Vilma Hodo: A ka ardhur koha, të shtrenjtojmë biletën e hyrjes në teatër?

555
Edhe teatërbërësit e jetojnë çdo ditë epokën e konsumit, duke qenë dëshmitarë fjalëpakë të saj. Ajo që sociologët quajnë “shoqëria e konsumit” është mjaft sfiduese. Shpesh kritikohet për egoizmin dhe pasivitetin që përhap në shoqëri. Ajo blen shtrenjtë mallra me lustra që shkëlqejnë dhe do të paguaj pak kur “konsumon “ art dhe teatër. Ajo vret orë të tëra nëpër kafene të mërzitshme e klabe shurdhuese dhe hera-herës s’ka durim të shoh një shfaqe në teatër 2 orë e 15 minuta. Ajo konsumon në mënyrë kompulsive yndyrna e sheqerna të dëmshme për shëndetin ndërsa jo rrallë e sheh lehtësisht të zëvendësueshme kënaqësinë që merr nga një shfaqje në teatër. Sfiduese apo jo? Kur Jerzy Grotowski tha se, “ kemi arritur në përfundimin që duhet të shtrenjtojmë biletën e hyrjes në teatër”, arsyeja ishte e fuqishme dhe shumë domethënëse. “Ata që do të vinë në teatër duhet të jenë të ndërgjegjshëm se po pushojnë në një vend special,ku është e mundur të lënë pas krahëve jetën e përditshme dhe ku mund të jenë plotësisht vetvetja” ( “Towards a Poor Theatre”, J.Grotowski 1965). Kohë pas kohe ne ngremë të njëjtat pyetje. Edhe sot e ndjejmë këtë nevojë. A ka ardhur koha të shtrenjtojmë edhe ne biletën e hyrjes në teatër? Ndodhemi në një kohë që Arti dhe Teatri, mbijetojnë më shumë nga pasioni dhe dashuria e pakushtëzuar e njerëzve që dinë ta bëjnë atë më mirë, sesa nga pagesat dhe fondet minimale. Drejtues institucionesh kulturore, që përballen me sfida financiare duke sakrifikuar pashmangshmërisht dhe nivelet artistike të produksioneve teatrore. Sfidë e rëndësishme është që teatri në Shqipëri duhet të gjeneroj ide dhe mekanizma të mirëstudiuara për të nxjerr të ardhura të reja si “fonde ekstra” për ti përdoruar më pas me transparencë dhe mjeshtëri në funksion të nivelit artistik dhe estetik të produksioneve të tij. Teatri duhet të thith sa më shumë publik. Të shndërrohet në një alternativë të parë për publikun. Duhet te provokoj, të tërheq vëmendje , të bëhet kryefjalë,të diskutohet për të ,të flitet për problemet e tij për shfaqet,për artistët dhe për rëndësinë e madhe që teatri ka për shoqërinë në çdo kohë. Teatërbërësit s’duhet të harrojnë që skenat,sallat ,vendet ku bëhet teatër janë të shenjta sepse teatri është mision. Francezi i madh,fituesi i çmimit “Nobel”, filozofi dhe autori Albert Kamy edhe pse në karrierën e tij punoi vetëm disa vite në teatër, teatri la shenjë të çmueshme tek ai. Në esenë e tij të famshme dhe të vetmen për teatrin “ Why i work in Theatre?”, “ Pse unë punoj në Teatër?” ai shprehet: “ Për mua Teatri është vendi i të vërtetës. Të them të drejtën njerëzit zakonisht e quajnë “vendin e iluzionit”.Mos i besoni kësaj! Është shoqëria mbi të gjitha ajo që jeton mes iluzioneve. Me siguri që ju do të gjeni më shumë “aktorë të këqij” në qytet se sa në skenat e teatrit.” ( A.Kamy ,1960) . Në një vend të shenjtë, pa ikona, në qetësi, çdo mbrëmje aktorë, regjisor, skenograf, kostumograf, muzikantë, punëtor skene derdhin mjeshtërinë e tyre për të krijuar artin e gjallë të teatrit. Arti i tyre është magjik dhe i brishtë si shpirti njerëzor dhe ju si publik jeni dëshmitar të vetëm të tij. Padyshim që është e pamundur të paguajmë çmimin që meriton vlera e vërtetë e një shfaqje teatri, por si publik ne mund dhe duhet të bëjmë më të mirën tonë. Të ndërgjegjësohemi që nuk është më e udhës ta paguajmë sa një paket cigaresh biletën për të hyrë në teatër..Ta ndjejmë nevojë të brendshme se teatri i bën mirë shpirtit dhe shëndetit tonë emocional. Teatri ofron mundësi, sepse emancipon prandaj publiku s’duhet t’i ndahet për asnjë arsye teatrit dhe të mësoj ta vlerësoj më shumë.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 03.12.2015
Sigal