Prof. Dr. Vehbi Hoti, 50 vite punë e vlerësim mes studentëve dhe kolegëve

822
Shkodrani që iu përkushtua mësimdhënies, edukimit dhe shkencës në arsim, duke manifestuar korrektësi e kualitet në çdo detyrë
Është hera e parë, që ai ka pranuar të rrëfejë pak detaje nga jeta dhe puna e tij si profesor i mirënjohur, jo vetëm në Shkodër, por edhe në Tiranë e jashtë kufijve veriorë të Shqipërisë. Ndoshta, “thyerja” e “betimit” për të mos folur për veten, ka lidhje me faktin që ai mbushi 75 vjeç dhe ende “jeton” mes studentëve, kolegëve të vjetër universitarë e sidomos më të rinjve, shumicën e të cilëve i ka pasur nxënës e student qysh 50 vite më parë. Quhet Vehbi Hoti. Dy javë më parë mbushi 75 vite jetë dhe 50 vite punë në arsim… 
Pak rreshta, nga profili i profesor Hotit
Prof. Dr. Vehbi Hoti, u lind në Shkodër më 6 prill 1942, ku përfundoi arsimin 7-vjeçar e atë të mesëm. U diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës për Biologji-Kimi-Pedagogji. Ka punuar në ish Institutin e Studimeve e të Botimeve Shkollore të Tiranës, në shkollën e Mesme Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe në Kabinetin Pedagogjik të rrethit. Në vitet 1966-2013 ka qenë pedagog i Universitetit të Shkodrës. Gjatë këtyre viteve është shquar si pedagog, si mësimdhënës, si studiues e drejtues korrekt, i aftë e bashkëpunues, duke u afirmuar si një personalitet i nderuar dhe i vlerësuar gjerësisht nga studentët, kolegët dhe opinioni i gjerë shoqëror jo vetëm në Shkodër. Përveç detyrës si pedagog, ai ka qenë i ngarkuar me detyra e funksione të ndryshme. Për më shumë se 15 vjet, ka qenë sekretar i Këshillit Shkencor të ILSHP dhe i Redaksisë së “Buletinit Shkencor”. Që nga viti 2002 e deri sot është kryeredaktor i serisë “Shkencat e Edukimit”, botim i Universitetit të Shkodrës. Në vitet 1989-1993, ka qenë përgjegjës i katedrës së Psikologji-Pedagogjisë. Gjatë viteve 1991-2003, ka qenë dekan (i parë) i Fakultetit të Shkencave të Edukimit dhe anëtar i Senatit të Universitetit të Shkodrës. Është autor dhe bashkë-autor i shtatë botimeve monografike, I 4 teksteve mësimore për shkollën e lartë dhe i dy teksteve për shkollën e mesme. Ka botuar rreth 60 punime në shtypin shkencor. Ka referuar në 50 sesione e konferenca shkencore. Ka marrë pjesë në disa projekte dhe ka bashkëpunuar si ligjërues me disa universitete edhe jashtë vendit si Mal të Zi e Maqedoni. Rrjedhim i kësaj pune janë gradat dhe titujt që ka fituar, duke filluar nga Doktor i Shkencave e deri Prof. Dr. Me rastin e daljes në pension 2013, Senati i Universitetit të Shkodrës e ka nderuar me titullin “Profesor Emeritus”. Presidenca e republikës së Shqipërisë e ka vlerësuar me disa tituj si Urdhri “Naim Frashëri i Artë” (2001), titulli “Mësues i Merituar” (1987), medalja “Naim Frashëri” (1977). Në vitin 2013 ka dalë në pension, prof. Dr. Vehbi Hoti vazhdon të aktivitetin mësimdhënës si pedagog i jashtëm në Universitetin e Shkodrës dhe të Podgoricës, gjithashtu në veprimtaritë shkencore. 
Punimi studimor për Luigj Gurakuqin
Më ka tërhequr e bërë për vete figura e Luigj Gurakuqit, qysh në rininë time. Lexoja çdo gjë që shkruhej e thuhej për të. Me kohë, kisha filluar të shkruaja edhe unë diçka për kontributet e tij në fushën e arsimit, duke ardhur gradualisht tek synimi për të botuar këtë monografi dhe për ta paraqitur për doktoraturë. Fillimisht nuk e kisha zgjedhur si temë doktorate. Rrethanat e krijuara më çuan drejt saj. Kisha vite që punoja mbi temën e doktoratës, për zhvillimet e arsimit në Shkodër në vitet 1965-1985, vitet kulmore i lëvizjes “Revolucionarizimi i mëtejshëm i shkollës”. Kisha kaluar nëpër duar rreth 20 mijë faqe të shkruara, raporte, relacione, dokumente, vendime, etj, në arkivin e rrethit. Kisha botuar disa artikuj në shtypin e kohës e kumtuar në disa veprimtari shkencore. E kisha përfunduar, ishte miratuar nga Instituti i Studimeve Pedagogjike (ISP) për mbrojtje dhe caktuar tremujori i parë i vitit 1992. Punimi kishte mjaft gjëra me vlerë, por ishte tepër i politizuar dhe ideologjizuar në bazë të kritereve të kohës. E morra disa herë nëpër duar, pata shumë lëkundje e hezitime dhe në fund vendosa ta tërhiqja nga mbrojtja. Për këtë i bëra kërkesë me shkrim rektorit te Universitetit të Shkodrës dhe drejtuesit te Institutit të Studimeve Pedagogjike, duke kërkuar të miratohej tema e re “Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar”. Punova afro 4 vjet në mënyrë shumë intensive jo vetëm me literaturën, por dhe me dokumentet arkivore në Muzeun e Shkodrës, në Arkivin e Rrethit, në Arkivin Shtetëror në Tiranë dhe në Arkivat Durrës e Elbasan.
Biografia politike e familjes dhe biografia profesionale e punës
Natyrisht, si shumëkush, edhe unë kam përjetuar vështirësi e shqetësime të ndryshme për shkak të biografisë politike. Veçanërisht, kam përjetuar dy shqetësime të natyrave të ndryshme. E para lidhej me momente të biografisë. Burri i tezes sime, Hafiz Sali Myftia, bashkë me djalin e madh, Fuat Myftiun, ishin të arratisur politik, bashkë me grupin e nacionalistëve. Këtë fakt, unë e kisha shkruar në dokumentet e mia. Në fillim të viteve ’70-të, Ministria e Arsimit, kishte vendosur dhe miratuar një delegacion të vogël (prej 4 vetësh) nga Instituti i Shkodrës, për vizitë në Kosovë, njëri prej të cilëve isha dhe unë. Natyrisht që u gëzova, por gëzimi u shua prej biografisë politike edhe pse biografinë profesionale dhe morale e kisha të shkëlqyer! Lidhur me këtë ngjarje, kam detyrim të përmend një emër të nderuar i cili nuk jeton më. Drejtori i Institutit të Shkodrës, personaliteti i shquar Mihal Prifti, këmbënguli që unë të isha pjesë e delegacionit dhe kërkoi nga sekretari i partisë, që ta diskutonte në kolektiv dhe kolektivi vendosi për mua. Por përsëri, u bënë ndryshime, natyrisht “me urdhër nga lartë” e… nuk u lejova të shkoja. Por jo vetëm kaq, mbasi “hapja e letrave” të biografisë më largoi edhe nga Instituti, me motivin “qarkullim kuadri”! Më 1981, u riktheva në Institut, ku vazhdova punë deri në fund të vitit akademik 2013, kur dola në pension.
Sigal