Prof. Dëfrim Shkupi: Betim Muço, shkencëtari dhe poeti

285
Një shkrimtar i dëgjuar e ka krahasuar jetën e njeriut me ngjitjen në një kodër: “Për sa ngjitemi dhe vështrojmë majën e kodrës, ndjehemi të lumtur, po kur arrijmë në majë, vëmë re menjëherë zbritjen dhe fundin e kodrës, që është vdekja”. Është interesante se kur ngjitemi, koha është e ngadaltë, po kur zbret, koha kalon shpejt dhe disa kanë fatin e keq të bien menjëherë, sikurse i ndodhi dhe mikut tonë të vyer Betim Muço. Betimi ka lindur në Tiranë, më 21 janar 1947. Ai mbaroi Universitetin e Tiranës, për Fizikë Speciale në vitin 1970. Punoi 4 vjet si mësues në rajonin e Krujës dhe në vitin 1974 emërohet si punonjës shkencor në Institutin e Sizmologjisë në Tiranë. Qysh në fillim ai u angazhua me pasion në punën e re. Ai studioi dhe dha një sërë provimesh pasuniversitare, që e brumosën me kulturë profesionale, duke zgjeruar më tej njohuritë e tij shkencore. Një ndihmesë e madhe ka qenë në këto vite, bashkëpunimi i tij me Prof. Dr. Shyqyri Aliaj, i shquar për një kulturë të madhe profesionale dhe i gatshëm për të ndihmuar të gjithë të interesuarit për Gjeoshkencat. Në vitin 1982, Betimi mbrojti disertacionin “Sizmiciteti i Induktuar nga Rezervuari i Hidrocentralit të Fierzës”, me të cilin fitoi titullin “Kandidat i Shkencave”. Në vitin 1992 mbrojti disertacionin për gradën e Doktorit të Shkencave: “Veçori të Tërmeteve të Shqipërisë” dhe në vitin 1994, i jepet titulli “Drejtues Kërkimesh” (Profesor). Gjatë gjithë kësaj periudhe, ai ka qenë shumë aktiv dhe në shumë raste protagonist kryesor, në projekte të shumtë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke shkruar studime të vlefshme, artikuj shkencorë në revista prestigjioze ndërkombëtare dhe kombëtare , duke marrë pjesë aktivisht në dhjetëra kongrese dhe konferenca shkencore , duke përfaqësuar dhe shkencën shqiptare në shumë prej tyre. Në vitet 1990-1991 Betimi realizoi një program post-doktoranure, në universitetin e Tokios, Japoni, duke zhvilluar lidhje të ngushta me Japoninë, kulturën dhe sidomos me komunitetin e shkencëtarëve sizmologë. Në këto vite ai ka qenë dhe Konsull Nderi i Japonisë në Shqipëri. Pas kësaj, Betimi realizoi një sërë vizitash shkencore në universitete dhe institute prestigjioze europiane. Në këto bashkëpunime dhe specializime ai përsos dhe rrit vlerat e tij si shkencëtar, duke e ndjerë veten të barabartë me shkencëtarë të shumtë europianë dhe amerikanë, që kanë ndarë me të, krijimet e tyre dhe bashkëpunuar me kënaqësi, duke përcjellë studime me vlerë dhe artikuj të shumtë të botuar në revista shkencore. Në vitet 1993-1997, ai bëhet drejtor i Institutit te Sizmologjisë. Në këtë periudhë instituti i Sizmologjisë, tashmë i dalluar për studimet me vlerë të sizmicitetit në Shqipëri merr përmasa të reja, duke zgjeruar bashkëpunimin me institucionet më prestigjioze në botë, duke ndërmarrë studime dhe projekte të përbashkëta, që i kanë bërë nder shkencës shqiptare. Mbas ndryshimeve politike, pas vitit 1997, Betimi hiqet nga Drejtor dhe caktohet Përgjegjës i Rrjetit Sizmologjik, në Institutin e Sizmologjisë deri në vitin 2001. Gjatë kësaj periudhe , ai punon me intensitet të madh, duke u angazhuar në shumë projekte ndërkombëtare, që sollën dhe modernizimin e rrjetit sizmologjik të Shqipërisë, me mjete të reja , duke përmirësuar ndjeshëm veprimtarinë praktike dhe shkencore të Institutit. Ai ka qenë njohësi më i mirë i tërmeteve dhe i shkaqeve të tyre në Shqipëri dhe ka marrë pjesë në të gjitha studimet përkatëse. Si: “Sizmiciteti dhe Sizmotektonika e detit Adriatik”; “Studimi i Uljes së Tokës, lidhur me kushtet hidrologjike dhe gjeologo-inxhinierike, në rajonet e Sofies, Shkupit dhe Tiranës”. Drejtor i projektit “Përqasja deterministike e zonimit sizmik të disa vendeve të Ballkanit”. Koordinator i projektit “Vlerësimi i Potencialit sizmik për zonat e tërmeteve të mëdha të Europës; “Sizmotektonika dhe Rreziku Sizmik i Shqiperisë”. Në vitin 2001 Betimi aplikoi për Green Card në SH.B.A. dhe fitoi dy kategori : Interesi kombëtar i SH.B.A. si individ me aftësi të jashtëzakonshme dhe atë individual. Në SH.B.A. Betimi punoi si konsulent i IRIS (Incorporated Research Institution for Seismology), që është Institucioni më i rëndësishëm i sizmologjisë në SH.B.A.Gjatë kësaj periudhe, ai ka pasur bashkëpunim të frytshëm me shkencëtarin e madh sizmolog John Costain, me të cilin ka ndarë një sërë studimesh dhe artikujsh shkencorë për tërmetet në shtetin Virginia.Vlen të përmendim studimin e tij të fundit: “Mundësia e një marrëdhënie shkaksore midis klimës dhe sizmicitetit ndërpllakor, në rastin e zonës sizmike të Virginias” , duke hapur një dritare të re dhe për studimet sizmologjike në Shqipëri. Pavarësisht punës intensive në SH.B.A. Betimi nuk e ka ndërprerë lidhjen me Shqipërinë Ai ndërmori dy punime të rëndësishme si autor kryesor dhe koordinator në “Kuantifikimi i Tektonikës së sotme të Shqipërisë” si dhe koordinator kryesor i projektit “Harta dhe Vlerësimi i Gjeohazardeve (Rreziqeve Gjeologjike) të Ballkanit” shkalla 1:1.000.000. Në këtë projekt të fundit , ekipi shqiptar përbërë nga Prof.Dr.Defrim Shkupi, Prof. Dr. Shyqyri Aliaj dhe ing. Fizikan Albert Avxhi, u cilësua më i miri në këtë veprimtari , duke ardhur nga një përvojë e suksesshme e botimit të Hartës së Rrezikut Gjeologjik të Shqipërisë, shkalla 1:200.000, ku vete Prof.Dr. Betim Muço kishte kontributin e tij të vlefshëm. Nje kontribut i madh i Prof. Dr. Betimi Muços është paisja e rrjetit sizmologjik të Shqipërisë, me një rrjet modern satelitor të tipit VSAT( që e disponon sot Departamenti i Sizmologjisë në Institutin e Gjeoshkencave-Tiranë). Betimi ka qenë shumë i lidhur me Shqipërinë, ai bënte, si të thuash dy jetë. Po i kishte bashkërenduar në mënyrë skrupuloze jetën e tij në Amerikë dhe atë në Shqipëri. Kur vinte në Shqipëri, nuk linte mik apo koleg pa takuar. Betimi ka marrë pjesë në disa emisione televizive shqiptare për shkencën si dhe për kulturën, duke prezantuar veten si një person me cilësi të rralla dhe me horizont e kulturë të gjerë. Krahas punimeve shkencore, Betimi nuk ka reshtur për 30 vjet së shkruari poezi, tregime, novela, ese dhe së fundi një roman. Ai botoi librin e parë me poezi në vitin 1967, “Rrugëve të Atdheut” dhe më pas ka botuar rreth 25 libra. Në këto libra, shumë prej nesh shikon pjesëmarrjen e tij në shumë ndodhi që syrit të Betimit nuk i shpëtonte. Ai i ka kënduar jetës, dashurisë, Shqipërisë, familjes së tij, shokëve dhe miqve të tij. Disa poezi te tij janë bërë këngë dhe kanë konkurruar me sukses në Festivalet e Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar. Betim Muço nuk e ka pasur të lehtë rrugën e tij drejt suksesit. Ai ka kaluar pengesat me aftësi. Betimi ka qenë një NJERI me plot kuptimin e fjalës. Nuk mbante kurrë mëri dhe ata që janë munduar ta pengojnë janë mishëruar në personazhe në tregimet e tij. Betimi ka qenë dhe një përkthyes i zoti. Ai ka përkthyer në shqip veprat e Graham Greene, Saul Bellow, Yukio Mishima, Rainer Maria Rilke, James Joyce,Vladimir Nabukov, Alice Monro. Në vitin 2008, ai përktheu në shqip “Antologjinë e Poezisë Botërore” të Shekullit 20, ku bëjnë pjesë 135 poetë nga gjithë bota. Çdo Vit të Ri, Betimi na dërgonte një kartolinë urimi, shoqëruar me një poezi, që kthehej në moto për ne, për një kuptim më të mirë të jetës, me këmbë në Tokë. Betim Muço është një shembull i përsosur i shkencëtarit, poetit, përkthyesit, i njeriut, që ka lënë mbresa të pashlyeshme tek të gjithë ata që e kanë njohur. Ai meriton të nderohet nga institucionet shtetërore shqiptare me të gjitha titujt e mundshëm. Shoqata Ndërkombëtare e Gjeologjisë Inxhinierike dhe e Mjedisit (IAEG) do të përkujtojë përvjetorin e vdekjes se shkencëtarit shqiptar Betim Muço, në pranverën e vitit 2016 në një Konferencë të Shkencëtarëve Europianë dhe Afrikanë, që do të mbahet në Bari të Italisë.
Prof. Dr. Defrim Shkupi
Kontributet kryesore shkencore të Prof. Dr. Betim Muços:
–Harta Neotektonike e Shqipërisë, Shkalla 1:200.000(1995)
–Struktura Neotektonike e Shqipërisë dhe Evolucioni Gjeodinamik i saj(1996)
–Harta Sizmotektonike e Shqipërisë,Shkalla 1:500.000(2000)
–Vlerësimi Probabilitar i Rrezikut Sizmik të Shqipërisë, Projekt i NATO-s(2004)
–Harta e Rreziqeve Gjeologjike të Shqipërisë, Shkalla 1:200.000(2005)
–Harta dhe Vlerësimi i Gjeorreziqeve të Disa Vendeve të Ballkanit,Shkalla 1:1.000.000(2008)
–Sizmiciteti, Sizmotektonika dhe Vlerësimi i Rrezikut Sizmik të Shqipërisë(2010)
Veprat Letrare:
Rrugëve të Atdheut, (1967)Etyde, (1972) Ekspres,(1975) Tregime, (1978) Kokrra Gruri,(1978) Ditë që Vështrojnë Larg,(1982) Është se ç’na është(1984) Ditëlindja e Këngës,(1983) Plumbi i Gërmave,(1985) Gjurma e Vetëtimës, (1986) Bota në Sytë e Dolës, (1986) Në Udhën Time(1988), Ëndrrat e Fëmijëve, (1989) Mall për Njerëz,(1989) Ekuinokset, (1990) Tempujt e Mosharrimit, (1990)Hiroshima Jashtë Meje, (1995)Penda e Pulëbardhës, (1996) Karusel, (1997)Sirtarët, (1999) Rrëfenjat e Hamburgut, (2007) Bumerang, (2009) Qiej që Bien, (2014)

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 15.01.2016