Vida Kunora, Bilbili i Malësisë

1195
Hermes NIKA 
Speciale/ Këngëtarja me mbi 20-vite karrierë muzikore, artistja e kërkuar e diasporës 
Është më e kërkuara në mbrëmjet live që organizohen kudo në diasporë.Vida Kunora, një ndër zërat më të bukur dhe më të dashur të trevave të veriut, sjell klipin e saj më të ri ‘Me shqiptare ke me u martu’ një prodhim i Swart. Këngëtarja ruan formën dhe bukurinë e rinisë së hershme, tashmë nënë e dy fëmijëve dhe me jetë koncertore të ngjeshur. Suksese të mëtejshme dhe sa më shumë hitë në vazhdim… 

Vida, përshëndetje! Këtë herë na vjen me një klip të ri, mund të na tregoni pak më shumë? Përshëndetje dhe respekte, faleminderit për intervistën dhe vëmendjen tuaj për të promovuar punën tonë! Sapo ka dalë në treg kënga dhe klipi më i ri ‘Me shqiptare ke me u martu’… Është pritur mrekullueshëm. Kënga është punuar në studion e Genti Lako, me të cilin bashkëpunoj prej shtatë vitësh dhe video e realizuar nga Swart.

Bashkëpunimet janë në trend tani dhe zakonisht, që të bëhen hite kanë gjithmonë një këngëtar dhe një këngëtare, pse jo dy këngëtare?
Këngët duet janë gjithnjë të bukura, sidomos mashkull-femër kanë më larmi dhe janë më të kapshmë për audiencën. 

Çfarë vlerësoni më shumë në jetë? 
Në jetë vlerësoj familjen, shëndetin dhe gjithçka tjetër të mirë që ka të bëjë me mua. 

Sa e vështirë është, të jesh një këngëtare e talentuar, në këtë lëmsh të patalentuarish që vërtiten, në muzikën shqiptare? 
Të jesh e talentuar në këto kohë është të mbijetosh, por gjithmonë këngët e bukura dhe muzika e mirë fitojnë vëmendjen e publikut. Disa këngë e këngëtarë vijnë e ikin si kërpudhat pas shiut, ndërsa krijimet e mira bëhen hite. 

Të jesh personazh publik, ka më shumë anë pozitive sesa negative? 
Të jesh përson publik është bukur, ne investojmë për t’u bërë të tillë e pastaj mërzitemi. Është shumë bukur dhe privilegj, mendoj unë. Kështu e shoh, më vjen mirë kur njerëzit më admirojnë e më thonë ‘Krenaria e malësisë’ Shpresoj ta meritoj! 

Si do të donit të identifikohej imazhi juaj si këngëtare? 
Mendoj që kam krijuar imazhin tim, këndohen këngët e mia, më adhurojnë zërin, repertorin, veshjet e lukun. Më pëlqën kur thonë: ‘Si Vida!’ 

Mendoni se një fytyrë e bukur fsheh edhe një shpirt të bukur? 
Do të thoja një buzëqeshje e bukur fsheh një shpirt të bukur. Mënyra si buzëqesh, si flet, si rri, si sillesh… këto pasqyrojnë shpirtin, jo fytyra. 

E keni të rëndësisshme të jeni “in” me tendencat e fundit? 
Më pëlqen të eci me kohën, jam e fiksuar pas pamjes së jashtme: grimi, flokët, veshjet dua të jenë perfekte. 

Sa natyrë ekspresive e konsideroni veten? 
Jam shumë e qetë, nervat i ledhatoj (qesh) Shquhem për qetësi, i marr gjërat me sportivitet dhe më del më mirë. Para një muaji më iku avioni, duke qeshur mora linjën tjetër dhe prita katër orë. Ja pra çdo gjë u rregullua, me qetësi, dashuri dhe ëmbëlsi. Jeta vazhdon. 

Të qenit e pëlqyer e bën më të bukur ekzistencën e një artisti?
Të jesh e pëlqyer ke arritur atë çfarë do. Në fund të fundit jetojmë që të pëlqehemi.
Sigal