Silvi Bardhi: Pranë Berishës dhe Bashës, arritja ime më e lartë

560
Sigal

*zëdhënëse e PD-së

Silvi Bardhi nuk ka për të qenë kurrë njeriu që e sheh karrigen si mjetin për të përfituar diçka nesër. Kurrë. “Jam e lumtur për gjithçka kam arritur deri tani, pa shkelur e pa i bërë hile askujt”, kështu është shprehur në këtë intervistë  për “Telegraf” zëdhënësja e Partisë Demokratike Silvi Bardhi, e cila ka  mbaruar studimet e larta për gazetari, më tej shkollën për Integrime Europiane dhe Institutin për Studime Politike. Gjithashtu, ka mbaruar akademinë Deutche ëelle për gazetari investigative. Ka punuar në tv Klan të Shqipërisë dhe Kosovës.  E ardhur nga bota e gazetarisë ajo diti të hynte me finesë dhe përgjegjësi në botën e politikës. Në këtë intervistë ajo tregon me emocion momentet se si përjetoi rezultatin e zgjedhjeve të 23 Qershorit dhe pasojat që erdhën prej tyre. Silvi nuk nguron që të pranojë se ka ambicie të merret me politikë, por, megjithatë, pret momentin e duhur. Edhe pse është e suksesshme në karrierën e saj profesionale, Silvi na pohon se dhuratën më të bukur ia ka bërë Zoti me ardhjen në jetë të Jonit, djalit të parë të saj. Dhe Silvi e dehur nga kjo ëmbëlsi e madhe e dhuratës nga Zoti, shprehet se “Familja ime e re është arritja më e madhe në jetën time”.

  Zonja Bardhi, si e përjetuat rezultatin e 23 Qershorit? Cila ishte atmosfera në selinë e PD-së,  në momentin kur erdhi zoti Berisha që të publikonte dorëheqjen nga PD-ja?

– Kjo datë nuk ka dyshim që do të mbetet gjatë në kujtesë time, të çdo demokrati si një prej ditëve më të vështira, tronditëse, prekëse. Jam munduar të fsheh këto ndjenja që zëvëndësonin njëra-tjetrën, përpara shumë kolegëve të të gjitha televizioneve, me të cilët kisha komunikuar gjatë gjithë fushatës. Nuk e prisja në asnjë rrethanë atë situatë, aq më pak atë që ndodhi më pas. Pritej të vinte Doktor Berisha. Rreth pasdites shihja simpatizantë të Partisë Demokratike që ishin mbledhur përpara selisë. Sërish në ndërdije nuk arrija të besoja gjithçka kish ndodhur. Çdo sekondë më vinte ndërmend fushata e mrekullueshme e Doktorit, vullneti i tij për të takuar e dëgjuar çdokënd, e njëjtë si çdo ditë pune të tij. Takimet e përzemërta, shpresa në sytë e njerëzve se ky vend mund të bëhet dhe entuziazmi i jashtëzakonshëm i mitingut përmbyllës në Tiranë. Më vinte ndërmend euforia që kisha brenda vetes, teksa me dy gishtat lart, kam shijuar një nga takimet më madhështore të Partisë Demokratike pas viteve ’90. Shihja në sytë e gjithsecilit kandidat për deputet, magjinë e asaj nate, ishte një sinjal i fortë se PD-ja gëzonte fuqishëm mbështetje, falë veprave të mrekullueshme të bëra në 8 vite të qeverisjes Berisha.
Shihja, nga kati i tretë, simpatizantët të cilët i afroheshin selisë. Të gjithë prisnim ardhjen e Doktorit. Donim vetëm Doktorin. Për shumë pak minuta sheshi përpara selisë u mbush nga simpatizantë, mes tyre edhe djali im 4 muajsh. Gjatë të gjithe fushatës mendoja të gjeja një moment dhe t’ia jepja në duar, teksa do të festonim fitoren. Ky moment erdhi, por në rrethanë krejtësisht tjetër. Në hyrje të selisë, mes entuaziazmit të jashtëzakonshëm, mbështetjes së të rinjve, Doktori mori në krahë djalin tim, pa e ditur. Aty kam shpërthyer në lot, duke e kuptuar seç magji krijon ky njeri tek njerëzit. Ringriti në mënyrë aq sonike moralin e demokratëve. “Një fillim i ri i fuqishëm”, kjo do të ishte motoja që do të na bënte ne demokratëve të mos rrëzoheshim në asnjë sekondë nga ai pisllëk i ndodhur më 23 Qershor.
– Po pasi përfundoi fjalën, a ndryshuan emocionet e njerëzve më të afërt të Kryeministrit, të cilët ndodheshin në selinë e PD-së, ato çaste historike?
– Nuk e fsheh, ardhja e Doktorit elektrizoi të gjithë selinë. Ishin demokratët e vërtetë ata që e kërkonin, donin ta dëgjonin e të merrnin zemër prej tij. Me ta isha edhe unë. Kurrë nuk do të më largohet nga kujtesa vetëpërmbajtja e tij, teksa lexoi fjalinë në të cilën shumë zemra u lënduan, një vendim që s’e pranuam. Por ai e kishte marrë atë vendim, dhe nuk kishte kthim pas. Bashkëpunëtorë të tij, të përlotur deri në ngashërim, flisnin nga zemra. Ai punoi çdo ditë vetëm për këtë vend, për Shqipërinë, pa pushim.
Këdo kë takoja rreth selisë, me secilin që komunikoja të telefon, ndjehej i shokuar nga gjithë kjo situatë. Shumë miq, edhe përtej Shqipërisë, më shprehnin të njëjtën keqardhje. Mund ta kem marrë veten rreth 2-3 ditë më pas.
– Në këto vite që ju jeni kaq afër kryetarit të PD-së, çfarë morët, cila është përvoja, që fituat?
– Pak vite më parë kam vijuar 2 shkolla të studimeve politike dhe integrimeve evropiane. Kam pasur rastin të ndjek leksione të personaliteteve me background mjaft të përgatitur. Kam prekur institucione evropiane, aty ku sytë e të gjithë Evropës drejtohen, kur bëhet fjalë për reforma të mëdha ekonomike, të drejtave të njeriut, zhvillimit dhe mirëqënies së popujve të vendeve në zhvillim. Besomëni, shkolla e cila prek në qelizë të saj dhe të bën të kuptosh se si duhet të jetë një lider i vërtetë shtetar-punëtor e inteligjent është shkolla e Sali Berishës. Dhe prandaj është i rrallë pasi është i shtrenjtë, e gjërat e shtrenjta përfitohen rrallë. Bashkëpunimi me të, privilegj i pazëvendësueshëm.
– Ia vlen që të jesh aktiv në politikë, kur njerëzit sot shprehin mosbesim te politikbërja dhe te politikbërësit tanë?
– Nëse humb interesimi i çdokujt prej nesh, pa dallim, gjinie e moshe, atëherë ne kemi humbur interesin për vetë jetën tonë. Politikan do të thotë t’u shërbesh njerëzve që të besojnë, të duan, të respektojnë për atë që je, pa maskën e të qënit “i modës”. Njerëzit nuk të duan për atë që ti u shndërrove për t’u rënë në sy, por për atë që ti linde dhe Zoti të krijoi, me të mirat e të metat e tua. Besimi tek politika vjen edhe tek mënyra se si ti komunikon me ta, sepse ti përcakton jetën e tyre. Sot nuk besoj se idealistët u venë rëndësi maskave, ata duan t’u flasësh në sy të vërtetat, troç. Në këtë mënyrë e shoh politikanin dhe qytetarin e thjeshtë të lidhur në një qëllim, ta bëjmë këtë vend më të mirë.
– Ju u ndodhët rastësisht në detyrën si zëdhënëse e PD-së, apo jeni përpjekur dhe ia arritët?
– Është detyra më me rëndësi që më është dhënë në të gjithë karrierën time. Ardhur nga një familje demokrate, që në vitet ’50, me familje të persekutuar nga regjimi komunist, lindur ne vitet kur skamja kishte zënë myk dhe prindërit që përpëliteshin të na krijonin qoftë kushtin më të vogël, më sollën në këtë pozicion mjaft të nderuar dhe të privilegjuar. Me një kujtesë aspak për t’u lavdëruar të sistemit shkollor, kushteve ekonomike, unë bëra zgjedhjen time. Në vitin ’97, u anëtarësova në Partinë Demokratike me synimin që një ditë të jem pjesë e saj, në momentin që unë do e ndjeja veten të përgatitur për t’i qëndruar pranë Sali Berishës. Me prindër, të cilët kanë lobuar me vite me rradhë në një prej lagjeve me bindje tërësisht të majta të Tiranës, e që i shihnin si “delja e zezë”. Erdhi dita dhe Zoti dëgjoi lutjet e familjarëve të mi, të cilët nuk kanë kërkuar kurrë “shpërblim” për votën ndaj PD-së për 23 vite me rradhë. Pastërtia me të cilën i shërbej atij pozicioni, ka meritën e edukatës së fituar nga familja ime.
– Ju ka lindur ambicia që të bëheni edhe ju politikane?
– Kam ende shumë punë për të arritur tek statusi “politikane”. Nuk jam e nxituar asnjëherë në veprimet e mia, pres momentin e duhur gjithmonë.
– Duke qenë se ju jeni pranë njerëzve që kanë pushtet, cila është përshtypja juaj: Pushteti e bën njeriun të fuqishëm, apo njeriu e bën pushtetin e fortë?
– Njeriu lind bashkë me pushtetin. Që në fëmijëri, ai kërkon të kontrollojë gjithçka përreth, ta ketë të tijën. Më vonë, ai bën diferencimin dhe fillon të ndajë atë që i nevojitet më shumë për atë çast që e kërkon.
Tek pushtetarët inteligjentë këto dy parime nuk priten me thikë. Por pushtetari i vërtetë sigurisht që merr nga të dyja.

-Cili ishte  imazhi që ju kishit perceptuar për Liderin Berisha kur ishit gazetare, dhe cili është imazhi që ju keni tashmë, pasi e njohët nga afër?
-Doktor Berisha nuk i përket figurave të cilëve duhet t’u bëhen krahasime. Ai është një lider i pathyeshëm. I tillë ishte në mendimet e mia në vegjëli, i tillë është edhe sot.
– Cilat janë privilegjet që ju provuat si zëdhënëse e PD-së?
– I vetmi privilegj, të jem krahë tij përgjithmonë dhe në ekipin e demokratëve të vërtetë “Për një rikthim të ri të fuqishëm”.
– Cila është vështirësia e të qenit zëdhënëse e një partie kaq të madhe, sikurse PD-ja?
– Të mbash peshën e korrektësisë deri në detaj të detyrës, që të është dhënë. Të qënit e sinqertë dhe modeste me kolegët. Respektimi i institucionit, i cili solli për shqiptarët ndryshime rrënjësore për 2 dekada me rradhë.
– Çdo të thotë për PD-në zgjedhja e Lulzim Bashës si Kryetar i ri?

Kryetari i ri Lulzim Basha është simbol i fitores, kjo u vërtetua me votë. Jam e bindur se Partia Demokratike me shpejtësi do të rikthehet në vendin që i takon, të drejtojë Shqipërinë, për të mirën e këtij vendi, të dhunuar 50 vjet barbarisht, pamëshirshëm. Të gjithë ne demokratët duam fitoren, sepse ne të tillë jemi. Kryetari Basha di ta bëjë më së miri këtë, e ka provuar në të gjitha postet që ka udhëhequr. Sot unë jam e lirë të udhëtoj pa vizë, të shkoj të takoj vëllain tim në Vjenë, të jetoj më e sigurt pasi krimi i organizuar ra ndjeshëm ( nuk jam e sigurt tani me këtë qeveri të dalë nga krimi ), sot unë shkoj takoj miqtë e mi në Kosovë për vetëm 3 orë. Për këtë falmenderit Lulzim Basha, faleminderit qeverisjes Berisha.

– Nga njohja juaj, cila është dhuntia e Lulzim Bashës, që do të shërbejë si garanci për një start të ri të PD-së?
– Vullneti i tij për të punuar. Për të punuar për të rikthyer Partinë Demokratike në pushtet. Të gjithë demokratët kanë sytë e drejtuar nga PD-ja, duan sërish fitoren e marrë pabesisht nga vota e vjedhur.
– Raportet dhe marrëdhëniet e tua me kolegë, miq, shokë familjarë a ndryshuan, ndërkohë që ju u bëtë dhe jeni zëdhënëse e PD-së?
– Silvi Bardhi është dhe mbetet një prej njerëzve që nuk di të ndryshojë. Pavarësisht dallgëve të jetës, nuk kam ditur kurrë të mësoj nga veset e këqija, por jam rritur duke u pjekur në mendim. Silvi Bardhi nuk ka për të qenë kurrë njeriu që e sheh karriken si mjetin për të përfituar diçka nesër. Kurrë. Jam e lumtur për gjithçka kam arritur deri tani, pa shkelur e pa i bërë hile askujt.
– Një punë e lakmueshme, një familje e dëshirueshme, këto që ju keni arritur, e kanë përforcuar gjithë lumturinë e jetës tuaj?
– Familja është lumturi, pasuri, integritet, siguri për jetën. Nuk mund të jesh kurrë i suksesshëm, kur nuk ke mbështetjen familjare, sidomos të bashkëshortit, bekimin e çdo vendimi që të pret në të ardhmen. Nëse mëngjesi të lind me diell gjithmonë, nuk ka dyshim që rrezet e tij të të mos shkëlqejnë shpirtin ditës në vazhdim.

Në jetën tuaj, keni arritur të gjitha ato të mira materiale dhe shpirtërore që ju kërkoni dhe dëshironi?

– Familja ime e re është arritja më e madhe në jetën time. Një familje me parime të shëndosha, të cilat kanë origjinën e saj të hershme. Jam e lumtur, që mëngjesi më gjen pranë dashurive të mia të mëdha.

 –Çfarë ndryshimesh ka sjellë në jetën tuaj Joni?

– Joni është dhurata më e bukur që Zoti më ka dhënë mua, bashkëshortit tim dhe familjeve tona. Joni erdhi në një kohë të lumtur për ne. Joni është engjëlli, i cili që në krijimin e tij, është njohur me tensionin politik. Dalja ime në konferenca shtypi, në periudhën e shtatzanisë, më gëzonte pa masë. Pasi përpilohej teksti, unë ndjeja ankthin e kohës dhe tensionin e daljes sa më saktë. Në çdo herë, Joni më ngacmonte me lëvizjet e tij, e ky ishte një nga momentet kur ndjehesha mjaft e lumtur. Sot djali im 5 muajsh tregon shenja të qarta inteligjence, ngjason jashtëzakonisht me të atin në tipare dhe karakter. Dhe une jam kaq shumë krenare për familjen time të re.