Nikollë Nikprelaj t’këndoftë zemra

73

Ramazan Çeka

Këngëtari, rapsodi dhe kompozitori i mirënjohur Nikollë Nikprelaj nga Tuzi i Malit të Zi, me rastin e mbylljes me shumë sukses të sezonit veror, të aktivitetit të tij artistik dhe largimit të emigrantëve për në vendet ku jetojnë e punojnë, organizoi në vendlindjen e tij Trieshi një koncert madhështor, ku pjesëmarrja e fansave dhe dashamirësve të tij ishte befasuese. Skena madhështore ishte instaluar në një ambient mahnitës të Alpeve Shqiptare. Tingujt e muzikës së bukur folklorike dhe jo vetëm, si dhe vallet e mrekullueshme shqiptare, përplaseshin me jehonë në shpatet dhe luginat e këtij amfiteatri madhështor, duke përcjellë tek spektatorët këngën dhe muzikën e traditës, por edhe atë bashkëkohore. Nikollë Nikprelaj kishte menduar për të gjithë. Ai në mënyrë tradicionale e hapi këtë koncert me një këngë të lashtë kushtuar vendlindjes, duke qenë në krah të babait të tij 91-vjeçar, në interpretimin e një kënge “maje krahu” dhe për të vazhduar i palodhur për disa orë me zërin e tij brilant dhe repertorin e mrekullueshëm, të shoqëruar nga një orkestër jashtëzakonisht profesionale, nën drejtimin e maestro Samir Beqaj në tastierë, Arsid Çeka në perkusion dhe Kristian Gusho në violinë. Para fillimit të koncertit ndjehej heshtja madhështore që diktojnë malet dhe luginat, por për pak kohë para se të fillonte ai, kjo heshtje u thye nga zhurmat e makinave luksoze dhe grupeve të njerëzve që vinin nga çdo anë, për të treguar se në këto male ka jetë, ka gjallëri, ka gëzim. Natyrisht, merita për të gjallëruar jetën në këto krahina e kanë gjithmonë artistët, në këtë rast këngëtari kaq i dashur i kësaj treve Nikollë Nikprelaj.