë, as e partisë as e shtetit, as vetë Kushtetuta, është i njëjtë për të dy partitë. Ndërkohë populli luan të heshturin midis dy zgjedhjeve edhe kur ndodhin gjëra shumë të rënda sepse ai do të ruaj institucioni, përkujdesje që nuk është e merituar. Demokracia është në krizë institucionale, në krizë të besimit ndaj përfaqësuesve të popullit në parlament, sepse këta përfaqësues dolën nga të dyja anët, majtas e djathtas, nga lista të hartuara nga shefat që nuk mund të ishin veçse listat e klaneve të partive, jo të debatit popullor, jo të iniciativës popullore.

Populli, çuditërisht, nuk i mban sytë tek partitë por tek shefat e partive!

Dhe këtu fillon shfaqja ose seriali televiziv që zbavit njerëzit më shumë se t’i bëjë të mendojnë. Por ndërkohë që fitorja e Edit mbështetet mbi kontrastin shumë të fortë me Salën, e mbuluar nga propaganda me formulën e vjetër të «progresit kundra regresit» në të njëjtën kohë njerëzit nuk po shikojnë shkeljet e rënda, me të dyja këmbët, të kushtetutës që kanë bërë këto dy personazhe politike, njëri me fytyrë të re, tjetri me fytyrë të vjetër. Këto shkelje të kushtetutës që prekin fushat e Drejtësisë, Ekonomisë, kanë prekur edhe e fushën e sovranitetit të Shqipërisë. Por jo nga jashtë. Nga brenda. Ky është korrupsioni më i madh. Ndërkohë njerëzit e thjeshtë e lidhin atë vetëm me krimin banal të drogës ose të fitimit të parave nga njerëz qe nuk i përkasin sistemit të krijuar, ose janë një rastësi e madhe brenda këtij sistemi. Sistemi është i «shëndoshë» ai është një “republikë”, është një realitet dhe kush e shikon nga jashtë këtë realitet quhet jo realist, ëndërrimtar. Kështu realiteti pranohet vetëm si korrupsion. S’ka alternativë tjetër, kush i kundërvihet sistemit të bërë konkret në korrupsion, i kundërvihet demokracisë. Dhe njerëzit vazhdojnë me pasionin që krijon neveria dhe frika e tyre për korrupsionin, me pyetjen fatale – se kush duhet të zgjidhet «Edi apo Sala?» Shikimi i tyre është kushtëzuar në mënyrë të tillë që të bllokojë imagjinatën e tyre për të kërkuar alternativa të tjera e të pastra për Shqipërinë .Shikimi i popullit, i pa mundur të influencojë rrjedhën e ngjarjeve, ka mbetur në aksiomën pragmatike që e këshillon të zgjedhë «të keqen më të vogël» Por e keqja më e vogël është si një bërthamë e mbjellë, e cila në terrenin e boshllëkut ideor që u krijua nga urrejtja, nga interesi egoist, nga kulti shefit dhe kulti i klanit ka më shumë fat të kthehet përsëri në një të keqe të madhe. Këto ishin partitë postkomuniste të cilat ngushtuan vizionin e tyre nga reflekset elektorale, duke u mbështetur në të keqen që mbante populli brenda. Ata nuk e kuruan këtë të keqe. Për kurimin e kësaj të keqeje populli nuk kishte nevojë për fjalë. Populli kishte nevojë për pedagogji me ide të qarta, të shprehura në transparencë të plotë dhe vullnete të hekurta që do të ndërtonin një strukturë të fuqishme demokratike që nuk do të lejojë më as urrejtjen midis nesh, as interesin egoist mbi interesin e kombit, as motrën e as vëllanë, as shokun e mikun, të prekë Drejtësinë që është interesi i parë i Kombit dhe themeli i Kushtetutës së Republikës.