Vaso Tole vjen me një libër për Himnin Kombëtar

626
Sigal

Himni shprehu shpirtin e gjithë kombit, “dehjen e tij nga ëndrra e lirisë”

Dje në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave ky institucion zhvilloi promovimin e librit Himni Kombëtar të akademik Vaso Toles. Në këtë veprimtari merrnin pjesë, Ambasadori i Rumanisë, akademikë, gjuhëtar, shkrimtar, poetë, intelektualë të fushave të ndryshme miq dhe të afërm të autorit. Fjalën e hapjes së këtij aktiviteti e mbajti Kryetari i Akademisë së Shkencave z.Muzafer Korkuti. Veprimtaria e profesor Dr. Vaso Toles përfshin të gjitha gjinitë dhe format e muzikës lirike vokale, pjesë korale, muzikë dhome instrumentale, simfonike dhe skenike. Por libri Himni Kombëtar është një studim më i plotë dhe i thelluar i autorit. Nga kontributet në rang kombëtar e akademik të Vaso Toles unë do të veçoja punën e bërë për të përfshirë si Kryevepër të trashëgimisë gojore të njerëzimit isopolifoninë, theksoi akademik Korkuti.

Pas tij e morën fjalën shumë gjuhëtar, kritik arti, botues, ku midis të tjerave do të veçoja fjalën e ambasadorit rumun dhe pedagoges Zana Frashëri.

 

“Betimi mi flamur” i Asdrenit lindi së pari si himn i kombit tonë

 Akademik Jorgo Bulo: Çeta e Çerçizit, Mihal Gramenos, tek vjersha e Asdrenit gjetën kryekëngën

Njëqind e pesë vjet më parë, me kërkesën e Korit Kishtar Shqiptar të kolonisë së Bukureshtit, poeti veteran, Asdreni, atëherë i ri, me një frymëzim spontan djaloshar, i nxitur dhe nga motivi i një poezie të poetit rumun Joan Barsanu, hidhte në letër fjalët e një kënge kombiare, pa e kuptuar se ajo do të bëhej himni kombëtar i shqiptarëve, kryekënga e tyre. Pa mbaruar së recituari tekstin e vjershës, djemtë e korit e rrëmbyen atë, dhe të entuziazmuar e kënduan me muzikën e kompozitorit Ciprian Porumbesku. Kështu niste jetën dhe rrugën e tij të gjatë himni ynë kombëtar, një rrugë e vështirë dhe unikale në historinë e himneve kombëtare, histori që rreket ta ndriçojë në detaje, në librin e tij të fundit akademiku Vaso Tole. Shpejt kënga do të udhëtonte për në Shqipëri. Stafetën për ta sjellë në atdhe e morën poeti Hil Mosi dhe një nga solistët e apasionuar të korit, korçari Tashko Ilo. Nga djepi i lindjes, Kisha e Shën Gjergjit të Vjetër të shqiptarëve të Bukureshtit, kënga erdhi në djepin e kulturës së Rilindjes Kombëtare, në qytetin e mësonjëtores së parë shqipe, në Korçë, dhe u interpretua nga “Banda e Lirisë” së atij qyteti, e para interpretuese e himnit. Prej andej ajo mori dhenë si himni kombëtar i shqiptarëve; të parat e morën çetat e lirisë, aradhat e kryengritjeve të mëdha. Ato kishin poetët e dhe kronikanët e tyre: Çeta e Çerçizit, Mihal Gramenon, kryengritësit e veriut Hil Mosin e Risto Siliqin, kishin dhe këngët e tyre, po vjersha e Asdrenit, pa ndonjë dekret, vetvetiu, zuri vendin e kryekëngës dhe, prej maleve, më 28 nëntor 1912 zbriti në Vlorën e Pavarësisë dhe të Ismail Qemalit. Tashmë himni i Asdrenit fitoi statusin e himnit kombëtar, për t’u bërë pjesë e ceremonive zyrtare në shtetin monarkist, duke konkurruar me himnin e mbretënuer, kujtimi grotesk i të cilit u fshi shpejt me ikjen e mbretit në prill të ’39-ës. Në vitet e pushtimit fashist interpretimit protokollar të himnit tonë kombëtar iu bashkëngjit himni i fashizmit “Giovinezza” dhe himni gjerman, por rinia antifashiste e këndoi rreth zjarreve partizane dhe në koncertet e koreve të formacioneve muzikore të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si në koncertin e parë të “Korit të Ushtrisë”, në ceremonitë e krijimit të brigadave partizane, në ngjarje si Mbledhja e Beratit në tetor 1944 që shpalli formimin e Qeverisë Demokratike, në ditën e hyrjes së saj në Tiranën e çliruar në nëntor të atij viti etj. Paskëtaj himni u përfshi me ligj në protokollin e shtetit dhe së fundi në Kushtetutën e vendit 15 vjet më parë. Në gjithë këtë histori ndryshimesh historike e ndryshimesh stinësh politike , himni i flamurit u rezistoi të paktën nja shtatë konkurseve nga viti 1922, deri te i fundit konkurs i vitit 1970, konkurse në të cilat u përfshinë nga krijuesit më të njohur, poetë e kompozitorë, por që shuheshin si flakëkashte. Asnjë prej këtyre konkurseve nuk arriti t’i japë vendit një himn të gjithëpranuar as nga opinioni shoqëror, por as nga instancat përkatëse. Mbijetesa e poezisë së Asdrenit, që u bë, si u tha, kryekënga e kombit, është një dukuri unikale kur mendon se ajo u rezistoi ndryshimeve të mëdha politike pas Luftës II Botërore, në një kohë kur himnet e të gjitha vendeve të sistemit komunist ku u përfshi Shqipëria, u ndryshuan.

Libri i Vaso Toles synon ta shpjegojë këtë fenomen duke veçuar faktin se Betimi mi flamur i Asdrenit lindi së pari si himn i kombit, për t’u bërë himn i shtetit dhe kënga më e kënduar, më e përhapur, më emocionuese dhe e gjithëpranuar. Ai i mbijetoi kohës sepse shprehu në radhë të parë shpirtin e gjithë kombit, “dehjen e tij nga ëndrra e lirisë”, nga afshi i patriotizmit, u bë pjesë e vetëdijes dhe simbol i identitetit kombëtar, që fitoi përjetësinë e siguruar nga një lidhje organike, midis himnit dhe flamurit si një binom i pandarë. Autorit të librit “Himni Kombëtar” i është dashur që me përkushtim të gjurmojë shumë në arkiva, në shtypin dhe botimet e të gjitha kohëve, në dokumentacionin e të gjitha administratave shtetërore, duke ndërtuar një histori gati shteruese të lindjes, të pritjes, përhapjes, interpretimit, regjistrimeve muzikore, e të tjera detaje e të dhëna faktike të hulumtuara për herë të parë prej tij. Merita e autorit qëndron në faktin se, duke e vendosur në kontekstin historik e kulturor historinë e himnit tonë kombëtar, e bën bindës gjithë parashtrimin e tij për rolin e himnit në gjithë proceset e zhvillimit e të qëndresës sonë historike, të plazmimit të ndërgjegjes sonë kombëtare.  Duke shenjtëruar përkushtimin atdhetar, edhe sot, si në ditën e parë të lindjes, himni, siç thotë Lasgushi, tingëllon i mbushur me hijen e rëndë të burrërisë dhe të përbetimit, duke dëshmuar se shpirti, fryma dhe metafora e madhe e Rilindjes, mbetet e gjallë dhe vepruese edhe sot e kësaj dite. Zgjedhja e tij nga Ismail Qemali ishte një shenjë e qartë e kahjes perëndimore të shqiptarëve

 Vasil S. TOLE: M’u deshën 10 vjet për këtë libër, kur  Kuvendi aprovoi ligjin e simboleve

Mendoj se ka qenë një detyrim i vështirë për mua për të sjellë një pamje tërësore të dukurisë muziko-letrare të himnit për Ju. Gjithashtu ishte një sfidë fakti në se përmes tij do të mund të ndriçoja historinë e Shqipërisë të pas viteve 1900 e deri më sot, parë kjo sa përmes notave, fjalëve dhe interpretimeve të himnit kombëtar, por edhe të gjithë asaj simbolike mbarë botërore të himneve, si shprehje të identitetit kombëtar të popujve. Mu deshën 10 vjet për këtë libër, i cili fillesat e tij i pati në vitin 2002, kohë kur  Kuvendi i Shqipërisë aprovoi ligjin e simboleve, ç’ka kërkonte që të kishim së paku një botim të partiturave të tij së bashku me një hyrje teorike kushtuar historikut të krijimit të himnit. Më herët akoma, në vitin 1995 kisha botuar në gazetën “Drita” shkrimin e titulluar “Himni shqiptar dhe Ligetti”, i cili si një nga kompozitorët e shquar të shek. XX-të, kishte shprehur opinionet e tij mbi natyrën europiane të himnin tonë. Gjatë gjithë kësaj periudhe hulumtimi rreth tij, kam qenë dëshmitar okular i orkestrimit të muzikës së himnit për orkestër simfonike nga Profesori ynë Çesk Zadeja të cilën ligji ynë e ka pranuar si versionin zyrtar, ashtu siç kam pasur miqësinë dhe kundërshtitë me Profesorin tonë të shquar Ramadan Sokolin, me të cilin ndanim qëndrime të ndryshme mbi nevojën e ndryshimit ose jo të himnit tonë. Sot “Himni Kombëtar” vjen para  jush me të gjithë lavdinë e tij si simboli i Shqipërisë së pavarur dhe mbi sistemet politike. Ai është vëllai binjak i Flamurit Kombëtar, shpesh herë i cilësuar edhe si zëri i kombit tonë. Kur ta lexoni këtë libër do të mundeni të kuptoni se përse Shqipëria dhe shqiptarët kishin nevojë për të dhe se përse zgjedhja e tij nga Ismail Qemali ishte sa një shenjë e qartë e kahjes perëndimore të shqiptarëve si dhe e kapërcimit të ndasive krahinore, fetare dhe kulturore mes nesh. Sot, kur himni është ligjëruar dhe trupëzuar në Kushtetutën e Republikës sonë, kur melodia dhe fjalët e tij këndohen ç’do mëngjes në sheshet e shkollave tona, kur shqiptarët kudo ku janë gjejnë në të Shqipërinë e përjetshme, kur historia e krijimit të tij e sjellë fillimisht prej Lasgushit në vitin 1942 e deri në këtë studim më të fundit na kujton se sa shumë sakrifica janë bërë nga dëshmorët dhe patriotët tanë për Shqipërinë, atëherë s’më mbetet gjë tjetër veçse të përulem me respekt e mirënjohje: për autorët e tij: Asdrenin dhe Ciprian Porumbescun; për korin kishtar të kishës së Shën Gjergjit në Bukuresht; për Hil Mosin dhe Tashko Ilon si sjellësit e himnit në atdhe; për “Bandën e Lirisë” në Korçë dhe dëshmorët e saj si interpretuesit e parë në Shqipëri; për delegatët e Kuvendit të Vlorës që e përzgjodhën atë si këngën tonë kombëtare; për Cesk Zadejën si orkestruesin e tij…